E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Kinës dënon me vdekje 2 persona për skandalin e melaminës

Autori i Lajmit: red.
Gjykata në Kinë ka dënuar me vdekje 2 nga 21 personat, të cilët ishin arrestuar pas skandalit të qumështit të kontaminuar me melaminë në Kinë. Vitin e kaluar vdiqën gjashtë foshnje dhe u sëmuren rreth 300 mijë fëmijë të tjerë, pasi qumështit i ishte shtuar lënda e melaminës për të rritur nivelin e saj proteinik. Njëri prej dy personave që morën dënimin kapital kishte shitur më shumë se 600 tonelata të qumështit për fëmijë, i cili ishte holluar me ujë dhe i ishte shtuar substanca kimike melaminë, për të fshehur mungesën e proteinave në qumësht. Ish-drejtori i kompanisë “Sanlu Group”, e cila ka shitur qumështin, është dënuar me burg të përjetshëm. Tian Venhua, është dhe figura më e njohur e cila është dënuar. Jashtë godinës së gjykatës në qytetin e Shijiazhuangut, ishin mbledhur një numër i madh të afërmish, të cilët akuzonin se nuk i kishin lejuar të merrnin pjesë gjatë seancës, pasi i ishin trembur një rebelimi i mundshëm të tyre brenda gjyqit. Të afërmit dhe avokatët kanë ngritur pikëpyetje se përse asnjë zyrtar tjetër qeveritar nuk është akuzuar dhe përse skandali që përfshiu 22 kompani, ka çuar në akuzë vetëm 21 persona. Ata thanë se zonja Tian duhet të kishte marrë dënimin me vdekje. Kur skandali shpërtheu në muajin shtator të vitit të kaluar, u zbulua se “Sanlu” ishte në dijeni të faktit që po shiste qumësht të helmuar, madje lejoi dhe një sasi prej 900 tonësh të dilte në treg. Në këtë kohë partneri ekonomik, Zelanda e Re, ndërhyri që prodhimi dhe shitja e qumështit të ndalej. Tian Venhua u shpall fajtore në muajin dhjetor për prodhim dhe shitje të produkteve false. Gjykata e dënoi atë më burgim të përjetshëm dhe një gjobë prej 2.9 milionë dollarësh. Vetë firma “Sanlu” është gjobitur me 7.2 milionë dollarë, por nuk dihet ende se si do t i paguajë, pasi ka shpallur falimentin. Gjykata dënoi me vdekje fermerin Zhang Yujun, dhe tregtarin të qumështit Geng Jinping. Zhang Yujun ishte akuzuar për hapjen e një pike të jashtëligjshme prodhimi, ku kishte prodhuar 600 tonë pluhur proteinik melaminë, në provincën e Shandongut në Kinën Lindore. Ndërsa Geng Jinping u dënua me vdekje për prodhimin dhe shitjen e produkteve helmuese në bazën e tij të prodhimit të qumështit. Një tjetër personi iu hoq dënimi me vdekje, dy të tjerë u dënuan me burgim të përjetshëm dhe 6 persona përfshirë këtu dhe drejtuesit e “Sanlu” u dënuan nga 5 deri në 15 vite burg si pjesë e këtij skandali, raporton agjencia e lajmeve Xinhua. Këta janë në mesin e 21 personave të dënuar nga gjykata në Kinën Veriore ku gjendet kompania “Sanlu”. Ky skandal ka njollosur dhe imazhin e industrisë së ushqimit kinez si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Ky lajm është publikuar: 23/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›