Ema Andrea - Puthja në buzë me Ezdalinin bëri shumë bujë, nuk e prisja
klotilda harka
Në programin “E diell” është ftuar për të bërë oponencën e fenomenit “reality show”, që ka pushtuar vëmendjen mediatike në botë, por edhe në Shqipëri. Por të dielën performoi një numër baleti me Ezdalin Goranin, që u finalizua me një puthje pasionante. Aktorja e njohur, Ema Andrea tregon për këtë rikthim te pasioni i saj i parë dhe gjuhën e trupit larg tabuve.
Perfomaca e baletit në programin “E diell” ishte një rikthim te pasioni juaj i parë. U desh shumë kohë për ta realizuar dhe si e përjetuat?
Baleti është art, prej të cilit s’ndahesh dot në mënyrën e të kuptuarit, lëvizjes, dinamikës, trupit, e në këtë kuptim, unë s’jam ndarë kurrë prej tij, edhe pse kam 20 vjet që s’bëj balet. Kemi punuar vetëm katër ditë për atë balet dhe kam ndjerë shumë emocione e shumë frikë sepse ishte hera e parë që kërceja në publik, një numër koreografik. Ia dedikoj Olës, Ezdalin Goranit dhe gjithë trupës së baletit që më kanë dhënë kurajo dhe mbështetje. Do ta ruaj si një kujtim shumë të bukur edhe për atmosferën dashamirëse që m’u krijua gjatë provave në “Top Channel”. U bënë të gjithë kuriozë se si do të performoja.
E kujt ishte ideja për të kërcyer, kishit ndonjë shtysë speciale?
Ideja për një numër baleti në programin “E diell” ishte një shkrepje në kokë e imja, pasi nuk dija si t’i bëja një dhuratë paqes që jam duke jetuar këto kohë. Në këtë mënyrë do t’i shprehja asaj mirësardhjen, t’i lija kështu një shenjë vetes sime edhe pse jo publike. Zgjodha baletin për disa arsye bashkë. E para sepse doja t’i kthehesha të shkuarës sime artistike, që lidhet me kërcimin, e dyta për të përdorur trupin si mënyrë shprehjeje, edhe pse kam vuajtur nga dhembjet e shpinës për gati një vit, dhe kryesorja për t’u bërë një dedikim njerëzve që më kanë bërë dhuratë paqen që po jetoj; vajzës sime, të dashurit tim, familjes që s’më kishin parë kurrë duke kërcyer një balet dhe miqve. Unë gjërat i bëj kur kam një shtysë personale, dhe ndaj doja të bëja diçka perfekte për atë që unë nisa për veten time. Por shoh që ka bërë efekt më gjerë në publik, saqë tani dua të punoj vërtet ndonjë pjesë tjetër koreografike.
Gjatë perfomancës dukej sikur vallëzonin dashuria me urrejtjen. Në jetën tuaj, ç’vend zënë këto dy ndjenja?
Më vjen mirë që ka mbërritur ideja tek ju. Mua më pëlqejnë shumë të kundërtat dhe jeta ime është e përbërë nga afrime, largime, përplasje, por me shpresën se të gjitha do përfundojnë në paqe. Përsa i përket numrit të baletit, them se ishte meritë e Ezdalin Goranit. Ramë dakort me përzgjedhjen e këngës dhe e realizuam.
Finalizimi me një puthje pasionante me Ezdalinin ishte një e papritur për publikun. E kishit parashikuar se do të bënit bujë?
Të them të drejtën, unë nuk e prisja që do të bënte kaq shumë bujë si akt, pasi më duket shumë normale që ajo koreografi të përfundonte me një puthje. Mirëpo, ndonjëherë harroj se ku jetoj… (qesh) Gjithsesi mendoj se nuk mund të kishte finale tjetër, gjest më të sinqertë dhe më natyral sesa puthja. E pranova si zgjidhje koreografike dhe zgjidhje artistike, pasi në kuptimin e përgjithshëm them se puthja është finalizimi i një situate ndjesish, ndaj në artet që e pasqyrojnë realitetin nuk duhet të mungojë.
