E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa UEFA, Cana kundër Tventes

Lorik Cana do të vazhdojë të mbajë lart "flamurin shqiptar" si i vetmi futbollist shqiptar, i cili militon ende në kupat e Evropës. Ndërsa do të jetë Tvente, pengesa e radhës për Olimpik Marsejën e tij, në rrugën drejt realizimit të objektivit, fitimit të Kupës UEFA. Ky ka qenë verdikti i shortit të hedhur dje në Nion të Zvicrës për kompeticionin e dytë për nga prestigji në futbollin evropian.

Marseja

Një short i mirë për skuadrën franceze, kur kujtojmë se mund të ndodhte edhe me keq, pasi në këtë short ishte edhe Milani. Megjithatë, një detyrë e vështirë i pret Canën dhe shokët, të cilët do të kenë përballë një nga skuadrat e forta të kampionatit holandez të futbollit. Tvente e përfundoi në vendin e dytë fazën e ndeshjeve në grupe, ku në takimin e fundit kundrejt skuadrës tjetër franceze, PSG, u mund me rezultatin e thellë 4-0. "Një kundërshtar i shkollës holandeze të futbollit, e cila ka një stil tipik loje holandeze, edhe pse ka trajner anglez, u shpreh dje trajneri i Marsejës Erik Gerets. Është një skuadër e fortë, e cila jo më kot mban vendin e dytë në klasifikimin e kampionatit holandez. Nuk është një emër i madh në nivelin ndërkombëtar, por që nuk duhet nënvlerësuar. Do të jetë e vështirë ndeshja ndaj tyre, por besoj se do t‘ia dalim". Ndërkohë që vetë Cana, duket se nuk dëshiron të ndalet këtu, pasi ambiciet e tij janë për të rrëmbyer trofeun e këtij kompeticioni. "Pas daljes nga Champions, synimi ynë është fitimi i Kupës UEFA", do të shprehej kapiteni shqiptar i Marsejës. Nëse skuadra e Canës do të mund të kalojë këtë tur, kundërshtari i radhës i saj do të jetë fituesi i sfidës së fortë, Fiorentina-Ajaks.

Të tjerat

Ndërsa supersfidat e Kupës UEFA në 1/16, të dala nga shorti i djeshëm do të jetë pikërisht Milan-Verder Bremen dhe Fiorentina-Ajaks. Kuqezinjtë italianë, të cilët janë edhe favoritët kryesorë për të fituar trofeun e Kupës UEFA, priten të kenë një ndeshje të vështirë përballë gjermanëve, të sapoeliminuar nga Champions League. Diego me shokë janë përballur dy herë me Interin në ndeshjet në grupe, duke marrë një barazim në Itali dhe një fitore në shtëpinë e tyre. Nëse Milani do të mund të kualifikohet, kundërshtari i tyre do të jetë një nga skuadrat e çiftit Olimpiakos-St. Etien. Për Fiorentinën përgatitet një sfidë interesante për ballë të frikshmëve të Ajaksit. Ndeshjet e tjera jo më pak interesante të kupës UEFA janë edhe Zenit St.-Shtutgart, Paris SG-Volfsburg, Dinamo Kiev-Valencia, 6. Aston Vila-CSKA Moska, Bordo-Galatasarai etj. Mançester Siti i bosëve arabë dhe i sulmuesit brazilian Robinjo do të duhet të ndeshjet me danezët e Kobenhavn. Ndeshjet e para do të luhen më 18/19 shkurt, ndërsa ato të kthimit më 26 shkurt. Për sa i përket turit tjetër, tashmë është përcaktuar kalendari dhe takimet e para do të luhen më 12 mars dhe ato të kthimit më 18/19 mars.

Kupa UEFA

Turi 1/16

1. Paris SG-Volfsburg

2. Kobenhavn-Man. Siti

3. NEC Nijmegen-Hamburg

4. Sampdoria-Metalist K.

5. Braga-Standard Liezh

6. Aston Vila-CSKA Moska

7. Lech Poznan-Udineze

8. Olimpiakos-St.Etienne

9. Fiorentina-Ajax

10. Aalborg-Deportivo

11. Verder Bremen-Milan

12. Bordo-Galatasarai

13. Dinamo Kiev-Valencia

14. Zenit St.-Shtutgart

15. O.Marsejë-Tvente

16. Shakhtar D-Totenhem

* Ndeshjet e para do të luhen më 18/19 shkurt 2009, ndeshjet e kthimit më 26/27 shkurt 2009

Ndeshjet e 1/8

Fituesi 11 - Fituesi 8

Fituesi 6 - Fituesi 16

Fituesi 7 - Fituesi 14

Fituesi 1 - Fituesi 5

Fituesi 13 - Fituesi 4

Fituesi 2 - Fituesi 10

Fituesi 15 - Fituesi 9

Fituesi 3 - Fituesi 12



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›