E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, Alibeaj e Bode në Prokurori

Pas sekuestrimit të transkriptit të mbledhjes së qeverisë më 14 mars 2007, Prokuroria e Përgjithshme kërkon dëshmitë e ministrave

TIRANË- Dy ministra të kabinetit “Berisha” dhe një ish-ministër pritet të dëshmojnë në prokurori për tragjedinë e Gërdecit. Grupi hetimor i Prokurorisë së Përgjithshme, që po heton prej shtatë muajsh për ngjarjen e rëndë ka bërë gati fletë-thirrjet për ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, atë të Financave, Ridvan Bode dhe ish-ministrin Aldo Bumçi. Burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës saktësuan për “Shekullin” se marrja në pyetje e tre zyrtarëve me imunitet, Enkelejd Alibeaj, Ridvan Bode dhe Aldo Bumçi, do të bëhet me dëshirën e tyre, pasi t’u dërgohet nga një ftesë zyrtare për të dhënë shpjegime për dijeninë që ata kanë në lidhje me procedurat e projektligjit për demontimin, që u pasuan me vendimin e Këshillit të Ministrave me nr. 138 të datës 14 mars 2007, “Për trajtimin e armëve, të teknikës, pajisjeve dhe municioneve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi.

“Nga hetimet 7- mujore ka rezultuar se Enkelejd Alibeaj, në kohën që mbante postin e drejtuesit të zyrës së auditit pranë kryeministrisë ka shkëmbyer e-maile me zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, duke qenë parimisht dakord me ata për procedurat e ndjekura në lidhje me trajtimin e armëve, të teknikës, pajisjeve dhe municioneve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi. Ndërkohë, edhe deputeti Aldo Bumçi, që në këtë kohë mbante postin e ministrit të Drejtësisë ka firmosur një shkresë që mban datën 9 mars 2007, me numër protokolli 1594/1, ku shprehet se institucioni që ai drejton është dakord me këto procedura të ndjekura nga Ministria e Mbrojtjes. I vetmi në Këshillin e Ministrave që e ka kundërshtuar projektligjin për demontimin e municioneve nga subjekte private ka qenë ministri i Financave, Ridvan Bode, duke e justifikuar kundërshtinë e tij me mungesën e bazës ligjore të këtyre procedurave, duke shprehur me shkrime dhe gojë kundërshtimet e institucionit që drejton para anëtarëve të Këshillit të Ministrave.

Grupi i hetuesve të Gërdecit e ka parë të nevojshme dëshminë e dy ministrave Alibeaj e Bode si dhe atë të ish-ministrit Aldo Bumçi, në lidhje me vendimin aq shumë të diskutuar, që i hapi rrugën ndërtimit të punishtes së demontimit në Gërdec. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, qeveria e ka miratuar këtë projektvendim, pas iniciativës së shprehur nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Këto fakte janë mësuar prej anëtarëve të grupit hetimor pas sekuestrimit të të gjitha procesverbaleve të mbledhjeve të Këshillit të Ministrave, të transkriptuara dhe audio, ku ka pasur edhe debate në lidhje me procedurat e ndjekura për miratimin e vendimit për trajtimin e armëve, të teknikës, pajisjeve dhe municioneve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi. Sipas këtyre burimeve, të gjitha këto procesverbale ndodhen në fashikullin e hetimit dhe po studiohen edhe arsyet e nxitimit të marrjes së këtij vendimi. Mbledhja e Këshillit të Ministrave ku u miratua ky projektligj është mbajtur ditën e verës, më14 mars 2007, e cila është shpallur festë kombëtare.