Ishte diçka e re, pasi përgjithësisht balerinët bëjnë sikur puthen…
Unë në skenë natyrisht edhe jam puthur, kur është dashur nga situata dhe dramaturgjia e ka kërkuar. Për mua është natyrale dhe normale. Po marr tagrën e asaj që e ka bërë për herë të parë në balet, po pa dashje. Më duket shumë normale që në art të flasë çdo gjest natyral, si gjithë gjestet që burojnë nga një realitet natyral. Ezdalini punoi me shumë pasion e profesionalizëm, duke i abstraguar ndjenjat e vërteta në lëvizje koreografike.
Për ju gjuha e trupit është art më vete, pasi jepni lëndën e plastikës në Akademinë e Arteve. Po a mundet trupi të shprehet pa fjalën?
Po. Trupi i jep peshë fjalës, e plotëson dhe mund të shprehet absolutisht pa fjalën. Trupi është ajo çfarë ne jemi, e kaluara, e sotmja. Mendimi ynë është trupi ynë me të cilin përfaqësohemi. Por në Shqipëri nuk është ende edukata e kontaktit me trupin. Trupi është mjet shprehës edhe pse nuk di të them më shumë apo më pak se fjala. Unë personalisht lexoj më shumë një xhest sesa një fjalë. Jua them me bindje që trupi nuk të tradhton, ose të tradhton kur ti do të gënjesh. Ndërsa me fjalën mund të manipulosh, trupi do shumë kohë për ta manipuluar.
Jam kundër fenomenit “reality show”
Në panelin e programit “E diell” bën oponencë ndaj fenomenit “reality show”. Eshtë atje dhe për të qenë në krahun e artistëve që kanë punuar shumë për të arritur aty ku janë dhe ndaj jep gjykimin e saj për personazhet që dalin nga këto programe:
Si i shihni personazhet e “Big Brother” në perfomacat e tyre të kërcimit?
Më vjen mirë që m’u dha rasti në një kanal televiziv për të gjykuar fenomenin “reality show”, që ka pushtuar botën mediatike. Unë aty nuk i gjykoj fare ata për kërcimin, pasi nuk më intereson dhe teknikisht nuk do doja të hyja në këto gjykime. Mendoj se përfaqësoj aty njerëzit që kanë merituar atë që janë, kanë punuar dhe kanë kaluar vështirësi për të qenë dikush. Më pëlqen të ruaj atë pozitë.
Jeni kundër këtij fenomeni?
Më duket e tepërt që ky fenomen të vijë në Shqipëri. Por përderisa mendjet dhe dëshirat njerëzore e duan, pra publiku e do, le të vijë. Por unë nuk jam dakort me këtë fenomen sepse e shoh si një artific mbi të cilin më vonë ngrihen shembuj. Personazhet që dalin prej tyre janë shëmbëlltyra, që njerëzit identifikohen më vonë ndaj më duket delikat, fenomen që duhet pasur shumë kujdes pasi ata bëhen shembuj për brezat, njerëzit që rrinë në shtëpi, etj. Nuk e mohoj si fenomen, por përpiqem të bëj timen me aq sa mundem, për t’i dhënë një ekuilibër këtij fenomeni.
Por për personat që fabrikohen prej këtyre programeve, çmendim keni?
Në përgjithësi ata janë persona që kanë zgjedhur të jenë aty, është problem tërësisht i tyre, le ta quajnë shans a problem, si të duan është i tyre. Nuk e di çfarë i shtyn ata të marrin pjesë aty. Shpesh i ndërtoj vetes pyetjen se; Po t’u heqësh “Big Brother”, çfarë u mbetet si persona?! Këtë pyetje duhet t’ia bëjnë ata vetes së tyre. Do të doja të kishte më shumë ekuilibrër me invadencën që ka në publik për çdo “reality”. Le të ekzistojë si fenomen, por të jetë më i ekulibruar, pasi ata mund të adhurohen dhe adhurimi i tepërt është i rrezikshëm.