E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tare: Pasuria nënujore në rrezik nga ekspeditat “pirate”



alma mile

Zbulimi më i fundit nënujor në brigjet e Himarës së një anijeje mesjetare spanjolle, apo veneciane, ka zënë hapësira të konsiderueshme në gazetat e huaja. Jo vetëm spanjolle, por edhe më gjerë. Kjo ndodhi edhe pak javë më parë, kur në brigjet e Karaburunit u zbulua një anije italiane e Luftës së Dytë Botërore. U bënë katër vite që në ujërat shqiptare po zhvillohet një ekspeditë arkeologjike shqiptaro-amerikane. Falë teknologjisë së zhvilluar kanë dalë në dritë thesare që hedhin dritë mbi historinë e Shqipërisë e Mesdheut. Koordinatori i kësaj ekspedite, Auron Tare tregon jo vetëm mbi ekspeditën, zbulimet e fundit, por edhe se çfarë ndodh më tej me këto objekte. Ai tregon për projektin e ngritjes së një muzeu të arkeologjisë nënujore në kalanë e Ali Pashës në Porto Palermo, por edhe problemet që shqetësojnë specialistët e fushës. Mungesa e infrastrukturës, laboratorëve, muzeve dhe më e keqja ekspeditat e pa kontrolluara dhe vjedhja e objekteve arkeologjike.
Z. Tare, zbulimet e ekspeditave tuaja kanë gjetur një hapësirë të gjerë në mediat e huaja, sa e rëndësishme është kjo për arkeologjinë dhe turizmin shqiptar në përgjithësi?
Jehona e mediave të huaja ndaj zbulimeve tona sjell sigurisht një vëmendje, në radhë të parë ndaj potencialeve që ka arkeologjia nënujore shqiptare. Por zbulimet në fushën e Trashëgimisë Kulturore janë të lidhura ngushtë edhe me potencialet turistike. Kësisoj, çdo lajm mbi të, i bën një shërbim edhe turizmit. Ky është një fakt tashmë i njohur. Zbulimi i fundit është shumë interesant, pasi është anija e parë e zbuluar deri më tani e periudhës së mesjetës së vonë. Shpresojmë se studimi i mëtejshëm do të sjellë fakte të reja mbi aktivitetin e flotave veneciano- spanjolle në brigjet e Himarës, si dhe rolin e tyre në këtë zonë.
Ekspedita shqiptaro-amerikane, ka rezultuar shumë e suksesshme, brenda një kohe të shkurtër janë bërë zbulime të rëndësishme. çfarë ndodh më pas me objektet e zbuluara?
E vërtetë që kjo ekspeditë ka rezultuar shumë e suksesshme. Jo më kot, vitin e kaluar ajo u radhit ndër 10 më të mirat në botë nga revista prestigjioze “Arkeologjia” në Amerikë. Rezultatet janë fryt i teknologjisë së lartë, së zbatuar gjatë ekspeditës. Teknologjia multibean përdoret vetëm nga institucione të specializuara të marinës luftarake dhe për herë të parë po aplikohet edhe në zbulimet arkeologjike. Themeluesi i Fondacionit RPM Nautical, partneri kryesor i projektit, e solli këtë teknologji edhe në kërkimet arkeologjike, duke sjellë një risi në fushën e kësaj shkence mjaft të re, ndërkohë që mjaft specialistë të fushës ishin skeptikë. Mendoj se jemi ende në fillim dhe së shpejti do kemi zbulime të rëndësishme, të cilat i presim, duke pasur parasysh pozicionin që kanë pasur brigjet Ilirike dhe Epirote në historinë e Mesdheut. Ekspedita e kërkimeve nënujore, e cila operon në partnership me institucione shqiptare, po prodhon hartat tredimensionale të funddetit, si dhe po identifikon të gjitha pasuritë historike dhe arkeologjike në këto ujëra. E gjitha kjo, pa asnjë kosto për Shqipërinë. Dua të theksoj, se deri më tani, bregdeti ynë është nga të parët që po aplikon këtë studim arkeologjik, duke na radhitur ndër shtetet e para në Mesdhe, me një hartë të saktë të të gjitha relikteve historike. Ndërkohë këto zbulime duhen prezantuar për publikun e gjerë, duke krijuar kështu premisa të mëdha për zhvillimin e një turizmi me të vërtetë kulturor. Objektivi ynë është modeli i Bodrumit në Turqi, ku është ngritur një qendër unikale e prezantimit të këtyre zbulimeve.
