Vajza në koma përmendet pas 3 ditësh
Dy të plagosurit rëndë nga aksidenti i të shtunës së javës që shkoi, të cilët ndodheshin në gjendje kritike për jetën, kanë dhënë dje shenjat e para të përmirësimit në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Për herë të parë pas tri ditësh, Arnisa Mustafa, e cila ndodhet në koma që pas aksidentit, ka lëvizur gjymtyrët e saj dje në spital. Mjekët thanë se lëvizja e gjymtyrëve të vajzës ka qenë spontane, por kjo jep shpresa të mëdha për reagimin e saj dhe më vonë për përmirësimin e gjendjes. Vajza 7-vjeçare, prej tri ditësh nuk ishte përmendur pasi u transferua me urgjencë me helikopter nga vendi i aksidentit në Fushë Arrëz, për në Spitalin Ushtarak, ku u vendos menjëherë nën kujdesin e mjekëve. E plagosura në moshë të mitur ndodhet ende në koma cerebrale, por mjekët janë shprehur se gjendja e saj është përmirësuar në krahasim me dy ditë më parë. Ditën e djeshme, mjekët kanë pohuar se ka pasur përmirësim edhe gjendja e 9-vjeçarit, Erikson Peraj, i cili është dashur të bëhet operacion në mushkëri për shkak të dëmtimeve të rënda që ka pësuar në aksident. Sipas bluzave të bardha, djali 9-vjeçar dje ka pasur përmirësim pasi nuk i janë shfaqur efektet e ndërhyrjes kirurgjikale me aparatin e frymëmarrjes dhe me temperaturë të lartë. Për 9-vjeçarin fillimisht është menduar të dërgohej në sanatorium, për shkak të problemeve me mushkëritë, por më pas u vendos që trajtimi i tij mjekësor të bëhej në Spital Ushtarak. Ndërkohë pacientja e tretë, grua anëtare e familjes Mustafa, e cila dy ditë më parë realizoi një ndërhyrje kirurgjikale në të dyja këmbët, ka pasur edhe ajo përmirësim ditën e djeshme. Pacientja është nxjerrë nga reanimacioni dhe është vendosur në pavijon, ku po mbahet nën kujdesin e mjekëve të Spitalit Ushtarak. Dy ditë më parë, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, ishte për vizitë ngushëllimi në familjet Paloka, Gjoni dhe Marku në Komunën Gjegjan të Pukës dhe tek familja Mustafa në Fushë-Arrëz, të gjitha të dëmtuara nga aksidenti i rëndë që ndodhi javën e kaluar. Ministri u bëri të ditur familjarëve të viktimave të autobusit që u rrëzua me 26 pasagjerë, se me porosi të Kryeministrit Berisha është përgatitur dhe do të miratohet nga Qeveria vendimi për mbështetjen financiare për familjet e viktimave të aksidentit.
Ekspertët kanë dyshime për problem teknik në autobus
TIRANE - Ekspertët e licencuar autoteknikë kanë dyshime se autobusi që transportonte 26 persona, të shtunën e javës së kaluar, në drejtim të Fushë Arrëzit, ka pasur probleme teknike që mund të kenë shkaktuar aksidentin. Sipas specialistëve të aksidenteve rrugore, shenjat e dukshme të frenimit në rrugë për të paktën 5 metra, tregojnë se drejtuesi i autobusit, Zef Gjergji, ka qenë i vetëdijshëm në momentet e para se mjeti po dilte nga rruga për të rënë në greminën 30 metra. Ekspertët autoteknikë kanë dyshime mbi deklaratat e policisë të bëra pas aksidentit, se autobusi ishte i rregullt, pasi sipas tyre, pas një tronditje e shtypje të tillë është shumë e vështirë të ekzaminohet gjendja e mjetit. Sipas specialistëve, derisa ka frenuar për disa metra, në kthesën që duhej të merrte djathtas, shoferi ka qenë i vetëdijshëm dhe ka reaguar, por mesa duket diçka në sistemin e drejtimit nuk ka funksionuar.