E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emergjencat Civile: Evakuimi do bëhet edhe me forcë

TIRANE- Emergjencat Civile paralajmërojnë evakuimin me forcë të banorëve të zonave të përmbytura në rast të përkeqësimit të situatës dhe të mosbindjes së banorëve për të lënë shtëpitë dhe për tu strehuar në qendrat e vëna në dispozicion. Drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile, Alfred Olli në një komunikim me mediat paralajmëroi se policia do të jetë e detyruar të ndërmarrë një hap të tillë nëse situata e përmbytjeve në këto zona vazhdon të përkeqësohet. “Përgjegjësia jonë kryesore është shpëtimi i jetëve njerëzore. Në kemi arritur deri aty sa tu themi të paktën lini nga një pjestar të familjes dhe sidomos të ikin njerëzit e sëmurë, gratë, fëmijët që të mos rrezikohen.” shpjegon Olli. Sipas të dhënave të deritanishme në Shkodër janë evakuuar deri tani 130 persona të gjithë nga komuniteti rom dhe vetëm 53 familje në Dajc i janë bindur kësaj thirrje. Përkundër informacioneve që vijnë nga Shkodra dhe Lezha dhe që flasin për një situatë që vazhdon të mbetet e rëndë, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile informon për një përmirësim të situatës në qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës. Sipas Ollit ka një rënie të nivelit të ujit në zonat e përmbytura me 20 cm, ndërkohë që nga zonat e emergjencës informacionet që vijnë flasin për banesa të tëra të izoluara nga uji. Shkarkimet që po bëhen nga hidrocentralet e Fierzës, Vaut të Dejës dhe Komanit kanë sjellë përmirësime të situatës duke i paraprirë gjithashtu edhe një sasie të madhe prurjesh në këto kaskada. Prej disa ditësh forca dhe mjete të ushtrisë, të policisë së shtetit, emergjencave civile ndodhen në terren për zgjidhjen e problemeve dhe përballimin e situatës. Ende nuk ka një përllogartije të dëmeve të shkaktuara ndërkohë që vetëm në Shkodër llogaritet që sipërfaqja e përmbytur të jetë rreth 3500 hektarë. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›