E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emergjencat, helikopterë me ushqime për zonat e izoluara

Autori i Lajmit: red.
Reshjet e dëborës dhe tepmeraturat disa gradë nën zero mbajnë të izoluara gjithë zonën e Veriut dhe të Verilindjes në vend. Në ndihmë të banorëve të zonave të mbuluara nga bora, Drejtoria e Emergjencave Civile ka shpërndarë ndihma në ushqime me helikopterë. Në operacionet e ndihmës ka marrë pjesë dhe drejtori i Emergjencave Civile, Alfred Olli. Më e kërcënuar nga bora është komuna e Iballës në Pukë, një zonë që vuan çdo vit bllokimin nga moti i keq. Kjo komunë mbetet gjithmone e mbuluar nga dëbora në janar ashtu si edhe disa komuna të tjera problematike të vendit. Rreth 10 tonë ushqime janë shpërndarë gjatë fluturimeve të para që do të pasohen me të tjera ditët në vazhdim.
Situata
Kështu në qarkun e Kukësit të gjitha akset e rrugëve nacionale janë të kalueshme e po kështu edhe pjesa më e madhe e rrugëve që lidhin Kukësin me komunat, por nevojitet përdorimi i zinxhirëve. Përjashtim bën aksi Kukës-Shishtavec, i bllokuar për shkak të orteqeve dhe rrëshqitjes së skarpateve. Vazhdon puna për hapjen e rrugës Kukës-Dajreç, e hapur deri në fshatin Domaj, dhe është mundësuar lidhja me aksin B.Curri- Qafë Luzhë-Bytyç-Krumë. Vijojnë të mbeten të bllokuara komunat Zapod, Shishtavec, Kalisë, Bushtricë, Grykë-Çajë dhe Arrën. Në Tropojë mbetet e bllokuar komuna Lekbibaj.
Si rezultat i punës së bërë nga strukturat përkatëse, në qarkun e Dibrës përfundoi hapja e rrugës për në Macukull të Matit si dhe u lidhën me rrugën kryesore komunat e Martaneshit dhe Ostrenit të rrethit të Bulqizës. Aktualisht, në rrethin e Matit mbetet e bllokuar komuna Xibër dhe po punohet për hapjen e rrugës. Po kështu, po punohet për hapjen e rrugëve për në komunën Trebisht të Bulqizës dhe për në komunat Reç, Selishtë e Lurë të rrethit të Dibrës. Në qarkun e Shkodrës të gjitha akset e rrugëve nacionale janë të kalueshme, por në vende të ndryshme duhen përdorur zinxhirët. E bllokuar në këtë rreth mbetet rruga që lidh Shkodrën me komunat Shalë, Shosh, Pult dhe Temal. Në Malësinë e Madhe e bllokuar mbetet rruga Selcë-Vermosh. Në rrethin e Pukës, të bllokuara mbeten pjesa më e madhe e rrugëve që lidhin Pukën me komunat dhe rruga Fushë- Arrëz - Iballë. Po punohet për hapjen e këtyre rrugëve. Shtabi i Emergjencës, i ngritur në këtë qark nën drejtimin e prefektit, po e ndjek situatën në vazhdimësi. Nuk ka pasur raste të emergjencës mjekësore. Në qarkun e Elbasanit ka probleme vetëm në rrugët që lidhin disa komuna me fshatrat e tyre. Po punohet në rrugët e fshatrave të komunave Rrajcë, Stërblevë dhe Orenjë. Në të gjithë qarkun e Korçës rezulton se pothuajse të gjitha akset e rrugëve janë të kalueshme, si ato nacionale ashtu edhe ato rurale. Në qarkun e Lezhës po punohet për zhbllokimin e aksit Rrëshen-Kurbnesh-Lurë dhe Rrëshen-Kaçinar, ndërkohë të gjitha akset e tjera rrugore janë të kalueshme.
Shërndarja e ndihmave
Gjatë ditës janë shpërndarë ndihma (ushqime, veshmbathje) me helikopter në disa komuna të Veriut dhe Verilindjes së vendit. Konkretisht, deri në orën 14:00, janë dërguar 64 kuintalë ndihma në komunat Arrën, Lurë, Iballë, Macukull, Xibër, Martanesh, Zapod, Kala e Dodës.

Helikopterët me ndihma
Shtabi i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme ka përdorur 4 heklikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes për të shpërndarë ndihma ushqimore dhe ilaçe drejt zonave më të thella malore në rrethet Tropojë, Kukës, Pukë dhe Dibër. Helikopterët janë nisur që në orët e para të mëngjesit dhe fillimisht janë përqendurar në Pukë, ku janë përballur me vështirësinë për t u ulur për shkak të trashësisë së madhe të dëborës dhe terrenit të pasigurt. Më problematike në Pukë shfaqet komuna e Iballës ku ndihmat janë hedhur pranë qendrës së komunës, duke u bërë thirrje banorëve të fshatrave përreth të vijnë t i tërheqin.
Drejtori i shtabit të Emergjencave Civile, Alfred Olli, ka kontaktuar me disa banorë të Iballës për t u njohur me nevojat e tyre. Ndihmat emergjente janë shpërndarë edhe në qarkun e Dibrës, duke filluar nga komunat më problematike si Lurë, Kalaja e Dodës, Martanesh e Ostren. Më pas helikopteri i është drejtuar Bulqizës, Macukullit dhe Xibrit në Mat, për të ndihmuar banorët të përballen me situatën e vështirë. Një ditë më pare, banorët e fshatrave të Dibrës dhanë alarmin për ndihmë, pasi nuk kishin mundur të siguronin rezerva ushqimore për të përballuar një situatë të tillë emergjente. Shumica e fshatrave vazhdon të jetë e izoluar si shkak i borës së madhe, ndërsa rrugët janë të pakalueshme për mjetet. Në Tropojë pritet që helikopteri të përqendrohet në komunat e Lekbibajt, Berishës, Valbonës dhe në zonën e Bucajt ku trashësia e dëborës ka kaluar 1 metër. Helikopter me ndihma pritej të ndalonte edhe në Malësinë e Madhe, por, sipas informacioneve nga prefekti i Shkodrës, Naxhip Cungu, akset problematikë janë zhbllokuar plotësisht gjatë ditës së djeshme dhe në komunën më të thellë në Vermosh, e cila paraqitej edhe më problematike kanë ardhur ndihma emergjente nga Mali i Zi, duke qenë se ky fshat është më afër në kufi. Janë dërguar edhe medikamente në Vermosh të Malësisë së Madhe nga Prefektura e Shkodrës, duke bërë që të mos ishte e nevojshme ndalesa e helikopterit të emergjencave civile në këtë rreth. E njëjta situatë është shfaqur edhe në Kukës, ku duket se gjendja është normalizuar dhe akset rrugore problematike janë zhbllokuar duke bërë të mundur komunikimin mes fshatrave dhe komunave.

Ky lajm është publikuar: 07/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›