Vizat, Berisha: Drejt fundit përmbushja e detyrimeve tona
Qeveria shqiptare pret e sigurt brenda 6 muajve të ardhshëm vendimin nga BE-ja për liberalizimin e vizave. Gjatë mbledhjes së djeshme të Komitetit Ndërministror, Kryeministri Sali Berisha njoftoi dje se deri tani është plotësuar shumica e kushteve të kërkuara që kanë të bëjnë me dokumentet e identifikimit dhe sigurinë e kufijve. Në këtë drejtim, Kryeministri kërkoi miratimin sa më parë të ligjit për moratoriumin e skafeve. Ai vuri në dukje se heqja e moratoriumit për skafet është e pashpresë për sa kohë që qeveria e tij të jetë në pushtet si një mjet kundër krimit të organizuar, i cili shënon një kapitull të ri në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit ekonomik. Sipas Berishës, procesi i heqjes së vizave përbën një tërësi detyrimesh për qeverinë dhe autoritetet shqiptare të cilat po përmbushen me vendosmërinë më të lartë. Gjatë mbledhjes së djeshme u shqyrtua përmbushja e detyrimeve të mbetura nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. “Me këtë ligj, mafia, e cila gjatë këtyre viteve është fuqizuar në prona, duhet të humbasë çdo lloj pushteti ekonomik”, - theksoi z. Berisha. Kryeministri kërkoi nga Ministria e Brendshme të shohë mundësitë, të hyjë në tratativa me kompaninë e prodhimit të pasaportave që në disa zona, ku përqendrimi i popullsisë është më i madh, të mund të hapen zyra të reja. Kreu i qeverisë njoftoi se gjatë javëve që vijnë, do të ketë dy inspektime nga Komisioni Evropian lidhur me përmbushjen e detyrimeve dhe se duhet që të përparohet me çdo detyrim që rrjedh nga udhërrëfyesi. “Ligji kundër krimit të organizuar hyn në fuqi këto ditë. Ky është një ligj i shkëlqyer dhe shënon një kapitull të ri në luftën kundër krimit të organizuar në tërësi dhe krimit ekonomik në veçanti, si forma më e rrezikshme për vendin e krimit. Ky ligj kërkon një shkallë të lartë bashkëpunimi midis të gjitha agjencive të zbatimit të ligjit, bashkëpunim që po konsolidohet çdo ditë e më shumë. Ky ligj, i standardeve më të mira, u mundëson një veprim ligjor më të fuqishëm të gjitha agjencive të zbatimit të ligjit. Disa ndryshime në ligjin për Shërbimin Informativ të Shtetit shkojnë në këtë drejtim. Agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit janë të ftuara të bëjnë propozimet ligjore për vendime apo mendime në ligjin, në mënyrë që zbatimi i këtij ligji të njohë nivelet më të mira”, - tha z. Berisha. “Me këtë ligj, - shtoi ai, - mafia, e cila gjatë këtyre viteve është fuqizuar në prona, duhet të humbasë çdo lloj pushteti ekonomik. Berisha evidentoi se ka një vakum që u krijua me Komitetin e Luftës Kundër Krimit të Organizuar. Qeveria po shqyrton ngritjen e një bordi këshillimor apo të një komiteti, i cili të mund të mbikëqyrë problematikën e zbatimit të ligjit. Berisha informoi se gjatë javëve që vijnë do të ketë dy inspektime nga Komisioni Evropian lidhur me përmbushjen e detyrimeve tona. Ne tha ai duhet që ta avancojmë çdo detyrim që rrjedh. “Në këtë aspekt, i tërë kuadri ligjor i domosdoshëm, çfarë ka mbetur pa kompletuar, duhet të kompletohet brenda muajit shkurt. Dhe, shpreh kënaqësi dhe vlerësim që procesi i lëshimit të pasaportave biometrike po ecën me shpejtësi. Faktikisht, për frymë popullate, Shqipëria po arrin në nivelet më të larta të posedimit të këtyre pasaportave, të cilat janë dhe të standardeve më të mira”, - u shpreh z. Berisha. Kryeministri i kërkoi më tej ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, që të shihet mundësia për zbutjen e mënyrave të marrjes së pasaportave për qytetarët pasi ata kanë vështirësi gjatë këtij procesi. “Mundësisht të shihet mënyra për të zbutur marrjen e pasaportave për të gjithë ata që kanë aplikuar. Të hyhet në tratativa serioze më firmën, në mënyrë që në disa vende, ku është numri më i lartë i popullsisë, mund të hapen zyra. Tratativat të jenë mbi bazën komerciale dhe është plotësisht e mundur që të mos krijohet kjo vështirësi e tyre për t’u pajisur me dokumentet e domosdoshme. Pra, misionet e ardhshme duhet të gjejnë të përmbushura të gjitha detyrimet tona që rrjedhin nga udhërrëfyesi, në mënyrë që vendimi, i cili është shumë i shumëpritur nga qytetarët shqiptarë, të merret sa më shpejt, ashtu sikurse ka përcaktuar në rezolutën e vet Parlamenti Evropian për heqjen e vizave për Shqipërinë”, - theksoi z. Sali Berisha.