Dinamo, fitore dhe eliminim
Dinamo është eliminuar nga Kupa e Kampioneve edhe pse ka fituar ndeshjen e kthimit 1-0 ndaj moldavëve të Sherif Tiraspolit në stadiumin “Qemal Stafa”.Shkak është bërë humbja 3-1 në ndeshjen e parë në Moldavi, e cila u ka lejuar atyre që të vazhdojnë aventurën në këtë kompeticion. Megjithatë vlen të theksohet se dinamovitët dhuruan një paraqitje pozitive ndaj një skuadre me buxhet shumë herë më të lartë. Ndonëse me disa mungesa të rëndësishme, si Bakaj apo Diop, blutë nuk kanë mundur të bëjnë dot mrekullinë edhe pse i shkuan shumë afër asaj. Goli i Emiljano Vilës në minutën e 18-të krijoi idenë se Dinamo do të bënte përmbysjen e madhe, por një gjë e tillë nuk ndodhi, duke bërë që Dinamo t’i thotë lamtumirën kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube. Kthimi i Muzakës në skuadër (mendohej se nuk do të ishte në formacion për shkak të vdekjes së parakohshme të babait tri ditë më parë) detyroi në fillim trajnerin Blanko që të ulë në stolin e rezervave Garcinë. Një skemë ofensive me 4-3-3, ndërsa Sherifi luante me skemën 4-4-2. Pra dy skuadra me stile disi të ndryshme, por në fund ishin moldavët ata që kaluan turin. Për kualifikimin, presidenti Besnik Sulaj kishte vendosur 250 mijë euro premio, shifër kjo ndër më të lartat dhënë ndonjëherë nga një drejtues klubi në vendin tonë. Ndërkohë vlen të theksohet se veç golit të Vilës, argjentinasi Martinena ka humbur disa mundësi të mira për të shënuar. Pas një pjese të parë të dominuar totalisht nga Dinamo, në të dytën Sherifi u mbrojt mjaft mirë, duke mos lejuar më hapësira. Gjithsesi, ndeshja u vendos më shumë nga rezultati i arritur në Tiraspol, ku ekipi shqiptar u mund 3-1, falë edhe një arbitrimi të keq. Sherifi i Tiraspolit është skuadra më e madhe moldave, që fiton rregullisht kampionatin prej vitit 2001. Klubi ka një buxhet afro 15 milionë dollarë në vit, ndërsa një vit më parë arriti të kalonte dy ture të Champions League, duke u mundur më pas nga Olimpiakosi.
Tirana, mbledhje “blic”, s’ka ndëshkime
Klubi bardheblu ka dalë në përfundimin se ndeshja mes Utrehtit dhe Tiranës nuk ka qenë e trukuar. Ditën e djeshme është zhvilluar analiza e pritur, ku kanë marrë pjesë shtatë futbollistë titullarë, stafi teknik, presidenti Refik Halili dhe shefi i klubit, Rauf Dimraj. Në përfundim, klubi nuk ka marrë asnjë masë ndaj asnjë lojtari, ndërsa ka konsideruar të vetmen gjë me rëndësi ndeshjen me Utrehtin. Drejtuesit bardheblu kishin lajmëruar se do t’i shkonin deri në fund çështjes, që kishte të bënte me një trukim të mundshëm në sfidën ndaj Utrehtit të përfunduar me rezultatin 4-0. Pas disa tentativash, mbledhja nisi dje rreth orës 11:00. Në “gjyqin” e djeshëm ishin thërritur, I.Lika, Sina, Osmani, Pashaj, Ahmataj, Lila dhe Plaku. Nga informacionet e marra, futbollistët bardheblu, folën nëse kishin dijeni për një trukim të mundshëm të sfidës Utreht-Tirana. Nga kjo mbledhje pasi u krye e gjithë analiza teknike, u arrit në përfundimin se ndeshja midis Utrehtit dhe Tiranës nuk është e trukuar. Por mos ndëshkimet kanë sjellë edhe një ftohje të marrëdhënieve midis Refik Halili dhe shefit të klubit Rauf Dimraj. I kontaktuar nga gazeta “Panorama” për të folur për vendimet e marra në analizën e zhvilluar pas akuzave për shitjen e ndeshjes, ai pohoi: “Nuk kam asnjë koment në lidhje me këtë gjë. Nuk dua të flas më për futbollin”.