Mediat greke: Policia kishte dijeni për arratisjen e Alket Rizait
Sipas mediave, dy kriminelët po presin që forcat e Rendit të ulin masat e kontrollit, kështu ata mund të lëvizin lirisht drejt një vendi tjetër, ndoshta për në Shqipëri
Policia kishte dijeni për arratisjen e shqiptarit Alket Rizai dhe shokut të tij grek, Vasilis Paleokostas, por nuk bënë asgjë për ta parandaluar atë. Këto kanë qenë deklarimet e bëra dje në mediat greke, të cilat theksojnë se “policia ishte në dijeni se Vasilis Paleokostas dhe shqiptarit Alket Rizai po përgatisnin arratisjen nga burgu, megjithatë ato nuk bënë asgjë për ta parandaluar”. Po sipas medieve greke, “shqiptari Alket Rizai, i cili u arratis të dielën e kaluar nga burgu i Koridhalos në Athinë së bashku me grekun Vasilis Paleokostas, mund të jenë fshehur në periferi të Athinës dhe po planifikojnë të hyjnë në Shqipëri”. “Ka gjasa që dy kriminelët po presin që forcat e Rendit të ulin masat e kontrollit, kështu ata mund të lëvizin lirisht drejt një vendi tjetër”, - shkruanin dje mediat greke. 15 njësi të forcave speciale vazhdojnë operacionet e kërkimit në rajonet malore të Greqisë Qendrore, të cilat njihen mirë nga Vasilis Paleokostas. Sipas mediave greke, policia është në kërkim edhe të shqiptarit Panajotis Papas, një figurë kryesore që ka ndihmuar në arratisjen e tyre, si dhe ishte bashkëpunëtor i Alket Rizait në arratisjen e parë të tij.
Hetimi
Shërbimet sekrete po kontrollojnë telefonatat e fundit që janë bërë nga celularët e sekuestruar në shtëpitë e personave, të cilët ishin përfshirë në arratisjen e parë, për të zbuluar ndonjë detaj të ri të vendndodhjes së dy të arratisurve. Gjithashtu, policia po heton dhe filmimet e marra nga kamerat e burgut, të cilat janë instaluar për të regjistruar çdo gjë që ndodh në korridoret mes qelive të dy kriminelëve, madje dhe gjatë orarit të lirimit, kur ata qëndronin jashtë në oborr.
I burgosuri Samaras
Me para dhe bashkëpunëtorë, çdokush mund të arratiset
Një ndër miqtë e dy të arratisurve, Kostas Samaras, aktualisht në burg dhe i njohur për tentativat e tij të arratisjeve, citohet nga mediat greke teksa komenton këtë ngjarje: “Me para dhe bashkëpunëtorë, çdokush mund të arratiset! Paleokostas dhe Rizai nuk kishin shumë alternativa për të zgjedhur për t’u arratisur, pasi ata ishin nën masa shumë të sigurta në Koridalos. Kjo është mënyra më e padhembshme që mund të arratisesh nga Koridhalos”, - thotë Samaras për mediat serbe, duke shtuar se “nëse ke një mendje të kthjellët dhe je i vëmendshëm, mund të arratisesh nga çdo burg sado i sigurisë së lartë të jetë ai”. Duke komentuar zhvillimin e ngjarjes, Samaras komentoi se “një arratisje e tillë mund të organizohej edhe pa pasur ndihmën brenda në burg”. Në 1992, së bashku me vëllanë e Paleokostas, Kostas Samaras grabitën degën e bankës kombëtare greke në Kalambaka, duke vjedhur shumën prej 12 milionë dhrahmish. Për arratisjen me helikopter nga burgu të grekut Vasilis Paleokostas dhe shqiptarit Alket Rizai, këtë javë gjykata dënoi me burg dy nga pesë gardianët e burgut Koridhalos të Athinës. Shefi i gardianëve u dënua me tre vite burg dhe gardiani i shërbimit me gjashtë muaj burg. Të dy kërkuan apelimin e vendimit dhe u liruan, ndërsa tre të akuzuarit e tjerë u shpallën të pafajshëm dhe u lanë të lirë.