E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndahet nga jeta njeriu që zbardhi "Votergejtin"

Mark Felt, numri dy i FBI-së në kohën kur Presidenti amerikan Riçard Nikson, përfshihej në skandalin e "Votergejtit", njëherësh i futur në histori si burimi anonim më i famshëm në historinë amerikane, vdiq të enjten në moshën 95-vjeçare.

Në vitin 2005, Felt pranoi se kishte qenë njeriu që furnizoi në fshehtësi gazetarin Bob Uduard të "The Washington Post" me të dhëna mbi skandalin "Votergejt". Vendimi i tij për të zbuluar veten i dha fund një loje hamendësimesh që zgjaste prej tridhjetë vjetësh. Zbulimi i kësaj të vërtete la pa fjalë edhe gazetarët që e bënë publike këtë skandal të pazakontë, Bob Uduard, dhe kolegun e tij, Karl Bernshtein. Që të dy iu përmbajtën deri në fund premtimit për të mbajtur të fshehtë identitetin e burimit të tyre, deri pas vdekjes së tij. Në të vërtetë Uduard nuk i kishte treguar as Bernshteinit për Feltin gjatë gjithë këtyre viteve. Të tre u takuan para një muaji në Santa Roza, ku Felt banoi pas daljes në pension.

Felt luajti rol të dyfishtë në rënien e Niksonit. Si burim i fshehtë, mbajti gjithë historinë gjallë në shtypin amerikan. Si drejtor i asociuar i FBI-së, luftoi kundër përpjekjeve të Niksonit për ta bllokuar hetimin e nisur nga kjo agjenci. Ka shumë të ngjarë që pa Feltin "Votergejti" të mos kishte shpërthyer kurrë - nuk do të ishte mësuar abuzimi me pushtetin presidencial në Shtëpinë e Bardhës të Niksonit, përfshi regjistrimet e fshehta, korrupsionin dhe pastrimin e parave.

Ashtu si Nikson, Mark Felt autorizoi përgjime ilegale në emër të sigurisë kombëtare për t‘u shfajësuar më pas përmes një faljeje presidenciale. Jetët e të dyve, Feltit dhe Niksonit, qenë ngërthyer në rrugë, të cilat i njihnin shumë pak individë. Niksoni e mallkoi me emër në çastin kur iu raportua se ishte Felti ai që furnizonte me të dhëna armiqtë në luftën që sot njihet si "Votergejt". Biseda në fjalë, e zhvilluar në zyrën ovale, u regjistrua dhe më pas u bë publike.

"E dimë çfarë informacionesh kanë dalë dhe kush i ka nxjerrë", i tha Niksonit shefi i stafit presidencial H. R. Haldeman më 19 tetor të vitit 1972. "Dikush nga FBI-ja?" - pyeti Niksoni. "Po, zotëri", u përgjigj Haldemani. Kush, pyeti Presidenti? "Mark Felti", u përgjigj Haldemani. "Po përse dreqin e ka bërë këtë?" - tha Presidenti me një ton të dorëzuar.

Askush, përfshi edhe vetë Feltin, nuk i dha ndonjëherë përgjigje kësaj pyetjeje. Më pas Felti tha se Presidenti po e keqpërdorte FBI-në për përfitime politike. Ai e dinte që Niksoni kishte ndër mend ta linte në hije çështjen e "Votergejtit". E dinte se CIA kishte marrë urdhër ta ndalonte gjithë këtë katrahurë, por e konsideroi si shkelje të drejtësisë dhe nuk pranoi që çështja të mbyllej. Ishte pikërisht këmbëngulja e tij që shpuri në dorëheqjen e Niksonit.

Mark Felt shpresoi se do të ishte ai vetë njeri që do të pasonte Edgar Huverin pas vdekjes në postin e numrit një të FBI-së, por Niksoni në vend të tij zgjodhi një njeri besnik, Patrik Grei, i cili mori urdhër të shkatërronte dokumentacionin mbi çështjen "Votergejt".

