E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: S’do lejojmë zgjedhje të tjera



Aristir Lumezi

Kryetari i PS, Edi Rama, deklaroi dje se protesta e opozitës do të jetë njëmujore. I ftuar në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës në “Top Channel”, Rama është shprehur se Kushtetuta i jep të drejtë opozitës të kërkojë hapjen e kutive. “E konfirmoj se protesta jonë do të zgjasë, por këto janë anë teknike. Protesta nuk do mbarojë dhe nuk do ndalet në kërkim të një të drejte, që nuk e negociojmë për transparencën e zgjedhjeve të shkuara, në mënyrë që të garantojmë zgjedhjet e ardhshme. Ajo që e mban Qeverinë të lidhur pas interesave të qytetarëve është fakti se qytetarët kanë në dorë gjykimin e Qeverisë me votë. Protesta është pa ndalim deri në realizimin e kërkesës sonë. Fakti është se ne nuk do ndalemi dhe tërhiqemi pa realizuar kërkesën tonë, duke u dhënë mundësinë shqiptarëve të shikojnë si është realizuar procesi zgjedhor dhe të vihen përpara ligjit përgjegjësit për keqadministrimin e procesit zgjedhor”, theksoi Rama në “Top Story”. Sipas kreut të opozitës, protesta e nesërme do të bëhet për të garantuar liri dhe të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, të cilat nuk ekzistojnë. “Kemi një degradim të shtetit për shkak se pushteti nuk buron nga vota e lirë, por nga fuqia për ta gjeneruar mandatin e vet duke vjedhur votën e qytetarëve dhe kriza e shumanshme. Me një sistem drejtësie të gjunjëzuar dhe kriza ekonomike janë aspekte të lidhura me kutitë e mbyllura të 28 qershorit. Ne fituam, por nuk u zgjodhëm, sepse Shqipëria u detyrua të pranonte një Qeveri të atyre që nuk e lanë popullin të zgjedhë. Protesta jonë nuk është kundër policisë, por kundër një pushteti që ka grabitur votat dhe që është ulur mbi kutitë dhe po rrënon demokracinë e vendit”, shton Rama.
I pyetur nëse PS-ja do të japë pëlqimin e saj për votimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, Rama tha se duhet të ndryshojë Kushtetuta. “Nëse ka ligj që na përfshin edhe ne në zgjedhjen e gjyqtarëve të lartë, ne hyjmë në këtë proces, por nuk bëhemi pjesë e procesit të miratimit të tyre me 71 mandatet e manipuluara të Sali Berishës”, u shpreh Rama. Duke i qëndruar konsekuent transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit, Rama tha se “nuk do të pranojmë të bëhen zgjedhje në Shqipëri pa bërë transparencën e zgjedhjeve të kaluara”.
Tryeza
Kryetari socialist, Edi Rama, mblodhi dje një ditë para protestës tryezën e partive opozitare. Në një takim që zgjati rreth një orë, krerët politikë opozitarë diskutuan rreth modaliteteve të protestës, edhe pse detajet ruhen mirë në selinë rozë. Pas takimit, krerët opozitarë u munduan të ruajnë në fshehtësi përmbajtjen e asaj që ishte folur, ndërsa deklaratat zyrtare të pas takimit ishin për thirrje në adresë të qytetarëve për të qenë në protestë. Madje kreu i PLiDr, Spartak Ngjela, tha se protesta është një përplasje mes popullit dhe Qeverisë aktuale. Në takim ishin të pranishëm kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, Erion Veliaj i G99 si dhe përfaqësues të grupimit të qendrës, Spartak Ngjela e Preç Zogaj. “Nesër nis protesta e madhe. Rritja e kostos së jetesës i ka rrënjët në kutitë e mbyllura. Protesta nuk do ndalet, por do të kërkojë rikthimin e një të drejtë, që nuk mund të shitet as falet, që është ajo për të votuar lirisht dhe për ta parë atë. Këto e qindra e mijëra arsye individuale të njerëzve, pavarësisht përkatësisë së tyre, do të mbledhin nesër shqiptarët në Sheshin ‘Skënderbej’, për një protestë që nuk do të ndalet, për një protestë që do të kërkojë thjesht dhe vetëm rikthimin në duart e popullit të një të drejte që nuk mund të negociohet, nuk mund të shitet, nuk mund të falet, e drejta për të votuar lirisht e për ta parë votën ndershmërisht”, deklaroi Rama pas takimit. “Protestat do të jenë pa mbarim. është përplasje e madhe për demokracinë midis popullit dhe një regjimi jo demokratik”, deklaroi Spartak Ngjela, duke shtuar se protestuesit do të qëndrojnë në shesh dhe mesditën e 1 majit, që Kryeministri Berisha ka planifikuar një miting festiv. “Berisha bashkohet me Korenë e Veriut, Vietnamin, Kinën e Veriut dhe Kubën, që festojnë 1 Majin. Protesta jonë do përfundojë kur Qeveria të dorëzojë batakçillëkun që ka bërë me zgjedhjet. Kush është me të ardhmen do vijë në shesh. Kush është me të kaluarën të festojë”, tha Ngjela.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›