E meqë jemi në këtë pikë, si do të mund të bëheshin këto zbulime të vizitueshme?
Ky është objektivi final, por deri më tani nuk mund të bëjmë asnjë gërmim arkeologjik nënujor për arsye shumë objektive. Në Shqipëri nuk ka asnjë infrastrukturë të ngritur për këtë qëllim. Nuk ekziston asnjë laborator, që do të konservonte zbulimet tona. Po kështu nuk ka asnjë hapësirë Muzeale për t’i prezantuar ato. Gjetjet tona janë të një hapësirë 2500-vjeçare, nga amfora të prodhuara para se Aleksandri i Madh të pushtonte Lindjen, e deri tek anija e famshme britanike “Volage”, e cila hapi siparin e Luftës së Ftohtë më 22 tetor 1946. Të gjitha këto zbulime duhen prezantuar në një muze cilësor. Ne jemi të gatshëm për t’i ngritur këto struktura, nëse ekziston vullneti politik për një ndërmarrje të tillë. Kërkimet nënujore janë një disiplinë shkencore shumë e re dhe normalisht nuk është diçka negative që infrastruktura për këtë qëllim mungon. Në fakt, duke mos ekzistuar asgjë, ne kemi fatin që të fillojmë diçka nga fillimi, duke mos përsëritur gabimet e të tjerëve. Ekspedita jonë ka potencialin e mjaftueshëm për të krijuar në Shqipëri një program të kërkimeve dhe prezantimeve nënujore, për të cilat do të ishin krenarë pasardhësit tanë. Ne kërkojmë që të mos e humbim një shans unikal për ta bërë këtë në Shqipëri. Partnerët e huaj në këtë projekt janë nga më të mirët e mundshëm në botë dhe janë të gatshëm për të na ndihmuar. Por dua të theksoj se nëse shqiptarët nuk do të lëvizin, atëherë mund ta humbim këtë partnership.
Sa të rrezikuara janë objektet nënujore nga shkatërrimi, vjedhja...?
Reliktet arkeologjike që po zbulohen dhe ato që nuk janë të zbuluara, janë gjithmonë të kërcënuara megjithëse fshihen në thellësitë e deteve. E para, janë të kërcënuara nga peshkatoret, të cilat duke gjuajtur me rrjeta që gërryejnë fundin e detit, shkatërrojnë të gjithë pasurinë që mund të ketë në anijet antike. E dyta dhe më e rëndësishmja, është kontrolli i shtetit ndaj hapësirës ujore të saj. Gjatë eksperiencës sime 4-vjeçare në këtë projekt, kam parë mjaft njerëz apo ‘ekspedita shkencore” që pa asnjë kontroll nga autoritetet shtetërore kryejnë zhytje në relikte historike dhe arkeologjike. Nuk dua të akuzoj njeri për vjedhje, por nëse këto zhytje bëhen pa miratimin e autoriteteve shtetërore, atëherë mund të ketë vend për abuzime. “Ekspeditat shkencore” duhen patjetër të jenë të autorizuara nga Ministria e Kulturës, si autoriteti i vetëm i menaxhimit të kësaj trashëgimie. Fatkeqësisht mjaft të huaj zhyten pa asnjë leje nga autoritetet shqiptare, duke krijuar premisa për abuzime. Ministria e Kulturës duhet të ketë politikën e saj edhe për Trashëgiminë Kulturore nënujore, aq më tepër që ka ratifikuar edhe Konventën e UNESCO-s për këtë gjë. Kam mjaft sinjalizime për ekipe të huaja që operojnë në territorin shqiptar, pa asnjë leje apo dijeni të MTKRS-së, apo autoriteteve shqiptare. Kjo lloj mendjemadhësie dhe injorimi të institucioneve shqiptare nga këta të huaj, qoftë edhe me mision në Shqipëri, tregon për një hipokrizi në kërkesat që i bëhen Shqipërisë për të qenë rigoroze në zbatimin e ligjeve. Në rastin konkret, janë këta të huaj që nuk pyesin asnjë autoritet shqiptar dhe nuk zbatojnë asnjë ligj për sa i përket Trashëgimisë Kulturore Shqiptare.
