E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhanfize Keko: Pesë pengjet e mia

Pylli i dendur dhe i bukur i artistëve të brezit tim, ka vite që po rrallohet. Nuk janë më mes nesh... aktorët Loro Kovaçi, Marije Logoreci, Kujtim Spahivogli, Pandi Raidhi, Kadri Roshi, Sandër Prosi, Thimi Filipi, Naim Frashëri, Violeta Manushi, Pjetër Gjoka, Sulejman Pitarka, Prokop Mima, Dhorkë Orgocka, Ndrek Luca, Bexhet Nelku, Violeta Dede, Jani Riza, Marta Burda, Nikolin Xhoja, Mihal Stefa, Ilia Shyti, Serafin Fanko, Agim Shuke, Vangjush Furxhi, Stavri Shkurti... regjisorët Gëzim Erebara, Viktor Stratobërdha, Ilo Pando, Shkëlzen Shala, Adriana Elini... operatorët Hamdi Ferhati, Pashko Çomo, Sokrat Musha, Diana Diamanti... skenaristët Peçi Dado, Llazar Siliqi, Sofokli Afezolli, Bedri Dedja, Vath Koreshi, Muharrem Skënderi, Anastas Kondo... kompozitorët Gjon Simoni, Nikolla Zoraqi, Çesk Zadeja, Kujtim Laro, Fehim Ibrahimi, Tish Daija, Ferdinand Deda... të cilët me krijimtarinë dhe kontributin e tyre, i bëjnë nder ekranit shqiptar.

E, megjithëse kujtimet janë pjesë e rëndësishme e jetës, në se rrojmë vetëm me to, atëherë nuk jetojmë... Jeta duhet jetuar. Ja pse dhe unë përpiqem ta jetoj. Brenda ligjësive të saj, dita ime fillon me pirjen e ilaçeve dhe mbaron me pirjen e ilaçeve. Pastaj, sipas radhës së veprimeve, më duhet të pi kafen e mëngjesit, të ha mëngjes, të gatuaj, të pastroj, të ble ndonjë gjë që më vete mendja aty përreth shtëpisë, të pres postierin të më sjellë pensionin, të paguaj dritat, të takoj shoqet, të lexoj një nga gazetat e ditës, të shoh televizor kur ka drita, të dal kur nuk dua për të mos ndejtur brenda pa drita, të shfletoj ndonjë libër, të ha drekë, të çlodhem, të flas në telefon me miq e të afërm, të shkoj në një aktivitet a premierë, të numëroj dhe sa ditë kanë mbetur derisa të vinë e takohem me nipërit dhe mbesën, të bisedoj me pjesëtarët e shtëpisë, të përcjell nga kjo botë njerëz që i kam dashur e më kanë dashur, të ha darkë, të sistemoj kujtimet...

E shikoni sa të ngarkuar e kam ditën unë, regjisorja Xhanfise Keko, sot, në prag të të tetëdhjetave?!

Pastaj, kur shtrihem për të fjetur, si gjithë moshataret e mia, edhe unë, shpesh herë dialogoj me veten...

E fillova këtë punë për t‘iu shërbyer fëmijëve, të cilët i desha shumë e jo të merrja tituj e çmime, pasi për pjesëmarrje nëpër festivale as më shkonte në mendje.

Bota e fëmijëve është magjike. Por, të merresh me fëmijët duhet, e para dhe e fundit, t‘i duash fëmijët. Pastaj, duhet të kesh dëshirën të mendosh e punosh për ata, duhet të kesh aftësinë t‘i kuptosh ata, duhet të dish të ndërtosh marrëdhënie me ata, duhet t‘i respektosh në se do të të respektojnë ata, duhet të mendohesh mirë në se vendos të përballesh me ata, duhet të kesh takt në se do që të të pranojnë ata, duhet të kesh durim të madh në se do të bashkëbisedosh deri në fund me ata, duhet të kesh urtësinë t‘i dëgjosh ata, duhet të kesh nerva të forta për të pranuar sfidat e moshës së tyre.

