E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i PDS-së, Milo kritikon mazhorancën dhe për presionin ndaj presidentit Topi

Autori i Lajmit: Suela Topi
Zgjedhjet e 2009-ës

Standartet e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare janë seriozisht në rrezik pas problemeve të shumta me kartat e identetit por dhe zvarritjes për emërimin e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky pohim është bërë dje nga kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo i cili pohoi më tej se partia e tij mbështet propozimin e PS-së për ngritjen e një komisioni për monitorimin e gjithë këtij procesi. Kreu PDS-së, ka dalë më tej në mbrojtje të Presidentit Bamir Topi duke i quajtur të turpshme sulmet që i vijnë nga partia që e votoi në krye të shtetit shqiptar. Milo theksoi se sulmet ndaj Topit janë si pasojë e faktit se eksponentë të ndryshëm të mazhorancës nuk duan që ai të mbrojë në mënyrë kushtetuese institucionet e drejtësisë, Prokurorinë e Përgjithsme, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe sidomos Gjykatën Kushtetuese.
Milo
Kreu i PDS-së kritikon Qeverinë për mënyrën se si po administron procesin e përgatitjes së zgjedhjeve të 28 qershorit. “Deri në datën 30 janar përfundon afati i konstituimit të Komisonit të ri Qendror të Zgjedhjeve. Tërheqim vëmendjen, se ka vetëm pak ditë për të ndërtuar këtë institucion shumë të rëndësishëm, të cilit do t i duhet të marrë vendime mjaft të rëndësishme në të ardhmen”, - tha Milo. Por një tjetër shqetësim për të është çështja e administrimit të shpërndarjes së kartave të identititet qytetarëve shqiptarë. “Ne mbështesim propozimin e bërë nga Partia Socialiste për ngritjen sa më shpejt të komisionit të monitorimit të këtij procesi të rëndësishëm, me qëllim që ai të mos zhvendoset dhe të mos përfundojë, siç mund të kenë përfunduar herë të tjera, iniciativa të kësaj natyre, si nga Partia Demokratike dhe nga mazhoranca”, - tha Milo. Duke renditur më tej një tjetër problem të aktualitetit politik shqiptar ai tha se shumë problem janë bërë dhe sulmet ndaj Presidentit Topi. “Është e pafalshme dhe e palejueshme që të fyhet, të ofendohet dhe të sulmohet në mënyrë agresive dhe në mënyrë të vazhdueshme Presidenti i Republikës, i cili ka integritetin e tij të plotë. Ai po sulmohet nga njerëzit e partisë së tij dhe kjo gjë nuk është në nderin e Partisë Demokratike”, - tha ai. Sipas Milos arsyet e këtij sulmi të ashpër ndaj Topit janë sepse ai është garant i Kushtetutës dhe si i tillë ai ka tërhequr vëmendjen në mënyrë të vazhdueshme, qoftë nëpërmjet kthimit të akteve ligjore të Parlamentit, qoftë duke tërhequr vëmendje me deklaratat e tij për respektimin e Kushtetutës. “Pikërisht kryeministri Berisha dhe ndonjë drejtues tjetër i Partisë Demokratike, nuk dëshiron që Presidenti i Republikës të respektojë Kushtetuën, por përkundrazi ata kërkojnë që ai të bëhet bashkëfajtor në shkeljen e Kushtetutës, gjë që ata kanë bërë në mënyrë të vazhdueshme”, - tha Milo. Madje sipas kreut të PDS-së, ata nuk dëshirojnë që Presidenti i Republikës të mbrojë në mënyrë kushtetuese institucionet e drejtësisë, Prokurorinë e Përgjithsme, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe sidomos Gjykatën Kushtetuese. Ai shtoi se Kryeministri po sulmon Gjykatën Kushtetuese si të vetmen mënyrë për të vënë në zbatim ligjin e dosjeve që u miratua në mënyrë të njëanshme. Milo tha se një tjetër shembull i qartë i presonit jo vetëm mbi gjyqësorin por dhe mbi administratën është shkarkimi i kryetarit të Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. “Sigurisht që këtu fshihen çështje dhe allishverishe për pronat e bregdetit dhe për mjaft prona të tjera, të cilat i janë bërë të njohura opinioit publik, që janë në objektin e interesave të mazhorancës dhe të individëve të veçantë”, - përfundoi ai.

Ky lajm është publikuar: 23/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›