E Diel, 1 Nëntor 2026

Elton Deda vjen nga Amerika dhe bashkon “Tre muskëtierët”



Vitet ikin shumë shpejt, por për Elton Dedën koha nuk ka shumë rëndësi kur destinacioni është Tirana. Kantautori i njohur pas gjashtë vitesh vjen për një projekt artistik. Nuk e ka të vështirë t’i jetojë të gjitha ditët njësoj sikur të mos ishte larguar për asnjë moment nga ky qytet. Tregon për jetën e tij në Amerikë, albumin që ka përfunduar me muzikë blues/rock dhe klipin e tij të parë “Tranzit”. Si dhe ribashkimin e “Tre muskëtierëve” për një natë të vetme.
Vizitoni Tiranën pas tre vitesh nga ardhja juaj e fundit. Cila ishte arsyeja e këtij udhëtimi?
Arsyeja e ardhjes sime ishte një projekt i “Top Channel” që nuk mund ta zbulojmë tani, pasi do transmetohet më vonë nga ky televizion, por që është i mbështetur fuqimisht në muzikë me këngë të repertorit tim. Gjithçka luhet “live” dhe ndaj shpresoj të realizohet ajo që duhet. Besoj se do dalë diçka e bukur edhe pse gjithçka po realizohet në një kohë të shkurtër. Meqënëse unë në këtë koncert këndoj me miken time të vjetër, Alma Bektashi, përveç këngëve të mia do të sjellim në duet këngën “Sa pak kërkoj”, që e kam kënduar në vitin 1999, unplugged në një koncert në Akademinë e Arteve të Bukura. është një këngë jo shumë e njohur për publikun me vargje të shkruara nga miku im shumë i talentuar Andi Kroqi, që u kushtohej refugjatëve pas luftës në Kosovë, por që tingëllon aktuale. Ka një mesazh shumë të madh që është marrëdhënia midis jetës dhe vdekjes, që në fund jeta duhet të triumfojë pasi pavarësisht se ka vdekje ka dhe shumë lindje, dhe ky proces vazhdon e vazhdon...
Por publiku priste albumin “Antologji” që keni premtuar. Kur do i promovoni këngët e reja në Tiranë?
Albumi i premtuar “Antologji” është gati. Përbman 12 këngë të gjitha të reja dhe të kënduara në shqip. Unë e kam mbaruar të gjithë procesin muzikor dhe jam në fazën e postproduksionit. Personalisht mendoj që nuk shoh ndonjë interes të madh dhe të them të drejtën nuk prisja ndonjë interes të madh për muzikën rock, duke parë linjat ku është futur muzika jonë e viteve të fundit. Megjithatë jam në bisedime për shitjen e albumit këtu.
Bëhet fjalë për një album të cilin e keni realizuar në një vend si Amerika. Do të ndihet ndryshimi krahasuar me këngët që ju krijuat në Shqipëri?
Këngët janë shkruar jo vetëm në Nju Jork, por disa kënga janë të shkruara kur isha në Tiranë edhe pse nuk u publikuan atëherë për arsye të ndryshme. Ndryshimi që thoni patjetër që do ndihet. Kur jetoja këtu isha për krijimin e muzikës bluz e rock, por duke jetuar në Amerikë dhe duke parë se sa mirë shprehen artistët atje pikërisht në muzikën që e kam pasur qejf, përfshirja në atë rreth muzikor më ka ndihmuar vërtet shumë. Ndihet jashtë mase influenca në këngët e reja që disa janë komplet bluz i vërtetë pa asnjë lloj kompromisi, katër balada, dhe të tjera këngë në muzikën hard rock.
Ju s’keni ende një klip në gjithë karrierën tuaj, do të shoqërohet ky album me një klip?
Patjetër që po. Madje momentalisht në Nju Jork po punoj për bërjen klip të këngës me titull “Tranzit”, pjesë e albumit. Në klip do të luajnë dy aktorë amerikanë dhe bëhet fjalë për një këngë rebeluese, me vargje gjithë mllef të shkruara nga Orges Toçe, drejtuar një vajze. Mendoj është një fabul interesante.
Folët më sipër për përfshirjen në rrethet muzikore amerikane, cila është jeta artistike që bëni atje?
Të them të drejtën ka shumë njerëz që vijnë nga vendet ku jetojnë dhe thonë po bëj atë, apo po bëj këtë. Unë për vete do të thoja se kam një jetë shumë normale, kam një punë si çdo njeri që nuk mbijeton dot vetëm me muzikë, kjo dhe për arsye të tjera pasi kam një familje tashmë dhe kujdesem për ta, bashkëshorten Jola dhe djalin tim Fjordi. E vërteta është se që të çash me muzikë në atë vend, e para duhet të jesh beqar dhe të kesh kohë të dalësh në ture, pra t’i përkushtohesh jetës intensive artistike. Ndërsa unë e kam zgjidhur në mënyra të ndryshme. Kam studion time muzikore të kompletuar mirë në shtëpinë time, dhe gjithashtu punoj me një mikun tim producent amerikan, i cili ka shumë lidhje me këngëtarët atje. Aktualisht jemi duke kompozuar këngë për artistë atje dhe presim që bashkëpunimet të konkretizohen, ndaj shpresoj gjithmonë që të eci puna dhe një ditë të shpërblehemi për punën që po bëjmë.
Tani që kanë kaluar gjashtë vite që ju jeni larguar nga Shqipëria, a është Amerika ajo çfarë kishit kërkuar?
Amerika është vendi që unë shkova të marr vesh vlerën reale se kush jam unë në të vërtetë, dhe ju siguroj që e kam marr vesh. S ‘mund të thuhet kështu me fjalë por ndjehet në stilin tim, në mënyrën se si reflektoj kundrejt muzikës. Gjithçka pasqyrohet në muzikën e këngëve të albumit tim të ri. Ndërsa përsa i përket stilit të jetës unë mbetem i njëjti djalë që kam qenë në Tiranë, por sigurisht pak më i mbledhur, bëj një jetë të qetë e normale pa asnjë lloj ekzagjerimi.
Sa herë që kthehesh këtu e do më shumë këtë vend, apo do t’i largohesh gjithnjë më shumë?
Këto gjashtë vjet kam parë ndryshime edhe për të mirë dhe për të keq, kështu që nuk mund të them se kam dëshirë të iki apo të rri. Mënyra si ndërtohet qyteti dhe infrastruktura më pëlqen, por nuk jam për mbipopullimin deri në këtë masë. Ajo që nuk më pëlqen është se disa linja në art që ne i kishim të shenjta kanë filluar të prishen. Më pëlqen që njerëzit janë kthyer tek muzika live, shoh që ka kërkesa në lokale, shokët e mi punojnë në profesion. Nuk është se dua të rri këtu përgjithmonë pasi tashmë jetoj në Nju Jork, dhe kam investuar për jetën time atje. Por në çdo rast të supozuar për rikthim jam prapë i bindur që do ja kaloja mirë, do e vija veten në punë dhe prapë do vazhdoja jetën.