Është e vështirë t‘i bësh për vete, por jo e pamundur. Në trembëdhjetë vite pune me fëmijët dhe pranë fëmijëve, kam parë dhjetëra mijëra fëmijë, kam fotografuar mijëra fëmijë, kam provuar qindra fëmijë, për të zbuluar dhjetëra talente që fshiheshin mes tyre. Duke bërë bilancin e kësaj pune më rezulton se, në dymbëdhjetë filma, kam aktivizuar rreth gjashtëdhjetë fëmijë në role të ndryshme, njëri më i talentuar se tjetri. Pse ta fsheh, të gjithë këta fëmijë më kanë lodhur shumë, por në të njëjtën kohë më kanë sjellë dhe shumë gëzime. Ja pse vazhdoj t‘i dua të gjithë njësoj, ashtu si ditën e parë kur i kam njohur.

Sot, sinqerisht më vjen keq që Genci Mosho, Zhaklina Dhimojani apo Saimir Koka nuk u bënë dot aktorë, pasi mund të ishin bërë aktorë shumë të mirë, ashtu siç u bënë Herion Mustafaraj apo Enea Zhegu.

Edhe pse më vjen keq, nuk ndihem e trishtuar që pjesa më e madhe e fëmijëve me të cilët punova, nuk u bënë dot aktorë.

Për hir të së vërtetës, jo çdo fëmijë i talentuar mund të bëhet aktor vite më pas. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se, nga fëmijëria njeriu ndryshon shumë. Kështu, ka fëmijë që të befasojnë me interpretimin e tyre të sinqertë për sa kohë shfaqin në ekran botën dhe psikologjinë e tyre, por kur rriten, ata mund të të zhgënjejnë. Të mos harrojmë, ndryshimi i moshës bën që atyre t‘iu ndryshojë zëri, të mos jenë më të vëmendshëm dhe të sinqertë apo të mos bartin dot psikologjinë e figurës që u kërkohet të interpretojnë.

Dhe atëherë, sa të bëhen aktorë të këqij, më mirë të mbeten në mendje me kujtimin e bukur të fëminisë. Shpesh, duke ndjekur filmat që kam realizuar në kanale të ndryshme televizive, më merr malli për të vegjlit e mi që sot janë rritur dhe, sa herë kujtoj ata, aq herë mendoj sa bukur do ishte t‘i shihja e dëgjoja pas kaq vitesh, duke komentuar ngjarjet, situatat, fenomenet, marrëdhëniet, bisedat, detajet, atmosferën... Çdo gjë të asaj kohe. Pastaj kujtohem për ëndrrën e parealizuar në vite që t‘i takoj edhe një herë sot të gjithë, ashtu si shumë vite më parë kur i takova për të bërë një fotografi së bashku. Do ishte shumë bukur, edhe pse e di që është e pamundur. Sot, shumë prej tyre jetojnë jashtë... Herion Mustafaraj, Rubin Pitarka, Saimir Koka, Selma Sotirllari, Gentian Basha në Amerikë, Kristaq Burdhima në Izrael, Zhaklina Dhimojani, Anila Kardhashi, Aurora Kati në Itali, Ilir Çelia, Alket Mato, Juna Tomorri në Gjermani. E vetmja gjë që më mbetet, në pritje për t‘i takuar e çmallur kur kthehen me pushime në Shqipëri, është të ruaj kontaktet.

Duke u kthyer te koha kur të gjithë këta ishin fëmijë dhe unë e zonja për të punuar, kujtoj se...

Filmat e parë i realizova vetëm falë dëshirës dhe pasionit për të bërë film, pasi më mungonte krejtësisht eksperienca në filmin artistik aq sa mund të them, nuk dija ku isha vetë pa le më të organizoja sheshin e xhirimit dhe të punoja me aktorët fëmijë e të rritur. Më pas, në çdo hap të krijimtarisë sime, duke nisur nga filmi "Mimoza llastica" deri tek filmi "Taulanti kërkon një motër", kam punuar duke mbajtur në dorë skenarin të mbushur me shënime dhe në mendje "çelësin" e suksesit të një regjisori që punon me fëmijë ... "të ruaj sinqeritetin dhe natyrshmërinë e fëmijëve duke krijuar tipa e karaktere që mbahen mend dhe të sinkronizoj në një të vetëm sinqeritetin dhe natyrshmërinë e fëmijëve me interpretimin e aktorëve profesionistë"...