Kjo zgjedhje e zemëroi pa masë Feltin. Ai shkroi më pas se Presidenti i ri donte "një politikan në postin e Huverit, në gjendje të kthente FBI-në zgjatim të Shtëpisë së Bardhë".

Ndërsa skandali ishte në kulm, Felt autorizoi nëntë përgjime të paligjshme në shtëpitë e miqve e familjarëve të njerëzve të përfshirë në "Votergejt". Fakti është që asnjë prej tyre nuk kishte kryer ndonjë krim dhe FBI-ja nuk ishte e autorizuar për përgjimet, më pas shpjegoi se i kishte urdhëruar për hir të sigurisë kombëtare. Në nëntor të vitit 1980 u përball në gjykatë me akuzën e shkeljes së një të drejte kushtetuese të amerikanëve. Në gjyq dëshmoi edhe Niksoni. Felt u shfajësua, duke i thënë jurisë se presidentët, për rrjedhojë edhe vartësit e tyre, kishin të drejtë të autorizonin përgjime në emër të sigurisë kombëtare.

Shtatë muaj pas dënimit, Felt u fal nga Presidenti Ronald Regan, vendim të cilin 67-vjeçari e konsideroi me vlerë shumë të rëndësishme simbolike. Pas kësaj Niksoni i dërgoi një shishe shampanjë në shenjë urimi.

William Mark Felp lindi në Idaho më 17 gusht të vitit 1913. Pas diplomimit nisi punë si asistent i një senatori demokrat nga ky shtet. Pak ditë para sulmit në Përl Harbor, pasi kishte mbrojtur gradën shkencore në jurisprudencë, aplikoi për t‘u punësuar në FBI, ku u pranua në vitin 1942. Pas disa vitesh punë në Siatëll dhe Los Anxhelos, Huveri e emëroi në vitet pesëdhjetë shef të agjentëve specialë në Solt Leik Siti dhe Kansas Siti. Në rangjet e larta të byrosë u ngjit në vitet gjashtëdhjetë, me detyrën e mbikëqyrjes së trajnimit të agjentëve të FBI-së dhe duke kryesuar komisione hetimi si shef i departamentit të inspektimit.

Në fillim të viteve shtatëdhjetë, në një prej paradhomave të Shtëpisë së Bardhë takoi një oficer marine, që po i dorëzonte stafit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë mesazhe të klasifikuara. Oficeri i ri me veshje blu ishte Bob Uduard.

Në korrik të vitit 1971, Huveri e caktoi Feltin në postin e zëvendësdrejtorit të asociuar, i treti në rangun komandues të FBI-së, nën urdhrat e Klaid Tolson, i besuari i Huverit. Të dy superiorët kishin probleme serioze shëndetësore, kështu që Felp arriti të kishte gjithnjë e më shumë nën kontroll të gjitha strukturat e FBI-së. Kur Huveri vdiq dhe Tolsoni doli në pension, e pa të pastër rrugën drejt postit të drejtorit të agjencisë. Por Niksoni e refuzoi, gjë që e zemëroi pa masë.

Një mbrëmje vere të këtij viti, Udman, i cili kishte nisur në atë kohë të hidhte hapat në gazetari, trokiti në derën e Uduardit në kërkim të informacioneve mbi skandalin e "Votergejtit". Felt pranoi të bashkëpunonte dhe përdori teknika të mirëfilltë spiunazhi për t‘u takuar me gazetarin.

Në rast se Uduard kishte nevojë të bisedonte, do të vendoste një vazo me një flamur të kuq në ballkonin e apartamentit të tij. Në rast se Felt kishte ndonjë mesazh, gazeta "The New York Times" do t‘i mbërrinte në shtëpi Uduardit me një shenjë me bojë në faqen 20. Pastaj do të ndërronte dy taksi dhe do takoheshin në parkimin e nëndheshëm të një hoteli.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›