E Diel, 1 Nëntor 2026

“Emergjencë për Shqipërinë, shkatërrimi i municioneve të tepërta”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, priti në një takim zv.kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjenerallejtnant Karl Eikenberri, i cili ndodhet në vendin tonë për një vizitë zyrtare. Përfaqësuesi i qeverisë dhe shefi i Ushtrisë Shqiptare i ka kërkuar gjeneralit të NATO-s ndihmë dhe asistencë për shkatërrimin e municioneve të tepërta në vend. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së gjeneralbrigade Maksim Malaj. Oketa, i shprehu atij mirënjohjen e qeverisë shqiptare dhe të popullit shqiptar për atë çka NATO ka bërë për Shqipërinë. Por në të njëjtën kohë, theksoi ai, ne e dimë se duhet të punojmë më shumë për të realizuar të gjitha objektivat që kërkohen për pranimin në NATO në Samitin e ardhshëm. Për realizimin e këtij objektivi të madh Forcat tona të Armatosura kanë patur edhe mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare, e cila në buxhetin e këtij viti ka planifikuar për FA 2 % të GDP-së. Më tej, ministri foli për pjesëmarrjen e trupave tona ushtarake në misione jashtë atdheut. Vetëm gjatë vitit 2008, tha ai, Shqipëria ka dërguar mbi 400 trupa në misionet paqeruajtëse në Afganistan dhe në Irak dhe 63 trupa në Çad. “Në fund të dhjetorit që kaloi u mbyll misioni i Irakut, ka vijuar ministri, dhe, me që isha edhe vetë në Irak, mbyllja e këtij misioni u konsiderua tepër e suksesshme nga aleatët tanë”. Një objektiv tjetër për ne, ka theksuar Oketa, është shkatërrimi i municioneve të tepërta. Për këtë kemi përgatitur një plan-veprimi, duke synuar të shkatërrojmë ato më të rrezikshmet deri në vitin 2010. Nga ana e tij, zv.kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjenerallejtnant Karl Eikenberri e uroi ministrin Oketa dhe qeverinë shqiptare për arritjet gjatë këtyre viteve të fundit. Ai vlerësoi arritjet e shënuara në fushën ushtarake, duke nënvizuar sidomos kontributin e FA Shqiptare në operacionet paqeruajtëse në kuadër të NATO-s. Ju keni një përfaqësim ushtarak të mrekullueshëm në NATO, tha ushtaraku i lartë i NATO-s, si dhe në misionet ushtarake në vende të ndryshme të botës. “Prilli që vjen do të jetë për ju jo vetëm koha e anëtarësimit në NATO, theksoi gjenerallejtnant Eikenberri, por edhe koha e nisjes së një pune të madhe. Ju do të keni edukimin ushtarak të ushtrisë profesioniste, si dhe përgjegjësi të mëdha ushtarake”. Zv.kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, gjenerallejtnant Karl Eikenberri u prit me truproje nderi nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së gjeneralbrigade Maksim Malaj. Pas takimit që pati me gjeneralbrigade Malaj, për ushtarakun e lartë të NATO-s dhe delegacionin që ai kryeson u dha një brifing për rrugën e transformimit të FA Shqiptare dhe standardet e arritura drejt integrimit të tyre në strukturat e Aleancës Euroatlantike. Më pas gjenerali Eikenberri ka vijuar takimet në Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe në Shtabin e NATO-s në Tiranë.
Ky lajm është publikuar: 23/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›