E Diel, 1 Nëntor 2026

Emërimet; deputetët, Berishës: Ministrat po na shpërfillin

Deputetët demokratë ndihen të përjashtuar nga procesi i emërimeve në administratë, duke kritikuar shpërfilljen e ministrave, të cilët, sipas tyre, nuk marrin parasysh mendimet në këtë rast. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, disa nga deputetët e kësaj partie iu ankuan Kryeministrit Sali Berisha se ata po shpërfillen nga ministrat në rastin e emërimeve nëpër institucione. Deputetët Pualin Sterkaj dhe Lefter Maliqi gjatë mbledhjes së grupit kuvendor i bënë të ditur z. Berisha se krerët e grupeve të 12 qarqeve të vendit prej kohësh vendosin në kokën e tyre për çdo lloj emërimi në dikasteret shtetërore, ndërkohë që nuk marrin mendimin e asnjë prej deputetëve. Në diskutimin pa praninë e mediave të mbledhjes së djeshme, burimet brenda grupit parlamentar bëjnë të ditur se vetë Kryeministri Berisha u ka dhënë të drejtë deputetëve, ndërsa ka kërkuar nga drejtuesit e qarqeve, që janë dhe ministra në kabinetin qeveritar, që të marrin edhe mendimet e deputetëve për t’u bërë edhe ata pjesë e emërimeve. Z. Sterkaj u ankua për qarkun e Shkodrës, ndërsa deputeti Maliqi për qarkun e Beratit. Sipas tyre, në mënyrë të vazhdueshme janë bërë emërime nga më të ndryshmet, por asnjëherë nuk kanë pyetur për emërimet që janë bërë. Pjesë e diskutimit të djeshëm u bë edhe Aldo Bumçi, deputet i qarkut të Tiranës, i cili ndryshe nga dy kolegët e tij, u përqendrua tek një propozim i ri, atë të ndërmarrjes së takimeve me elektoratin në bazë qarqesh për prioritet dhe nismat e qeverisë dhe angazhimet e saj përgjatë këtij viti. Por kreu i qeverisë përveç mbështetjes së kësaj ideje, sugjeroi që në këto takime të flitet edhe për qëndrimet e opozitës, politikën e saj bojkotuese dhe ngërçin politik që ka krijuar me moshyrjen në Parlament. Z. Berisha vuri në dukje se shqiptarët duhet të jenë në dijeni të politikave që po ndjek opozita e kryesuar nga Edi Rama. Z. Berisha, ndryshe nga herë të tjera, nuk u ndal gjatë në procesin e zëvendësimit të deputetëve të majtë, ndërkohë që ka bërë të qartë se afati i fundit kushtetues është data 4 mars dhe pas këtij limiti skadojnë mandatet, çka do të thotë nisja e proceduarve të zëvendësimit të 64 emrave aktualë. Në bazë të Kushtetutës, zëvendësimi do të vazhdojë deri në shterim të listës së PS-së, në rast se kjo parti vendos të mos heqë dorë nga bojkoti

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›