E Diel, 1 Nëntor 2026

Elvana Gjata ‘djeg’ Tiranën

Kudo që jam, ndizet toka si vullkan”, thotë Elvana Gjata në një prej këngëve të saj më të njohura. Fakt, që na rezulton të jetë i vërtetë, sidomos tani, pas performancës së saj në Tiranë gjatë javës së shkuar. Elvana i tregoi të gjithë publikut kryeqytetas se është një artiste e vërtetë, që di të bëjë show e të këndojë ‘live’. Ylli i  skenave muzikore, këndoi për më shumë se tri orë këngët e saj më të njohura, në shumicën prej të cilave i mbante iso publiku. 

Mbrëmja e çmendur në “Dream City” erdhi si një bashkëpunim mes “Nrg Night”, “Orange” dhe “Threedots”. Suporti i Elvanës në këtë mbrëmje ishte Dj Andy Gramm, por nuk i shpëtoi syrit tonë as producenti Flori Mumajesi, i cili qëndronte në anën tjetër të sallës, për të kontrolluar vetë gjithçka.  Elvana u shfaq e veshur me një badi, të dizenjuar nga stilisti Ardi Asllani, ndërsa për dukjen e saj ishte kujdesur Lili Ismaili. 

Gjatë asaj mbrëmjeje këngëtarja prezantoi për herë të parë bashkëpunimin me Mn Kreshën – 1990, si dhe këndoi për herë të parë versionin remiks të këngës "Beso”. Mes publikut të zjarrtë të kryeqytetit kishte edhe mjaft personazhe publike, si: Besa Kokëdhima, Evi Reçi, Klajdi Haruni etj... Disa nga fotot e së premtes po i sjellim ekskluzivisht sot, për të parë edhe ata që s’ishin se çfarë ka bërë Elvana atë natë.
(e.m/Bluetooth/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›