“Tre muskëtierët” për një natë pas gjashtë vitesh

I quajtën kështu dikur dhe u pëlqeu. “Tre muskëtierët” ishin Elton Deda, Sandër Gjoka dhe Redon Makashi që u mblodhën gjashtë vite më parë në emrin e një pub-i. Qëllimi ishte të ruanin muzikën me kualitet. Ardhja e Eltonit nga Amerika këto ditë i ka mbledhur sërish mbrëmë në kompleksin “Te Stela Pool Club” ku performuan së bashku me Juliana Pashën, duke zgjuar nostalgjinë e të pasionuarve të tyre. Në skenën e improvizuar buzë pishinës ata kanë risjellë hit-et e tyre. “Edhe pse kishin kaluar tre vite, ritakimi me Sandrin dhe Redonin ishte si pas një dite të vetme”, thotë Eltoni. “Kam qenë personi që kam kaluar shumë mirë me shokë, që s’ju jam trembur kurrë shoqërisë, të qeshurave apo bisedave të thella. Ndaj kam përshtypjen që në çdo moment të vij në Shqipëri, me shokët na duket sikur e kemi lënë bisedën aty ku mbeti dje, ndaj koha në këtë rast nuk ka asnjë lloj vlere”, vazhdon ai. Kanë kënduar repertorin e krijimeve të tyre në vite dhe Deda i ka shoqëruar Gjokën dhe Makashin në tastierë. Publiku nostalgjik ka shijuar harmozimin e tri zërave gjatë dy orëve koncert. Ata janë befasuar nga pritja e publikut që dukej se u kishin munguar tre këngëtarët e njohur në një perfomancë sëbashku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›