E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emergjencat civile: moti i keq, situata nën kontroll

TIRANë- Moti i keq, i shoqëruar me reshje shiu dhe dëbore, që ka përfshirë ditët e fundit vendin tonë ka krijuar vështirësi në qarkullimin në disa akse rrugore, kryesisht në zonat verilindore. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme ka marrë masat e nevojshme për normalizimin e situatës në zonat që paraqesin vështirësi në qarkullimin rrugor. Drejtues të kësaj strukture sigurojnë se situata e përgjithshme është nën kontroll, ndërsa rrugët nacionale janë të kalueshme. Forcat e qarkullimit rrugor, të mbështetura nga ato të rendit, janë angazhuar për disiplinimin e trafikut dhe shmangien e aksidenteve në rrugë. Ndërsa, drejtoritë rajonale të mirëmbajtjes së rrugëve janë duke punuar për hedhjen e skorjes në akset rrugore me dëborë. Qarqet sipas Emergjencave Drejtues të Emergjencave Cilvile pranë Ministrisë së Brendshme bënë të ditur situatën e krijuar si pasojë e motit të keq në disa qarqe të vendit. Në Qarkun e Shkodrës situata paraqitet normale dhe të gjitha akset rrugore janë të kalueshme. Në Pukë, akset rrugore janë të kalueshme, por në disa segmente si Qafë Mali -Qafë Shllak, automjetet duhet të lëvizin me zinxhirë. Në Pukë, situata më e rënduar paraqitet në komunën e Iballës, ku trashësia e dëborës ka arritur deri në 58 centimetra. Në Kukës rrugët janë të kalueshme. Në disa segmente makinat duhet të lëvizin me zinxhirë. Dëbora e madhe ka shkaktuar probleme në disa fshatra të rrethit të Kukësit si Arren, Kalith, Grykëcaj dhe Zapod. Në rrethin e Tropojës, të bllokuara nga dëbora janë fshatrat Valbonë dhe Lekbibaj. Në Has dhe Dibër nuk ka asnjë komunë të bllokuar nga dëbora dhe rrugët janë të kalueshme, me përjashtim të disa segmenteve rrugore, ku duhet të kalohet me zinxhirë. Reshjet e shiut kanë krijuar dëmtime në urën e Puthit në Burrel, megjithatë ura është e kalueshme në njërën anë , ndërsa po punohet për riparimin e saj. Në Qarkun e Korçës nuk ka probleme me qarkullimin rrugor. Ndërsa, në Gjirokastër reshjet e shiut kanë nxjerrë nga shtrati lumin Drino, duke dëmtuar nënstacionin elektrik të qytetit, me pasojë ndërprerjen e energjisë. Specialistët po punojnë për riparimin e dëmit. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›