E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emergjenca, Berisha: Rama urdhër deputetëve për të mos bashkëpunuar

Berisha tha se pavarësisht rrëzimit të bustit, në Partinë Socialiste u mblodhën sërish bijtë e etërve komunistë.

“I mblodhi ku ishin e ku s’ishin duke i sjellë edhe nga emigracioni dhe duke ju premtuar majën që humbën etërit. Këtë e përdorën për të bllokuar procesin e integrimit. Pas dy vitesh që qeveria bëri gjithçka për të bashkëpunuar me opozitën por qëndroi për të zbatuar ligjet dhe Kushtetutën e vendit. E bën këtë bllokim sepse ndajnë psikologjinë e etërve të tyre. Pas dy vitesh ato që i ishin propozuar dy vite me radhë. Shqiptarët i dhanë përgjigjen e shkëlqyer dhe të merituar më 8 maj. Sërish mbetemi të hapur për reforma dhe opozita ka gatishmërinë tonë, por sigurisht asgjë jashtë Kushtetutës së këtij vendi”, theksoi Berisha.

Sipas tij, “pas 21 vitesh, nderimi më i madh që ne mund t’i bëjmë guximit dhe kurajës së atyre që përmbysën diktaturën më barbare të Evropës, është që të konsolidojmë vlerat e lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor. Të bëjmë gjithçka për të shtyrë përpara procesin e integrimit të mëtejshëm të Shqipërinë në Bashkimin Evropian”.  Kryeministri pati edhe një urim, që siç e nënvizoi për të mirë të opozitës, duke i uruar asaj që të çlirohet nga “psikologjia dhe mentaliteti i etërve, që nuk mund të ketë asnjë të ardhshme”.

“Rama s’la deputetët të bashkëpunojnë”

Në pjesën e dytë të fjalës, Berisha ia kushtoi situatës më të fundit nga emergjencat në vend. “Krahas kësaj ngjarje, që kaloi nga mbretëria e terrorit dhe ferrit, tek mbretëria e lirisë, dua t’iu informoj ju për situatën aktuale në të gjitha qarqet e emergjencës civile”, e nisi Berisha fjalën e vet për izolimin e zonave verilindore të vendit.

Ai tha se deputetët socialistë nuk u lanë të bashkëpunojnë me shtabin e emergjencave pasi patën një urdhër nga kreu i Partisë, Edi Rama. “Absolutisht kjo ka ndodhur mbi bazën e një urdhri absurd të kryetarit të tyre, duke iu thënë që të mos guxojnë të shkelin në shtabet e emergjencës. Kjo është absurde. Edhe një herë theksoj, nuk kanë munguar në këto takime se nuk kanë dashur. Është tjetër të ligjërosh në televizor, të sulmosh orë të tëra në ekrane dhe është tjetër të preshësh me dorë ata njerëz që me shumë mundim kanë dëshmuar burrëri dhe përkushtim të madh. Isha dje në Peshkopi dhe autoritetet më informuan se si në kulmin e borës, banorët e komunës së Sllovës hapnin secili rrugën që lidhte fshatin me fshatin tjetër në mënyrë që një nuse të transportohej me barelë deri tek autoambulanca”, theksoi.

Duke prezantuar arritjet e deri më tanishme mbi hapjen e rrugëve, Berisha tha se deri më tani janë çelur pjesa më e madhe e akseve rurale për të shkuar në qendër të komunave. “Kanë qenë të izoluara 106 komuna dhe bashki të vendit. Në një operacion të pandërprerë dhe më intensiv janë zhbllokuar të gjitha akset kombëtare. Është garantuar kalueshmëria në rreth 4 mijë kilometra rrugë. Janë nxjerrë nga izolimi rreth 90 komuna dhe bashki. Përsëri janë në izolim komunat e Shalës, Shoshit, Vermoshit, Temalit, etj. Sot janë më pak se 15 mijë banorë të izoluar nga 800 mijë. Sot gjatë ditës po bëhet punë e jashtëzakonshme që të mund të arrihet në komunë e Reçit, të Selishtës, etj”, theksoi Berisha. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-02-20 13:43
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›