PD: Fatkeqësitë natyrore, alternativa e vetme e Ramës
TIRANë- Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli u shpreh sot se "deklaratat e Edi Ramës për përmbytjet janë dëshmi se ai alternativë të vetme për shqiptarët ka fatkeqësinë natyrore”. Duke reaguar ndaj deputetit të PS-së, Ilir Beqja, i cili tha sot se "qeveria nuk po merr asnjë masë për evitimin e situatës", Mëhilli sqaroi se “reshjet dhe vërshimet e mëdha që rritën në dhjetra e dhjetra herë prurjet në lumenjtë e Matit, Drinit të Zi, Drinit të Bardhë e degëve të tyre në lumin e Gashit, Valbonës, Currës dhe lumin e Shalës, u përballuan me dëmet më minimale”. Gjithçka, shtoi ajo, u përballua falë angazhimit total, para dhe pas natës së ndërrimit të viteve, e autoriteteve lokale dhe qëndrore për menaxhimin e situatave emergjente, por edhe nga pritat dhe argjinaturat e ngritura në lumin Mat, Drin, Kir e Vjosë, që përballuan vërshimet e papara të këtyre lumenjve gjatë 10-ditëshit të fundit. Zëdhënësja Mëhilli në emër të Partisë Demokratike, shprehu vlerësimin dhe mbështetjen për qytetarët e këtyre zonave, qeveritarët vendorë të të gjitha niveleve, forcat e Policisë së Shtetit, Emergjencat Civile dhe të Ushtrisë, Bordeve të Kullimit, "të cilët bënë që këto momente kritike të përballohen pa humbje jetësh dhe me dëme plotësisht të kompesueshme”. (e.n/BalkanWeb)