E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fortuzi: “Me vjen keq që u largova pa trofe”

"Dëshira ime e madhe ishte të largohesha me një trofe. Është vendimi më i vështirë që kam marrë në jetën time futbollistike, një lamtumirë që për fat të keq nuk u shoqërua me ngritjen e të paktën një trofeu, kur e kisha menduar se të paktën Kupën e Shqipërisë do të fitoja", - tha futbollisti i shquar i Tiranës, Indrit Fortuzi në konferencën e tij për shtyp ku zyrtarizoi edhe largimin nga futbolli, teksa topin e fundit do ta shkelmojë gjatë takimit të javës së ardhshme, kur bardheblutë do të përballen me Teutën ditën e mërkurë.
Kështu, pas 18 vjetësh futboll të luajtur në nivel të lartë, duke filluar nga viti 1990, kur "Zogu" ishte vetëm 17 vjec, kampioni i madh vendos t'i japë fund karrierës, jo duke pritur si të tjerët përfundimin e sezonit, por si për ta bërë edhe me "tragjike" ndarjen, e jep atë tri javë para përfundimit të kampionatit.
Klubi me më shumë trofe në Shqipëri - 23 kampionate, 13 kupa të Shqipërisë, 9 Superkupa – nuk do të përfaqësohet në Europë. Por, përvec humbjes së finales së Kupës e përjashtimit të tre titullarëve (Duro, Sina e Vrapi), klubit kryeqytetas do t'i mungojë edhe një kampion i madh. Sulmuesi Indrit Fortuzi, ikona e Tiranës post-1990 paralajmëroi varjen "këpucët në gozhdë", që do të thotë se në sezonin e ardhshëm futbollit shqiptar do t'i mungojë një nga ikonat e mëdha.
"Ishte një vendim i marrë prej dy-tre muajsh, dhe jo për shkak të ndonjë presioni. Sporti kishte filluar të mërziste, pasi dhe rezultatet e Tiranës nuk ishin të mira. Isha bërë më shumë tifoz i Tiranës, sesa ndihesha futbollist i saj. Kisha dëshirë ta mbyllja me ndonjë trofe, megjithatë të paktën nga ana profesionale kam ndjerë kënaqësi në 18 vitet që kam luajtur si futbollist profesionist. Kam pasur një karrierë të kënaqshme", - pohoi Fortuzi, i cili ka luajtur gjatë karrierës së tij me dy klube shqiptare Dinamon (tre sezone, me të cilën nisin dhe karrierën në vitin 2000) e Tiranën (ku dhe e mbylli atë në vitin 2008) dhe tre greke: Apollon, Ethnikos (të dyja në Athinë) e Iraklis në Selanik. Me Dinamon, për fanellën së cilës luajti për tre vjet në 60 ndeshje të aktivizuara shënoi 13 gola, me Tiranën (1993-1998) në 84 ndeshje, realizoi 53 gola. Në rikthimin e tij pas aventurës së parë greke me Apolonin (1998-2000, 56 ndeshje, 2 gola) shënoi gjatë pesë sezoneve 81 gola në 103 ndeshje. Te Iraklisi i Selanikut në tri sezone realizoi 6 gola në 26 ndeshje. Gjatë sezonit aktual 2007-2008 realizoi 7 gola në 28 ndeshje. Për të kujtuar është fakti, se goleadori i lindur fitoi dy herë rresht "këpucën e artë" të kampionatit shqiptar si golashënuesi më i mirë i sezonit 2000-2001 (30 gola) dhe sezonit 2001-2002 (24 gola). Gjatë këtij sezoni shënoi shtatë gola. "Zogu" falënderoi të gjithë, trajnerë, bashkëlojtarë, donatorë e presidentë, që kishin ndihmuar atë në 18 vitet e futbollit të luajtur. "Më kanë ndihmuar në ditë të vështira. Ndoshta kam zhgënjyer ndokënd, por besoj se me punën time ua kam shpërblyer".
"Ndoshta u ktheva te Tirana në momentin e gabuar dhe nuk ishte i menduar mirë. Besova se do të vija te ai ekip shumë i fortë, një ekip kampion. Pavarësisht se kjo Tiranë nuk ishte aq e fortë sac e kisha lënë, kërkonte një Fortuz të viteve më parë që ta nxirrte nga balta. Konstatova te vetja ime se isha i Fortuz që më shumë priste nga ekipi sesa ta ndihmonte atë. Dhe kjo ishte edhe një nga arsyet që unë vendosa të tërhiqem, për t'i hapur krahun lojtarëve të tjerë", - theksoi lojtari i rikthyer nga Iraklisi te Tirana, vetëm vitin e kaluar. "Nuk isha më ai i dikurshmi, pavarësisht nga emri. Nuk jam mësuar të fshihem, pasi gjithmonë kam qenë një lider. Nuk jam mësuar të zvarritem".
Goli që cmendi Greqinë
Edhe vetë ai e kujton shpesh. Është një nga gjashtë golat që shënoi me Iraklisin në Greqi. Një gol "ala Maradona" apo "ala Mesi". Një gol që cmendi tërë Greqinë dhe u përzgjodh si më i bukuri i asaj jave, që shpëtoi njëherësh nga rënia edhe klubin selanikas në sezonin 2006-2007. Një gol i shënuar në transfertën kundër Larisës, edhe pse Indriti kishte hyrë si zëvendësues në shtatë minutat e fundit. Video e golit të Fortuzit qarkullon në internet.
E ardhmja, trajner
E ardhmja e lojtarit është ende e paqartë në lidhje me faktin nëse ai do të punojë për klubin e Tiranës, por Fortuzi thotë se ka dy objektiva të shpejtë për të realizuar. "Dëshiroj të përfundoj Fakultetin Ekonomik dhe të nis kursin e trajnerëve për të marrë licencën B, që fillon më 19 maj 2008". Gjithsesi, Indriti pranoi se ishte i gatshëm të ndihmonte me eksperiencën e tij klubin.
Rekordi në Kupat europiane
Fortuzi mban edhe një rekord tjetër. Ish-sulmuesi i Tiranës (leë ta quajmë kështu) mban rekordin për shënimin e golave të shënuar në arën ndërkombëtare të klubeve. "Zogu" është autor i 10 golave. Pas tij renditen Vasil Ruci dhe Dorian Bylykbashi nga 6 gola. Me 5 gola janë Panajot Pano, Gentian Begeja dhe Devis Mukaj.
Tre gola kundër Fandol
I paharrueshëm është trigolëshi i tij në fitoren kundër skuadrës bjelloruse Fandol Babruysk, kur pasi Tirana kishte humbur ndeshjen e parë 4-1 në Kupën UEFA të edicionit 1994-1995, "Zogu" realizoi te gola në pjesë e dytë (i fundit në minutën e 94-t), që solli edhe kualifikimin e Tiranës në raundin e dytë.
"100 Top player"
Fortuzi është ndër të paktit futbollistë shqiptarë të përzgjedhur në "100 Top player of Year", një listë që përfshin lojtarët më të mirë të Europës dhe i vetmi që përfaqësoi Shqipërinë në "EUROPEAN FOOTBALL YEARBOOK" të vitit 2005.
Kartoni i blerë nga El-Sajed
Fortuzi mban edhe një rekord në Shqipëri. Ai është lojtari i parë me karton të blerë nga një klub shqiptar, Tirana. Kartoni i tij ishte pronë e Apolonit në Greqi, por ish-presidenti egjiptian El Sajed pagoi për të një shumë të madhe për ta sjellë te bardheblutë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›