E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodra e 2009-ës, ja investimet që do të kryhen

Autori i Lajmit: red.
"Viti 2009 do të jetë një vit shumë intensiv në drejtim të investimeve që Bashkia e Shkodrës ka planifikuar në sektorë të ndryshëm", - tha dje për meidat, kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka. Sipas tij, buxheti i Bashkisë së Shkodrës, një ndër më të mëdhenjtë në vendin tonë, për vitin 2009 është 764 milionë e 961 mijë lekë, ku 418 milionë e 600 mijë lekë u përkasin të ardhurave të Bashkisë dhe 346 milionë e 361 mijë lekë nga buxheti i shtetit. Kryetari i Bashkisë, Luka, theksoi se "i rëndësishëm është fakti se ndryshe nga vitet e mëparshme, kur është dashur të kalojnë disa muaj, shoqëruar edhe me shumë debate në Këshillin Bashkiak, për herë të parë, viti i ri kalendarik i Bashkisë fillon me një buxhet të miratuar përpara fillimit të tij". "Nga ky buxhet, 224 milionë e 185 mijë lekë do të jenë në dispozicion të investimeve, përqendrimi më i madh i së cilës është planifikuar në sektorin e shërbimeve publike, për të vijuar më pas edhe në sektorët e arsimit, shëndetësisë, kulturës, sportit, etj", nënvizoi Luka, duke shtuar se është një buxhet që ka një barazi në shpërndarje e drejtpeshim duke marrë në konsideratë të gjitha nevojat e rajoneve dhe komuniteteve të tyre, pavarësisht nga natyrat dhe specifikat e ndryshme të kërkesave. Kryebashkiaku Luka duke iu referuar vitit që kaloi, tha se "kemi realizuar detyra dhe objektiva të rëndësishme gjatë 2008, por dhe më të mëdha na presin për vitin në vazhdim". "Ndër investimet më të spikatura të vitit të kaluar, me fondet e Bashkisë dhe të qeverisë shqiptare është realizimi i fazës së parë të Landfildit Bushat me mbi 1 milion euro, ndërsa në vitin 2009 fillon faza e dytë me vlerën gjithsej të projektit 4.3 milionë euro", - tha Luka. Ai theksoi se po gjatë vitit 2008 u realizua unaza e krahut lindor prej 4.7 km, financim i qeverisë italiane dhe qeverisë shqiptare, pjesë e Segmentit Shkodër-Hani Hotit, hyrja e qytetit me një vlerë totale prej 129 milionë lekë akorduar nga Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit, si dhe investime të tjera në rrugë, trotuare, ndriçim, gjelbërim etj. Kryebashkiaku Luka shtoi se "Bashkia do të ketë përparësi zhvillimin e qytetit në përputhje me Planin e Zhvillimit Strategjik për periudhën 2005-2015, i cili është drejt realizimit të plotë të tij, pjesë e së cilës ëshë lokalizimi i të zonave urbane për ndërhyrje e zhvillim urban dhe mjedisor, krijimi i identiteteve të reja urbane nëpërmjet ndërhyrjeve të forta rikualifikuese, etj".
Ky lajm është publikuar: 23/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›