E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasja e 1 Majit, debat në Kuvend



Vetëm 1 ditë larg protestës së Partisë Socialiste në kryeqytet, maxhoranca dhe opozita kanë debatuar sërish në Kuvend, duke mos lënë shteg për arritjen e një konsensusi. Deputetët e opozitës morën pjesë në seancën parlamentare vetëm 60 minuta në diskutimet e lira, e më pas braktisën seancën plenare. Ata i bënë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e 30 prillit. Nga ana e tyre, deputetët e maxhorancës deklaruan se opozita duhet të kthehet me kohë të plotë në Kuvend. Deputeti i PS-së Namik Dokle deklaroi se protesta e opozitës do të jetë paqësore dhe nuk do të ketë dhunë. Ai tha se do të ketë vetëm qëndresë në shesh. “Në protestat tona nuk do të ketë dhunë, por qëndresë; nuk do të ketë shkelje të ligjit, por rezistencë; nuk do të këpusim asnjë lule, por do të këpusim litarin e korrupsionit, nuk do të prekim asnjë institucion, por do të qëndrojmë në sheshet e gjithë Shqipërisë, deri sa të hapet porta shurdhane e Qeverisë, për të bërë transparencë për gjithçka e për këdo; për t’u kthyer shqiptarëve lirinë, që Zoti dhe demokracia u kanë blatuar”, deklaroi Dokle, e më pas deputetët e opozitës u larguan nga salla. E fundit nga maxhoranca që mori fjalën ishte deputetja Rajmonda Bulku, e cila u tha deputetëve të PS-së se janë kthyer në tufë delesh. “Më vjen shumë keq që nuk keni pjesën tjetër të kolegëve sepse atyre desha t’ua thosha, megjithatë ata shohin dhe dëgjojnë. Më vjen shumë keq për zotin Dokle sepse doja t’i thosha se kanë tetë muaj që s’kanë bërë një ditë punë. S’kanë marrë rrogat. Me se jetojnë? Kaq të pasur qenkan të gjithë. çudi e madhe. është e pafalshme sepse janë bërë si tufë delesh që shkojnë ku u thotë, jo bariu por qeni. Shqipëria sot ka nevojë për diçka tjetër”, tha Bulku. Më herët deputetët vijuan debatin. Fjalën e para e mori deputetja Arta Dade, e cila tha se vendi është zhytur në krizë ekonomike. Edhe deputeti i PS-së Arben Ahmetaj tha se vendi është zhytur në borxhe. “Sa është kosto e sigurimit të këtyre eurobondeve, dhe cilat janë projektet që do të financohen me këto para, apo thjesht do të marrim borxh për të paguar borxh?”, tha Ahmetaj. Ministri i Financave Ridvan Bode iu përgjigj këtyre akuzave, duke thënë se vendi ka koston më të ulët të borxhit që ka pasur ndonjëherë, por ai akuzoi opozitën se paguhet për të nxjerrë të shara. “Ne e provuam se ekonomia nuk është në krizë sepse e thoni ju. Por ju po dëshmoni se jeni në Kuvend se jeni sharësa të paguar dhe jo si opozitë alternative”, tha Bode. Deputeti i PS-së Eduard Shalsi iu përgjigj ministrit Bode, duke e akuzuar atë se nuk është vigjilent ndaj krizës ekonomike. Ai tha se vendi po drejtohet nga i njëjti lider dhe Ministër Financash, si në kohën e skemave piramidale. “Nesër ju do të jeni dëshmitarë të protestës më të madhe paqësore, që ka ndodhur në këto 20 vite”, shtoi Shalsi. Ndërsa deputeti i PD-së, Edi Paloka i kërkoi opozitës që të reflektojë ndaj deklaratave të ndërkombëtarëve. e.k

Batutat në Kuvend
Arta Dade: Ne do të jemi bashkë me ta dhe ju do të na keni përballë.
Damian Gjiknuri: Jo më kot një shprehje e mençur thotë “se frika nga vdekja është aleatja më e madhe e tiranisë.” Siç duket frika e fundit të qeverisjes së kësaj klike, qëndron në themel të sjelljes suaj tiranike, e cila herët apo vonë do të pësojë të njëjtin fat që pësojnë tiranitë korruptive, në të kaluarën apo të tashmen.
Namik Dokle: Ju shpesh na jepni këshilla se si duhet të sillemi apo si duhet të bëjmë protestat. Më lejoni edhe mua t’u jap një këshillë. I thoni asaj këngëtares tuaj numër 1, që të ndryshojë tekstin e këngës dhe ta bëjë “oh sa Qeveri të mirë që kam”.
Ridvan Bode: Zotërinj ju vini këtu, sepse një pjesë e juaja janë paguar për të sharë, janë sharësa të paguar. Jo vetëm në Parlament, por keni marrë mediat me radhë. Me kusiçke në dorë i themi ne andej nga Korça. Vetëm për të lyer e për të ngjyer.
Edi Paloka: Unë mendoj se pas këtyre deklaratave, duhet të kishte ndonjë reflektim. Këtyre nuk iu punojnë përkthyesit. Kanë probleme me përkthyesit. Deklaratat e disa institucioneve, por edhe personaliteteve ndërkombëtare, nuk kanë pasur nevojë për përkthyes. Nesër kjo opozitë miliardere po kërkon nga të varfrit të protestojnë për ta dhe për t’i qarë hallin Edi Ramës.
Rajmonda Bulku: Më vjen shumë keq që nuk keni këtu pjesën tjetër të kolegëve, sepse atyre desha t’ua thosha, megjithatë ata shohin dhe dëgjojnë. Më vjen shumë keq për zotin Dokle, sepse doja t’i thosha se kanë tetë muaj që s’kanë bërë një ditë punë. S’kanë marrë rrogat. Me se jetojnë? Kaq të pasur qenkan të gjithë. çudi e madhe! është e pafalshme sepse janë bërë si tufë delesh që shkojnë ku u thotë, jo bariu por qeni.

Meta: Opozita synon panik
Zëvendëskryeministri, njëherësh Ministri i Jashtëm, Ilir Meta tha dje në seancën plenare se veprimet e opozitës synojnë të krijojnë panik. Ai tha se opozita po dëmton interesat e qytetarëve shqiptarë, me bojkotin e saj të zgjatur. “Në një kohë kur e gjithë bota është e tronditur nga një krizë globale dhe ekonomike, kur Shqipëria përmendet si një rast pozitiv e qëndrueshmëri ekonomike, kur Greqia është në krizë të jashtëzakonshme, tek ne opozita synon të ngjallë panik, duke tentuar të dëmtojë interesat e gjithë vendit dhe qytetarëve”, u shpreh Meta. Ai iu drejtua opozitës që për kërkesën e saj për transparencë t’i drejtohet gjykatës dhe Komisionit të Venecias. Ministri i Jashtëm tha se kjo nuk është rruga e duhur që po ndjek opozita dhe theksoi se opozita mund t’i drejtohet institucioneve përkatëse për çdo paqartësi që ka në lidhje me zgjedhjet e kaluara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›