E kam thënë edhe diku. Për një regjisor që punon me fëmijë, dy janë momentet më të rëndësishëm dhe vendimtarë në procesin krijues; gjetja e skenarit brenda psikologjisë dhe botës së fëmijëve dhe gjetja e fëmijëve në përshtatje me rolet e vizatuar në skenar.

Në një skenar për fëmijë, ngjarjet duhet të jenë të besueshme dhe personazhet duhet të jenë të vërtetë. Vetëm kur materiali letrar është i mbushur me jetë e vërtetësi, aktori i vogël gjen vetveten, i punon fantazia dhe shpalos botën e tij. Kur skenari është i stisur, ti mund t‘i flasësh sa të duash e t‘ia shpjegosh sa herë të duash skenën fëmijës që mendon se po të shikon e dëgjon me vëmendje... Në fakt, ai as të ka parë, as të ka dëgjuar. Madje, nuk është çudi të ndodhë edhe që të të thotë pa më të voglin problem ..."nuk xhiroj, se ne nuk flasim kështu"...

Që të ndodhë kjo, kërkesat e regjisorëve ndaj skenarëve për fëmijë duhet të jenë edhe më të mëdha e të larta nga ato të filmave për të rritur, dhe skenarët e filmave për fëmijë duhen shkruar detyrimisht, jo vetëm nga shkrimtarët më seriozë, por dhe shkrimtarët që e njohin më mirë dhe më thellë botën e fëmijëve. Sot, dikush mund të mos e besojë, por, në bashkëpunimin tim me shkrimtarët Bedri Dedja, Nasho Jorgaqi, Kiço Blushi, Flamur Topi, Skifter Këlliçi, Anastas Kondo, Shpresa Vreto, Bashkim Hoxha, Natasha Lako apo skenaristët Nexhati Tafa, Peçi Dado e Muharrem Skënderi, unë jam udhëhequr nga mendimi se, mirëkuptimi me autorin e skenarit është shumë i rëndësishëm për fatet e bashkëpunimit dhe se pa mirëkuptim nuk mund të bashkëpunohet.

Nga ana ime jam përpjekur dhe kam bërë ç‘është e mundur që ky mirëkuptim të ekzistojë. Duke u rikthyer në vite, dhe pse gjatë shkrimit të skenarëve apo gjatë xhirimit të filmave kemi pasur mendime të kundërta, kemi debatuar gjatë, kemi ngritur zërin apo kemi ndërprerë punën, më rezulton se edhe autorët e skenarëve kanë bërë të njëjtën gjë si unë. Dhe në fakt, mirëkuptimi mes nesh ka ekzistuar.

Sigurisht, jo me të gjithë. Ka pasur edhe raste kur ky mirëkuptim nuk ka funksionuar dhe bashkëpunimi ka dështuar. Atëherë, unë ose jam larguar paqësisht e pa zhurmë nga bashkëpunimi, ose kam kërkuar ndihmën dhe bashkëpunimin me një person të tretë për të mos e braktisur skenarin.

Po kaq i rëndësishëm dhe vendimtar në procesin krijues sa dhe i pari, gjetja e skenarit brenda psikologjisë dhe botës së fëmijëve, mbetet dhe gjetja e fëmijëve në përshtatje me rolet e vizatuar në skenar.

Cilët do të jenë aktorët e vegjël?! Kjo pyetje më se normale për një krijues të shqetësuar, të zgjon çdo mëngjes dhe të le pa gjumë çdo natë, deri sa të vendosësh. Nëse aktorët profesionistë i njeh nga aktiviteti i tyre dhe e ke më të lehtë të përcaktosh disa kandidatura për një rol, me të vegjlit nuk ndodh kështu.

Fëmijët duhet t‘i kërkosh në shkolla, rrugë, kopshte.

