E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elvira dhe kryeministri

Ndërsa njëri trup nuk është gjetur ende në vorbullat nënujore të liqenit të Butrintit, qeveria i lau duart me tragjedinë e radhës të shqiptarëve të pashpresë, duke premtuar se do të ndëshkojë ashpër trafikantët. Kjo pistë qeveritare e dorës së fortë, mund të procedojë me hapa të shpejtë dhe askush nuk ka dyshime se, pas hekurave do të plaset ndonjë sekser emigrantësh klandestinë dhe shoqëruesit e tyre.

Me kaq, tragjedia e mbrëmjes së 19 tetorit 2008, e krahasuar dje me tragjedinë e mbrëmjes së 9 janarit 2004, do të arkivohet si qindra të tjera.

Ky është një problem kollaj i zgjidhshëm nga qeveritë në Shqipëri, por problemi i burimit që pjell pareshtuar klandestinë, që janë gati të marrin përsipër edhe rrezikun më të paimagjinueshëm, ende nuk ka gjetur zgjidhje dhe, për fat të keq, zgjidhja vjen nga LART.

Shqipëria është një ndër vendet me shkallën më të lartë të emigrimit të popullsisë. Mbi 1 milion shqiptarë janë rezidentë, me ose pa letra në vendet fqinje, Europën Perëndimore, apo kontinentin amerikan. Shumica e tyre kështu e nisën emigrimin në fillim të vitit 1991, me familjen në krahë, ose maleve të Gramozit, për të përfunduar gjysmë-njerëz në Greqi, ose me skafe, për të përfunduar në Itali, nëse nuk do të bëheshin ushqim për peshqit.

Edhe pas 17 vitesh, ky rit mbijetese, nuk është ndalur, as ka ndryshuar formë dhe atë që bënin dikur etërit, tani e bëjnë bijtë. Në rajon apo në radhët e vendeve të tjera të ish-bllokut komunist, nuk ka vende të tjera që kanë prodhuar kaq shumë klandestinë që mbyllin sytë para gjithçkaje për të kaluar kufirin. Sepse duan të mbijetojnë, larg një atdheu ku ata nuk munden të jetojnë.

Kjo është Shqipëria e viktimave dhe të mbijetuarve të mbrëmjes së 19 tetorit, që shtrihet nga Pezë-Helmësi, Mati, Elbasani, Durrësi, Fieri, Lushnja, Berati, Mallakastra, në kërkim të shpresës për të jetuar si qytetarë normalë të shekullit të ri.

Kjo është ajo pjesë shumë e vogël e Shqipërisë klandestine, që marshon pareshtuar në kërkim të mbijetesës dhe që u bë publike sërish parmbrëmë, për fat të keq vetëm nga tragjedia. Janë me mijëra njërëz në javë, që ecin me hap të shpejtë, duke u ruajtur prej policisë në afërsi të kufirit Shqipëri-Greqi, që tentojnë të kalojnë në shtetin fqinj.

Janë mbi 80 shtetas shqiptarë, që arrijnë të kapen çdo ditë dhe që intervistohen në komisariatin e Policisë së Gjirokastrës, për t’u rikthyer andej nga kanë ardhur, te vendlindja pa shpresë. Të gjithë duan të ikin nga ky vend, ku qeveria, “mbjell” suksese dhe qytetarët korrin varfëri, ku ka punë dhe fitime milionere vetëm për Fazlliçët, por jo për krahun e ndershëm të punës, ku rregjistrohen në QKR mbi 18000 biznese në vitin 2007 dhe hapen vetëm 700 vende pune(!!!), ku harxhohen miliarda, por pakkush e ndjen se është më mirë se pak vite më parë.

Shqipëria është njëri prej të paktave vendeve në ish-bllokun komunist, që vijon të mbushë me viktima stasitstikat e klandestinitetit botëror. Nuk ka asnjë vend tjetër, as maqedonas, malazezë, as serbë, as moldavë. Jemi në një grup me të pashpresët e Afrikës Veriore, kurdët, apo afganët që lënë eshtrat para se të mbërrijnë Lampeduzën e Italisë, apo brigjet spanjolle.

Nuk e ka penguar këtë rrugë të vetme për mbijetesë as qesharaku moratorium për mjetet lundruese, lënia në fuqi e të cilit i kthen shqiptarët si në kohën e diktaturës, kur ishte kloni dhe arratisja ndëshkohej me vdekje. Elvira dhe foshnja e saj ishin dy nga viktimat më të fundit të shtetit ligjor në letër që ka ngritur qeveria aktuale.

Nëse Shqipëria do të ishte ajo që brohoret kryeministri, ndërsa pret shirita pa fund, Elvira do të kishte marrë vizë si çdo qytetar tjetër ballkanas. Nëse Shqipëria do të ishte ajo që mburrin teoricienët e sondazh-statistikave të mirëpaguar për të përkrahur çdo qeveri që garanton një stabilitet formal brenda vendit dhe me fqinjët - ne, Elvira dhe foshnja e saj do të kishin të drejtë, së shpejti, të shkonin edhe në SHBA pa vizë, ashtu siç do të bëjnë çekët, polakët, apo sllovakët.

Por, për fat të keq, Elvira dhe foshnja e saj, tashmë pa jetë, dhe qindra mijëra shqiptarë të tjerë, jetojnë në një Shqipëri, ku qeveria të siguron vetëm vdekjen, po aq të dhimbshme sa këtu e 17 vite më parë, po aq të dhimbshme sa në 9 janar, 2004.

Atëherë opozitari Berisha kishte këlthitur: “Nano, ti je ma i zi se zia”, “I vrau Nano”, “I vrau qeveria”. Po, i vrau qeveria, atëherë e Nanos, sot e Berishës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›