Përmendët dëshirën e ngritjes së një strukture muzeale në Shqipëri, është thjesht ide, apo ka diçka konkrete?
Kemi mbi dy vjet që i kemi propozuar MTKRS-së ngritjen e një muzeu të arkeologjisë nënujore në Kalanë e Ali Pashës, në Porto Palermo. Tashmë zbulimet në ujërat shqiptare janë mjaft të rëndësishme dhe të mjaftueshme për të filluar ngritjen e një muzeu, që do të ishte unikal në brigjet e Mesdheut. Deri më tani vetëm një muze, i tillë ekziston në Bodrum të Turqisë, i krijuar nga partneret tanë të Institutit të Arkeologjisë Navale nga Universiteti i Teksasit. Ky muze vizitohet nga 1.5 milionë njerëz në vit, duke paguar vetëm për hyrjen në të, 10 euro. Kështu që, përpos rëndësisë historike, kuptohet lehtë leverdia ekonomike që ka zona nga ky muze. Aq më tepër i vendosur në Kalanë e Ali Pashës, në Porto Palermo, do të sillte një interes shumë të madh për zonën e Himarës, duke detyruar vizitorët që të qëndronin për ta vizituar atë. Dua të theksoj se, që nga Butrinti e deri në Apolloni, nuk ka asnjë vendqëndrim historik për vizitorët që kalojnë në këtë zonë. Ky muze do t’i jepte një dinamikë tjetër kësaj zone, duke tërhequr vëmendjen, jo vetëm të turistëve, por do të sillte domosdoshmërinë e një zhvillimi të kontrolluar të zonës, duke frenuar ndërtimet e shëmtuara prej betoni. Krahas kësaj qendre të rëndësishme për historinë e brigjeve të Ilirisë dhe Epirit Antik, mund të krijohej edhe muzeu i Luftës së Ftohtë në ish- bazën e nëndetëseve në Porto Palermo.

Anastasi: Në rrezik vjedhjeje objektet e paiventarizuara
Mungesa e një ligji të qartë për Trashëgiminë Kulturore nënujore, vjedhja, mungesa e laboratorëve dhe specialistëve, janë disa problematika që shqetësojnë më së shumti arkeologjinë nënujore, sipas përgjegjësit të këtij sektori, pranë Institutit të Arkeologjisë, Adrian Anastasi. Sipas tij, ndonëse kemi nënshkruar Konventën e UNESCOS, për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nënujore, ende nuk kemi një organizëm të specializuar, që të drejtonte kërkimin dhe mbrojtjen e kësaj trashëgimie dhe në një të ardhme jo të largët të përgatiste një ligj (që mungon) në përputhje me konventën, por të përshtatur me kushtet e vendit tonë. Vjedhja sistematike e kësaj pjese të trashëgimisë, është një tjetër problem sipas Anastasit. “Pas vitit ’90, në gjithë vijën tonë bregdetare ka një vjedhje sistematike të pasurisë nënujore, që është e dallueshme në mënyrë skandaloze deri në thellësinë 15 m dhe në këto vitet e fundit po rrezikohemi që të përhapen edhe në thellësi më të mëdha”, thotë ai, teksa shton se ekziston rreziku i vjedhjeve të objekteve të një rëndësie të veçantë, që nuk rezultojnë të inventarizuara, apo të njohura. Shqetësues është mungesa e një laboratori konservimi dhe restaurimi për objektet nënujore. “Kjo ka penalizuar në mënyrë të veçantë grupet kërkimore shkencore në rikuperimin e disa objekteve kampione, për të thelluar njohjen e mëtejshme të zbulimeve, si dhe ka vonuar përgatitjet për realizimin për herë të parë në vendin tonë të një gërmimi arkeologjik nënujor”, thotë Anastasi. Ai thotë se në raste të veçanta është kërkuar mbështetja e shefit të Laboratorit të Konservimit dhe Arkeometrisë, Frederik Stamati, por edhe ky laborator së fundmi është mbyllur për konflikt pronësie. Në një kohë që vihet re edhe mungesa e specialistëve të rinj, pasi universitetet tona nuk nxjerrin të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›