Fëmijët duhet t‘i vëzhgosh me orë e ditë të tëra si hanë, si flenë, si luajnë, si zihen, si qajnë, madje dhe si flasin njëri me tjetrin apo me të rriturit. Së fundi, për sa kohë ata janë tipa të ndryshëm e kanë karaktere të ndryshme, nuk mund të pretendosh që fëmijët t‘i tregojnë menjëherë dhe shpejt aftësitë e tyre. Ka nga ata fëmijë që vinë me qejf në prova, por që pa filluar mirë nga puna e krejt papritur ia shkrepin të qarit, ka nga ata fëmijë që nuk duan të provohen si shokët dhe në prezencë të shokëve, ka nga ata fëmijë që mërziten shpejt në se u flet me ton apo pa takt, ka nga ata fëmijë që janë të lëvizshëm dhe tregohen indiferentë ndaj fjalëve të tua. Me të gjithë këta tipa "të vështirë" duhet bërë kujdes pasi, nga padurimi mund të të ikë nga duart një talent i vërtetë. Ja pse, jo vetëm në fazën përgatitore por dhe gjatë xhirimit të filmave, unë nuk ua kam ndarë sytë për asnjë çast fëmijëve dhe jam munduar të vëzhgoj gjithçka ndodhte brenda tyre e rrotull tyre. Nuk është ndonjë sekret që, në punën time nuk më ka pëlqyer kurrë të shihja fëmijët që më sillnin për role të ndryshëm në atelietë e Kinostudios asistentë regjisorët e mi... Besim Kurti, trupmadh e me mustaqe, që kur e pashë për herë të parë në grup, thashë me vete, "ky do të m‘i trembë fëmijët", por në fakt ishte krejt i kundërt në punë e marrëdhënie me të tjerët nga çka tregonte fiziku i tij... Drita Koçi, e ëmbël si një fëmijë, e dashur me fëmijët dhe punëtore e palodhur... Albert Xholi, edhe pse me qetësinë e tij e kishte të vështirë të merrej drejtpërdrejt me fëmijët, i saktë në detyrat që i ngarkoheshin për të zgjidhur... Esat Ibro, i vëmendshëm për çdo gjë dhe i papërtuar të ndihmonte në zgjidhjen e situatave të vështira në xhirim... Neriman Resuli, e zonja të krijonte kudo dhe kurdoherë atmosferë mes fëmijëve dhe grupit... Liri Brahimi, e avashtë si natyrë por njeri shumë i mirë... Flamur Koçi, ndoshta më i dashuri për fëmijët nga asistentë regjisorët që kam punuar...Eduard Makria, serioz e i vëmendshëm të përfitonte edhe së largu në sheshin e xhirimit...Edhe pse i doja e i vlerësoja këta njerëz të mrekullueshëm për punën e ndihmën që më jepnin, në këto raste asnjëherë nuk jam ndjerë e qetë. Ndaj, në mirëkuptim të plotë me ta, operatorët e piktorët me të cilët punova, kam kërkuar e këmbëngulur që fëmijët t‘i shihja e gjeja aty ku jetonin, pasi vetëm aty do mund të zbuloja aftësitë dhe të veçantat e karakterit të gjithsecilit prej fëmijëve.

Fatmirësisht, lidhur me këtë çështje kaq delikate dhe në të njëjtën kohë kaq të rëndësishme për procesin krijues, nuk kam ndërruar mendje as sot. Shpesh, në biseda apo intervista të ndryshme, veçanërisht këto dhjetë vitet e fundit, gazetaret Jerina Zaloshnja, Aida Tuci, Zefina Hasani, Kozeta Mamaqi, Denisa Kona, Brunilda Merko, Fatiola Kurteshi e Migena Hoxhalli me të cilat tashmë jam miqësuar, më kanë pyetur ndër të tjera dhe... "çfarë metode pune ke përdorur me fëmijët"...

Dhe unë, nisur nga eksperienca personale e punës gjatë atyre viteve, u jam përgjigjur vetëm me një frazë... "kam përdorur metoda pune të ndryshme, pasi edhe ata kanë qenë të ndryshëm njëri nga tjetri...

Sot, po shtoj se, nga kjo metodë pune nuk kanë bërë përjashtim as dy fëmijët e mi. Nisur nga fakti që ata kanë qenë të ndryshëm, për shumë vite kam qenë e detyruar të përdor metoda të ndryshme komunikimi.

Kështu pra, fëmijët që fitonin kinoprovat, nga ai moment ishin objekt i vëzhgimit tim të gjatë dhe nga afër, derisa, karakteristikat e tyre dhe mendimet e mia i konsultoja më pas me familjet, mësueset apo edukatoret, me specialistë të fushës së pedagogjisë e psikologjisë, dhe në fund, i hidhja në skedat personale të fëmijëve me të cilët po filloja punë për t‘i pasur parasysh në çdo moment gjatë xhirimit.

