Një takim për "Kadarenë e rilexuar"
Ismail Kadare dhe krijimtaria e tij letrare, e parë nën një gjykim kritik, është objekti i studimit të Behar Gjokës i titulluar "Kadare i rilexuar". Botimi, i cili prej pak kohësh ka dalë në treg, do të promovohet sot, në orën 11:00, në katin e dytë të hollit të Teatrit të Operës dhe Baletit. Promovimi është konceptuar më shumë si një takim me studiues dhe lexues për të diskutuar mbi këtë qasje kritike ndaj veprës së shkrimtarit të njohur. "Rimarrja e veprës së Ismail Kadaresë, si lexim dhe rilexim, natyrisht e krijimtarisë së të dyja periudhave, para dhe pas viteve ‘90, bëhet e pashmangshme sidomos në situatën e verifikimit të teksteve letrare, tashmë vetëm si shenjëzim artistik dhe tregues estetik, duke mënjanuar joletraren në interpretimin dhe shqyrtimin e krijimtarisë së shkrimtarit", shprehet Gjoka.