E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR, Alibali: 8 Dhjetori të shpallet festë kombëtare



Republikanët e konsiderojnë 8 Dhjetorin një ditë lavdie për të gjithë shqiptarët dhe i kërkojnë qeverisë që kjo datë të shpallet festë kombëtare, si dita përkujtimore e demokracisë. PR-ja, përmes nënkryetarit Neritan Alibali, ftoi të gjithë shqiptarët, pa dallime partiake, që sot t’i bashkohen festës së madhe në sheshin “Skënderbej”. “Mitingu është shprehje e bashkimit të të gjithë shqiptarëve me idealet e Dhjetorit. Si i tillë, ai do të shprehë krenarinë, rikonfirmimin, angazhimin dhe respektin e përgjithshëm qytetar për ato”, - deklaroi z. Alibali. Në mënyrë të veçantë, PR fton që të marrin pjesë socialistët shqiptarë, të cilët janë distancuar nga diktatura komuniste dhe zgjatimet e tyre dhe mbështesin fuqimisht aspiratat evropiane të vendit tonë. Sipas Alibalit, 8 Dhjetori nuk na ndan, përkundrazi, vetëm na bashkon në rrugën tonë për ta bërë Shqipërinë më demokratike, më të zhvilluar dhe të integruar plotësisht në Bashkimin Evropian. “8 Dhjetori është një ditë e madhe historike për popullin tonë, që jo vetëm na ndau nga një e kaluar e errët, por edhe na futi në rrugën e zhvillimit, lirisë dhe demokracisë. 8 Dhjetori është realizimi i aspiratës së madhe të brezave të tërë të atdhetarëve shqiptarë” - u shpreh Neritan Alibali.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›