Pas këtij momenti njohjeje nga ana ime, pas vendosjes së marrëdhënieve shumë të afërta mes meje e tyre, pas një pune të përbashkët me shumë përkushtim e dashuri, nuk mund të mos vinte suksesi.

Unë jam e lumtur sot pasi këta fëmijë më kanë dhënë shumë kënaqësi në jetë, më kanë bërë të njohur nga gjithë njerëzit, më kanë vlerësuar nga shteti, më kanë nderuar me çmime, brenda e jashtë Shqipërisë. Por, jo vetëm mua. Edhe kolegët e mi Dhimitër Anagnosti, Hysen Hakani, Fehmi Oshafi apo Spartak Pecani, tashmë e kanë provuar kënaqësinë e punës me fëmijë dhe kënaqësinë e suksesit nga filmat për fëmijë.

Në të njëjtën kohë, po kaq e lumtur jam sot edhe që fëmijët kanë qenë dhe mbetën kritikët më të ashpër dhe më të sinqertë të filmave të mi.

Është rasti këtu të them se, në jetën time artistike, më shumë se mendimi kritik i estetëve të kinemasë, mua personalisht më ka interesuar mendimi i fëmijëve. E thënë ndryshe, gjithnjë kam menduar se për një krijues që e do vërtet filmin për fëmijë, mendimi i fëmijëve, këtyre spektatorëve të ashpër, mbetet vendimtar.

Pse ta fsheh, ndryshe nga kritikët e filmit apo dhe kolegët e filmit, fëmijët kanë qenë më të sinqertë, më të vërtetë, më dashamirës e më të ashpër me realizimet e mia. Kjo gjë mua më ka pëlqyer dhe më ka lumturuar nga filmi në film. Askush nuk mund të mos jetë dakord me mua për sa thashë më lart, në se ndan të njëjtin mendim lidhur me atë që, fëmijët janë armiqtë më të mëdhenj të falsitetit.

Ndodh jo rrallë të takoj miq të filmit. Më të shumtit më pyesin me dashamirësi kur do t‘i kthehem filmit e nëse kam ndonjë plan. Por, ndodh që ndonjë më pyet edhe ku kam qenë, pasi nuk më kanë parë në aktivitete protokollare. Të parët, për të mos i mërzitur e mos prishur kënaqësinë e takimit, detyrohem t‘i "gënjej" dhe t‘u "premtoj"... "shumë shpejt do kthehem e do xhiroj një film"... Të dytit, i përgjigjem... "protokolli i popullit mos më harrojë mua se, sa për protokollin zyrtar, edhe kur më thërrisnin dikur, ose mezi shkoja, ose nuk shkoja fare"...Sot, pas kaq vitesh mendoj se, lidhjet e mia me njerëzit e thjeshtë, mësueset, edukatoret, kanë qenë të bukura, të forta, të sinqerta, prandaj edhe filmat për fëmijë janë të vërtetë dhe vazhdojnë të shihen me ëndje. Sot, pas kaq vitesh mendoj se, të gjithë së bashku, ne kemi pasur vetëm një qëllim në jetë, të rritim një brez të ri, të bukur, të edukuar e të mençur që t‘i shërbejë nesër Shqipërisë tonë.

Për afro dyzetë vjet, unë dhe kolegët e mi Hysen Hakani, Todi Bozo, Vitori Çeli, Kristaq Dhamo, Gëzim Erebara, Ismail Zhabjaku, Dhimitër Anagnosti, Spartak Pecani, Fehmi Oshafi, Besim Kurti, Drita Koçi, Piro Milkani, Gavrosh Haxhihyseni, Eduard Makria, Artan Minarolli, bëmë sa mundëm për fëmijët tanë. Po përpiqem t‘i radhis sipas viteve.

