Elvir Muriqi përsëri me trajner kampionësh

Elvir Muriqi ka ndërruar trajnerin dhe tani do të ketë në këndin e tij një ndër trajnerët më të mirë në botë, amerikanin Buddy McGirt.
Lajmin e ka bërë të ditur për "Boxalb.com" vetë "Kosova Kid".
"Kam vendosur që të angazhoj si trajner Buddy McGirt. Ai është ndër më të mirët në botë aktualisht.
Është trajneri që ka stërvitur Antonio Tarverin kur ky ka arritur të mposhtë Roy Jones Junior", ka thënë Muriqi që gjithashtu ka shpjeguar se trajneri i deritashëm i tij Collin Morgan dhe grupi i tij do të vazhdojë të qëndrojë pranë tij, por tani McGirt do të jetë trajneri kryesor."Duke qenë se është një trajner që ka stërvitur disa kampionë bote besoj se edhe unë do të arrij shumë shpejt këtë synim", ka shtuar Muriqi.
Njojorkezi 48-vjecar Buddy McGirt, një ish-kampion bote në kategorinë velter në boksin profesionist, prej vitit 1998 është trajner i disa prej yjeve të mëdhenj të ringut profesionist.
Kampionët apo ish-kampionët si Arturo Gatti, Antonio Tarver, Monte Barrett, Lamon Breëster, Paul Malignaggi, Timo Hofman, Carlos Baldomir, etj. Që të gjitha kanë kaluar nëpër duart e Buddy McGirt. Në vitin 2002 ai është shpallur trajneri i vitit në Amerikë nga oranizata e gazetarëve të boksit amerikan.
Për Elvir Muriqin kjo nuk është hera e parë që do të ketë në këndin e tij një trajner kampionësh, pasi më parë ai ka qenë nën urdhrat e të mirënjohurit Teddy Atlas.