E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogë Lazarati në Tiranë e Durrës, pranga dy të rinjve



TIRANE - Dy të rinj që po tentonin të transportonin në Tiranë 85 kilogramë hashash Lazarati, u arrestuan pasditen e djeshme tek kryqëzimi i Vorës, gjatë një operacioni të Antidrogës dhe Njesisë së Forcës së Posaçme të policisë së kryeqytetit. Të arrestuarit, Elert Latifi, 20-vjeç, nga Shijaku dhe Rigels Kaja, 22-vjeç, nga Durrësi, mbaheshin prej 3 muajsh në vëzhgim nga oficerët e Antidrogës. Gjatë një konference për shtyp, drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, deklaroi se dy personat e arrestuar kanë kundërshtuar forcat e rendit, në momentin kur policia do të ndërhynte për kapjen e tyre. Sipas policisë, dy të rinjtë kanë tentuar të largohen me makinën që po transportonin hashashin, sapo kanë pikasur praninë e policisë. "Gjatë operacionit për kapjen e tyre, shtetasit kanë bërë një rezistencë ndaj forcave të policisë, duke tentuar të largohen me shpejtësi, me automjetin tip "Benz", me targa të huaja, duke rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të policisë", - tha drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj. Sipas tij, pas një ndjekje përreth 15 minuta, forcat e Sektorit të Operacioneve Speciale bënë të mundur bllokimin e automjetit, si dhe sekuestrimin e sasisë prej rreth 85 kilogramë lëndë narkotike, e dyshuar marihuanë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Rigels Kajës, në lagjien nr.18, në Durrës, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale edhe një automatik tip "Kallashnikov". Policia tha se nga veprimet hetimore që janë kryer përgjatë tri muajve nga oficerët e Seksionit Kundër Narkotikëve, është mësuar se marihuana e sekuestruar vinte nga fshati Lazarat i Gjirokastrës dhe destinacioni ishte Tirana dhe Durrësi, për shpërndarje gjatë sezonit turistik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›