Fatmirësisht, i pari film për fëmijë apo që pati në qendër të ngjarjeve të tij një fëmijë, është filmi i parë shqiptar, "Fëmijët e saj", realizuar nga regjisori Hysen Hakani në vitin 1957. Më pas u realizuan... 1961 - "Debatik", 1970 - "Lugina e pushkatarëve", 1971 - "Mëngjese lufte", 1971 - "Guximtarët", 1971 - "A,B,C... Zh", 1972 - "Kryengritje në pallat", 1973 - "Mimoza llastica", 1974 - "Qyteti më i ri në botë", 1975 - "Beni ecën vetë", 1975 - "Lumë drite", 1976 - "Lulëkuqet mbi mure", 1976 - "Tingujt e luftës", 1977 - "Tomka dhe shokët e tij", 1978 - "Pas gjurmëve", 1979 - "Në shtëpinë tonë", 1979 - "Balonat", 1980 - "Një gjeneral kapet rob", 1980 - "Partizani i vogël Velo", 1981 - "Shoku ynë Tili", 1981 - "Kur xhirohej një film", 1982 - "Një ditë e pushimeve", 1982 - "Një vonesë e vogël", 1983 - "Fraktura", 1984 - "Taulanti kërkon një motër", 1985 - "Mondi dhe Diana", 1986 - "Një jetë më shumë", 1986 - "Gabimi", 1989 - "Djali elastik". I fundit film për fëmijë është "Plumbi prej plasteline", realizuar nga regjisori Artan Minarolli në vitin 1995.

Tani është radha e shtetit të mos e lerë filmin për fëmijë të vdesë dhe e regjisorëve të rinj të provojnë. Jam e bindur se, në Akademinë e Arteve dhe Akademinë e Filmit "Marubi", ka plot djem dhe vajza të talentuar që mund dhe duhet të nxiten e stimulohen për t‘u marrë me filmin për fëmijë. Më pas, në se një ditë ata do arrijnë ta prekin kënaqësinë e punës me fëmijë, me eksperiencën time i siguroj këta të rinj se, nuk do të largohen më prej tyre. Ja, këto mendoj sot, që jam e shkëputur fizikisht nga ai art, që e desha aq shumë dhe shpirtërisht nuk më braktisi kurrë. Dhe, nuk jam penduar kurrë për zgjedhjen që bëra në jetë. Filmi për fëmijë është dhe mbetet një nga dashuritë e mia më të mëdha.

Ja dhe pengjet e artistes...

Pengu i parë...Të xhiroja një film me skenar të djalit tim, Teodorit. Më vjen shumë keq që, edhe kur e binda dhe ai e shkroi skenarin, unë nuk munda ta realizoj.

Pengu i dytë...Të xhiroja një film me temën e adoleshencës. Edhe pse filluam nga puna me Natasha Lakon, ky skenar nuk mundi të përfundojë asnjëherë.

Pengu i tretë...Të xhiroja një film në Gjirokastrën time të magjishme. Edhe në një rast kur kjo ëndërr gati u bë realitet, për fatin tim të keq, ajo mbeti vetëm ëndërr.

Pengu i katërt...Të xhiroja një herë me aktorët e mrekullueshëm Sandër Prosi e Tinka Kurti. Gjithmonë do të më vijë keq që kjo dëshirë imja në vite u kthye në peng.

Pengu i pestë...Të xhiroja një film me temë dite pas viteve ‘90. Veç dëshirës për t‘u kthyer në kinema, edhe për të provuar veten, a mund të krijoj dot pa autocensurë dhe censurë.

Një dedikim për regjisoren nga fëmijët...

Xhanfise Keko do të mbetet "Zonja e madhe e filmit", siç e ka përcaktuar me të drejtë një gazetare regjisoren e shquar të filmit shqiptar, sepse ajo iu përkushtua fëmijëve dhe krijoi me fëmijët e për fëmijët, si askush tjetër. Të bëheshe pjesë e filmave të saj ishte një privilegj të cilin e kupton sa më shumë kalojnë vitet por, "teta Xhano" - kështu na ka pëlqyer ta thërrasim gjithnjë, do të mbetet veç të tjerash dhe "nëna jonë shpirtërore", pasi ajo na bëri të ndiheshim njerëz me personalitet që kur ne ishim ende fëmijë dhe nuk e dinim se çfarë ishte personaliteti dhe sa i rëndësishëm ishte dhe mbetet ai në jetën e njeriut. Kjo Zonjë që sot na mungon të gjithëve, meriton shumë më tepër se këto radhë për çfarë na dha e çfarë na mësoi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›