E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filmimi i të arrestuarve

Defilimi i personave të kapur nga policia, gati çdo ditë në ekranet e televizioneve tona, bezdis shpesh, aq më tepër kur ka disa prej tyre që pozojnë “krenarë” para kamerave, si të kishin arritur diçka të rëndësishme në jetë. Por ka dhe të tjerë që ulin kokën, ose mundohen të fshihen si të munden. Ky fakt më ka bërë të meditoj shpesh. Pse mundohen të fshihen këta njerëz ? A thua ngaqë duan që, kur të lirohen, të vazhdojnë aktivitetet e tyre “incognito” e ky afishim nuk do mund t’ua lejojë një gjë të tillë? Apo mbase ngaqë e quajnë veten të pafajshëm e ky afishim i detyruar, përpara opinionit publik do t’ua vështirësojë përpjekjet për ta provuar këtë, do t’u shkaktojë dëme morale, materiale, private me njerëz që nuk do të kishin dashur kurrë të mësojnë për akuzat që rëndojnë mbi ta, apo diçka tjetër?Çfarë bazash ligjore e mundësojnë këtë praktikë të policisë dhe televizioneve tona? E në qoftë se këto baza ligjore nuk ekzistojnë, pse vazhdon kjo praktikë ?

Progreset e teknikës në fushën e komunikacioneve, lejojnë që informacionet të përçohen kudo, nëpërmjet Internetit, për shembull. Atribute të personalitetit si imazhi, emri ose zëri, tani kanë një vend në treg. Shoqërimi i imazhit të një personaliteti me një produkt, mund të ketë një impakt komercial. Ekonomia funksionon në bazë të kërkesës dhe ofertës e kjo funsionon për analogji, edhe me atributet e personalitetit (artistët, sportistët u vënë një çmim këtyre atributeve nëpër kontrata). Çfarë natyre ka e drejta e imazhit? Do të përqendrohem në këto rreshta vetëm te imazhi fizik i personit, d.m.th. riprodhimi i aparencës së tij që lejon identifikimin fizik të një personi të caktuar.

Imazhi është vektor informacionesh. Secili nga ne duhet të jetë në gjendje t’i kontrollojë informacionet që kanë të bëjnë me të. Publikimi dhe shpërndarja, d.m.th. komunikimi në publik i imazhit të një personi pa akordin e tij, përbën një shkelje.

Qëllimi i këtij komunikimi ka rëndësinë e vet. Ky qëllim mund të jetë komercial, ideologjik, informativ etj. Në qoftë se qëllimi është informativ, duhen peshuar interesat në “konfikt”: interesi i personit dhe i publikut. Mbrojtja e imazhit të personit është një pjesë e sferës private në të drejtën penale. Por në këtë pikë, e drejta penale me atë civile, japin e marrin me njëra-tjetrën.

Tre motive e justifikojnë ndërhyrjen në sferën personale, në të drejtën civile: akordi i viktimës (personi i ekspozuar në këtë rast), një interes privat / publik dominant ose superior dhe një ligj i caktuar.

Akordi i viktimës - në bazë të principit “volenti non fit injuria” është një rrethanë justifikuese.

Interesi superior - Autori i shkeljes (policia në këtë rast, nëpërmjet mediave) mund të ketë një interes superior nga ai i viktimës (në shembullin tonë personi i dyshuar për shkelje ligji). Një rrethanë e tillë mund të imagjinohet, kur policia gjatë hetimeve, apo ndjekjes së personit e fotografon, apo filmon atë dhe i përdor më pas këto objekte, si prova gjatë procedurës ligjore.

Imazhi i një personi të rrezikshëm për sigurinë publike, mund të komunikohet në qoftë se personi është i lirë dhe në kërkim nga organet e drejtësisë. Në qoftë se ky person ndalohet, policia mund të bëjë fotografi si masë identifikimi për përdorim të brendshëm, po jo ta komunikojë këtë.

Fatkeqësisht një fenomen i tillë ndodh shpesh në Shqipëri. Shpeshherë, për të mos thënë gati gjithmonë, personat e dyshuar për thyerje të ndryshme të ligjit, afishohen nëpër media, gjë që përbën një shkelje të procedurave të rregullta ligjore.

Prezumimi i pafajësisë është një e drejtë që mbrohet nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (111), Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike (14/2), Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut (6) etj., etj., duke përmendur vetëm disa prej konventave që përbëjnë principet bazë e ku normalisht dhe ne kemi aderuar.

Publikimi i imazhit, përbën një dënim shtesë për personin që nuk është i parashkuar si sanksion penal. E drejta e titullarit mbi imazhin, shuhet me vdekjen e tij e jo me masën e arrestit, apo burgimin e personit. Çfarë bëhet me personat që dalin të pafajshëm ose që lirohen për mungesë provash të akuzave të ngritura ndaj tyre? Pse të mos e shmangim këtë dëm të tepërt e të panevojshëm?

Konflikti mes të drejtës së imazhit dhe së drejtës së mediave - Shkeljet e të drejtave personale në përgjithësi dhe të imazhit në veçanti, bëhen nga media (televizioni në veçanti, në këtë rast). Liria e kësaj të fundit, përbën bazën e çdo regjimi demokratik, duke qenë se, është një aspekt i veçantë i lirisë së opinionit që mbrohet nga kushtetuta. Kjo liri kushtetuese, bie ndesh me një tjetër liri të mbrojtur nga kushtetuta, atë personale, ku e drejta e imazhit bën pjesë.

Në rast shkeljeje, duhen konsideruar motivet justifikuese të përmendura më sipër, ose nëse kemi të bëjmë me ndonjë interes specifik mediatik. Në të kundërt, këto persona duhet të kenë të drejtën e përgjigjes, pra në rast se ato lirohen për mungesë provash, ose kur vërtetohet pafajësia e tyre, të mund të rivendosin interesat morale ose patrimoniale në vend, ashtu siç ishin, përpara se shkelja e të drejtës së tyre të ndodhte, nëpërmjet dëmshpërblimeve të parashikuara nga ligji.

Pra, cili është limiti i të drejtës së informacionit të publikut, në lidhje me të dyshuarit për shkelje të ligjit ?

S’duhet harruar që, kësaj pale i duhet garantuar një gjykim i drejtë, i ndershëm, i pandikuar e i pacenuar nga të tjerët. Kjo shkelje përbën një kosto, jo vetëm për individin, të drejtat e liritë e të cilit s’janë respektuar, po edhe për besueshmërinë në publik të organeve të drejtësisë, nëqoftë se, në fund të procesit, personi shpallet i pafajshëm.

Nuk duhet të harrojmë që personi, në momentin kur afishohet, (po përdor me qëllim formën joveprore), është i dyshuar e jo fajtor. Në bazë të disa parimeve që duhet të na udhëheqin, ai nuk mund të quhet fajtor pa iu vërtetuar faji.

Ndërkohë që, ky verdikt, i jepet sapo ai shfaqet në ekran, apo media. Liria e shprehjes, përfshin atë të marrjes a të komunikimit të informacioneve. Por ky informim, duhet të bëhet me rezerva, me qëllim respektimin e prezumimit të pafajësisë, e nëpërmjet kësaj, respektohet e drejta për një proces të rregullt ligjor dhe ruajtja e jetës private të individëve.

* Autorja është diplomuar për Shkenca Politike në “Universitetin e Lozanës”, dhe ka gradën Master për Kriminologji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›