E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga mashtruesit, u vodhi 70 milionë lekë kambistëve



Etleva Delia

Një 28-vjeçar, i vetëshpallur biznesmen, u arrestua mbrëmjen e së hënës nga policia, pas dhjetëra denoncimeve me akuzën se ka vjedhur tregtarë dhe biznese në kryeqytet, me anë të mashtrimit. Sipas policisë së Tiranës, Fatjon Podri, mashtronte kryesisht kambistët dhe pronarët e agjencive të këmbimit valutor, të cilëve u prezantohej si pronar i një kompanie private dhe u kërkonte para borxh me interes, për t'i investuar në biznesin e tij. Policia tha se i dyshuari Fatjon Podri, ka mashtruar në këtë mënyrë dhjetëra tregtarë në Tiranë, të cilëve në total iu ka marrë nëpërmjet mashtrimit, shumën prej 70 milionë lekësh. Hetimet në lidhje me aktivitetin e 28-vjeçarit filluan tri muaj më parë, pas denoncimeve të paraqitura në polici nga tregtarë të subjekteve të ndryshme, të cilët kishin rënë pre e mashtrimit. Burime nga Seksioni Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar, thanë se nga hetimet e kryera deri dy ditë më parë, ka rezultuar se Fatjon Podri, ka përfituar shumën prej 70 milionë lekësh, para që ua merrte borxh tregtarëve, duke u premtuar interesa të larta në kthimin e këtyre shumave. Hetues të çështjes, thanë se shumën prej 70 milionë lekësh, i arrestuari e ka përfituar në një periudhë prej afro një viti e gjysmë, kohë kjo, që ushtronte edhe aktivitetin e tij të paligjshëm. Në muajt e parë, pasi ka filluar mashtrimet e tij, 28-vjeçari nga Tirana, u merrte borxh tregtarëve shuma minimale, që fillonin nga 10 milionë lekë të vjetra, duke iu premtuar dhe interes të lartë në momentin e kthimit të huasë. Ai prezantohej si biznesmen i ri, që "gjoja" sapo kishte hapur një kompani dhe kishte nevojë për financim, që të ndërtonte aktivitetin e tij. Në muajt e parë të aktivitetit, Fajton Podri është treguar korrekt me tregtarët, duke iu kthyer paratë në kohën e caktuar, bashkë me interesat që kishte premtuar në momentin e huadhënies. Por më pas, kur ka filluar të grumbullojë, "biznesmeni" ka ndryshuar taktikë. Pasi merrte paratë borxh, mbyllte telefonin dhe nuk dukej më tek personat, të cilët i kishin dhënë paratë. Këta të fundit, kanë pritur për muaj me radhë që të merrnin mbrapsht paratë e dhëna,por më pas vendosën t'i drejtohen policisë. Seksioni i Antikrimit Ekonomik tha dje se vazhdon të marrë kallëzime nga tregtarë të tjerë të mashtruar nga i arrestuari, Fajton Podri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›