Elvir Muriqi në “Top 15” në versionin WBA

Duket se ëndrra e Elvir Muriqit për të rrëmbyer një titull të kampionit të botës po bëhet gjithnjë e më e mundshme. "Kosova Kid" së fundmi është ngjitur në renditjen e boksierëve më të mirë të kategorisë gjysmë të rëndë në versionin WBA, që është federata më e vjetër botërore e boksit profesionist. Pasi ka mposhtur amerikanin Jameel Wilson, shqiptari 28-vjecar është ngjitur në pozitën e 15-të dhe prej tani mund të llogaritet sfidues për titullin e kampionit të botës në këtë version. Ndërkohë për duelin e radhës të Elvir Muriqit, promoteri amerikan Joe DeGuardia tashmë ka filluar të planifikojë një ndeshje të madhe. Objektivi i parë është një duel me kampionin aktual të botës në versionin WBA, australianin Danny Green, apo me legjendën e kategorisë gjysmë të rëndë, amerikanin Roy Jones Junior. Alternativa të tjera janë edhe Epifanio Mendoza, Jesus Ruiz ose Adrian Diacanou, që të tre boksier të nivelit të lartë të kategorisë gjysmë të rëndë.
Ndërkohë edhe shqiptari tjeër i ringut profesionist, por që bokson nën flamurin gjerman, Luan Krasniqi, gjithashtu është ngjitur në pozitën e 15-të në renditjen e kategorisë së rëndë në versionin WBA.