Enkelejd Alibeaj

Në kohën që mbante postin e drejtuesit të zyrës së auditit pranë kryeministrisë ka shkëmbyer e-maile me zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, duke qenë parimisht dakord me ata për procedurat e ndjekura në lidhje me trajtimin e armëve, të teknikës, pajisjeve dhe municioneve të Forcave të Armatosura

Aldo Bumçi

Në atë kohë mbante postin e ministrit të Drejtësisë, duke firmosur një shkresë që mban datën 9 mars 2007, me numër protokolli 1594/1, ku shprehet se institucioni që ai drejton është dakord me këto procedura të ndjekura nga Ministria e Mbrojtjes

Ridvan Bode

I vetmi në Këshillin e Ministrave që e ka kundërshtuar projektligjin për demontimin e municioneve nga subjekte private ka qenë ministri i Financave, Ridvan Bode, duke e justifikuar kundërshtinë e tij me mungesën e bazës ligjore të këtyre procedurave

VKM-ja për Gërdecin u miratua Ditën e Verës

“Ka qenë ditë e mërkurë data 14 mars 2007, kur Këshilli i Ministrave ka vendosur me iniciativë të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të miratojë vendimin për procedurën e trajtimit të armëve, të teknikës, pajisjeve dhe municioneve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi. Ky vendim, edhe pse i miratuar bashkë me 14 vendime të tjera, nuk është bërë publik për mediat dhe në faqen zyrtare të qeverisë, ku publikohen të gjitha vendimet dhe fjalimet e kryeministrit Sali Berisha”,-thanë burimet e prokurorisë.

VKM, akt-akuza për Fatmir Mediun

Ish- ministri i Mbrojtjes, Mediu, për të realizuar synimin e tij, ka iniciuar hartimin dhe miratuar disa akte nënligjore. Ai ka iniciuar një projekt-vendim të Këshillit të Ministrave dhe ka miratuar projekt-urdhra, të cilët kanë orientuar realizimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municionit në përmbushje të ofertës të sipërpërmendur të shoqërisë amerikane SAC, prapa të cilës ishte shoqëria ALBADEMIL shpk, duke angazhuar për hartimin e tyre një pjesë të stafit të ngushtë të tij. Në këtë proces administrativ, z. Mediu ka pranuar dhe miratuar disa projekt-urdhra, duke shmangur përfshirjen e strukturave dhe hallkave të domosdoshme që duhet të ishin pjesë e hartimit të tyre. Kjo provohet:

Së pari, me inicimin, në datë 12. 2. 2007, për miratim të projekt-vendimit të KM me titull "Për procedurën e çmontimit, çmilitarizimit dhe tjetërsimit të një sasie municionesh të Forcave të Armatosura (FA), të dala nga armatimi e përdorimi me shoqërinë amerikane SAC". Ky projekt vendim nuk është miratuar nga qeveria, për shkak të mungesës së përqasjes së tij me ligjin aktual, si dhe për përfshirjen drejtpërdrejtë në këtë projekt-vendim të KM të kompanisë amerikane SAC.

Së dyti, më pas, me shkresën nr. 1525, datë 14. 03 2007, ish-Ministri i Mbrojtjes z. Mediu, ka ridërguar për shqyrtim e miratim projekt-vendimin, i cili po atë datë është shqyrtuar dhe miratuar nga qeveria, duke u kthyer në vendim të KM nr. 138, datë 14. 03. 2007, me të njëjtin titull që ishte propozuar. Siç do të analizohet në vijim të kësaj kërkese, ndonëse në këtë vendim të KM nuk është përmendur drejtpërdrejt kompania amerikane SAC, në formulimin e pikës "IV/1" të projektvendimit të miratuar është parashikuar që shitja për çmontim dhe çmilitarizim të municioneve të bëhet për municione të kalibrit të vogël, ashtu siç ishte parashtruar oferta e kompanisë amerikane, SAC. Megjithëse në vendimin e KM nuk është rregulluar mënyra e përzgjedhjes së kontraktorit për shitjen e municioneve për çmontim dhe çmilitarizim, në pikën 1 të urdhrit nr. 550, është nominuar drejtpërdrejt kompania amerikane SAC për realizimin e këtij procesi.

Së treti, ka qenë kërkesa e SAC-ALBADEMILe materializuar në kontratë, ajo që është marrë parasysh nga ish- ministri i Mbrojtjes, Mediu, për caktimin e Gërdecit si vend për çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve, sepse në pikën 3.3 të kontratës, është përcaktuar se vendi i dorëzimit të municionit do të jetë fabrika e Gërdecit, Vorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›