E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendra historike e kryeqytetit

Tritan Shehu

Që në fillim dëshiroj të theksoj se unë nuk jam as arkitekt, as urbanist dhe as që pretendoj që mund të jap një mendim të kualifikuar teknik në këto fusha shumë të elaboruara. Unë jam thjesht një qytetar i Tiranës, që kam lindur e jam rritur në këtë qytet. Një qytet ky i bukur, i thjeshtë, me pak ambiente dhe monumente historike. Por megjithëse të pakta këto në numër, janë pa dyshim pjesët më esenciale të identitetit të saj. Asnjë qytet nuk mund të mbijetojë pa këtë identitet. Disa e kanë këtë mijëra vjeçare, disa qindra vjeçare, të tjerë dhjetëra vjeçare. Por të gjithë e ruajnë atë me fanatizëm e askush nuk guxon ta shkatërrojë apo tjetërsojë. Pa dyshim qytetet rriten e zhvillohen, por rriten kryesisht në hapësira të reja, jo duke shkatërruar historinë, vlerat e tyre, aq më tepër kur ato janë thelbësore e esenciale për identitetin e qytetit. Ata rriten duke restauruar e konservuar identitetin, duke krijuar të tjera ambiente, që mbajnë vulën e periudhës së ndërtimit të tyre dhe që kështu së bashku krijojnë historinë e qytetit, fizionominë dhe shtatin e tij, të dallueshme këto në etapat e zhvillimit. Zbulimet e fundit arkeologjike në Tiranë po e pasurojnë këtë tabllo. Fatmirësisht këto tashmë po vlerësohen, zbulohen, restaurohen e konservohen. Kjo flet për një koshiencë qytetare ndaj vlerave, ndaj traditës sonë, tashmë në rritje.
Dhe pikërisht në këto vite, kur njerëzit po e vlerësojnë gjithmonë dhe më tepër identitetin, historinë, të veçantën, qoftë si vlera morale, njerëzore, kulturore, qoftë dhe si vlera të ardhurash materiale nëpërmjet turizmit, veprimtarive të ndryshme tërheqëse mbi këtë bazë, në qendrën tonë të Tiranës po ndodh një fenomen krejt i kundërt.
Po tentohet të shkatërrohet e tjetërsohet sheshi “Skënderbej”, qendra e qendrës historike të kryeqytetit tonë. Dhe gjithçka po realizohet nga Bashkia e Tiranës, kryetari i saj, krejtësisht jashtë çdo transparence e rruge ligjore, në një kohë që dhe ndryshime shumë më të vogla do të justifikonin edhe organizimin e një referendumi në Tiranë.
Kjo pjesë e qytetit është ndërtuar me mjeshtëri në vitet 1920-‘30, si thelbësore dhe e mirë, vendosur në një ambjent të gjerë bulevardesh, godinash, institucionesh kulti etj, që përbëjnë identitetin e Tiranës. Në këtë mënyrë ajo përbën thelbin e imazhit, personalitetit, krenarisë të kryeqytetit, dhe jo vetëm të tij. Goditjen e parë të madhe kësaj qendre ja dha rrëgjimi komunist. Një pjesë e madhe e elementëve të saj u shkatërruan gjatë asaj periudhe, u zëvendësuan me arkitektura monstruoze, modele nga më të ndryshmet, një pjesë të importuara nga një kulture lindore e panjohur për ne. Komunizmi shqiptar, si çdo diktaturë tjetër, dëshironte të shkatërronte çdo traditë, çdo të kaluar. Ai shkatërroi e ndërtoi aty, veçse për të mohuar historinë, vlerat, duke dashur të transmetonte idenë se jeta në atë qendër, si në të gjithë Shqipërinë, fillonte me 1945. Megjithatë ai regjim nuk guxoi ta tjetërsonte tërësisht atë qendër e sheshin e saj. Kështu Tirana dhe mbas gjithë kësaj batërdije, arriti të ruante diçka të veten, historike, të ngrohtë, elementë, që e kanë shoqëruar atë gjatë rritjes. Dhe kjo u respektua tërësisht në vitet më pas. Ndërtimet e realizuara në periudhën ‘94-‘97 e ruajtën atë traditë. Le të kujtojmë stilin e ndërtimit në ato vite të Hotel “Rogner”, krejt në përputhje me ambientin përreth. Fatkeqësisht më pas gjërat filluan të ecin në mënyrën më të gabuar, për të arritur kulmin sot, me atë që po ndodh në sheshin “Skënderbej”.
Ky shesh është në çdo sens thelbi i qendrës sonë historike, fizionomia kryesore e saj, fytyra e Tiranës. Ta transformosh atë larg qenies së tij, ta shkatërrosh ketë identitet të ndërtuar mbi një vizion shumë më të gjerë se sheshi vetë, do të thotë të godasësh Tiranën në themelet e saj. Kjo tingëllon sikur kryeqytetin të tentosh ta kthesh në një “travestit apo transeksual”.
A mundet të ndodhë kjo diku tjetër, që dikush të kërkojë të transformojë p.sh. Piaza Venecian, Sheshin Omonia, Place de la Concorde etj., pra atë që është qendra historike, fytyra, simboli i secilit nga qytetet e botës. As mund të mendohet një gjë e tillë. Dhe Musolini, që deklaronte se vitet fillonin të numëroheshin nga periudha fashiste, nuk guxoi të prishë apo tjetërsoi ndonjë nga sheshet e Romës, ai veçse ndërtoi një të ri, me arkitekturën e kohës, atë në EUR. Kjo është e vërteta, sepse edhe për fashizmin kishte një limit, gjë që siç duket mungon tek ata që janë zgjedhur për të administruar Tiranën dhe që na kanë paraqitur sot si projekt për sheshin tonë, një maket gratacielash.
Këto ditë po flitet shumë për atë projekt. Flitet nëse është francez apo belg, për impaktin e tij mbi trafikun, për formalitetet burokratike, për korrupsionin që fsheh në përgatitjen dhe në idenë e tij. Por nuk thuhet aq sa duhet se ai shesh, ajo traditë është shqiptare, se jemi ne ata, që duhet të mbrojmë identitetin tonë, jemi ne ata që duhet të përcaktojmë linjat kryesore të zhvillimit të qendrës sonë. Detajet e teknikat vijnë më mbas. Fatkeqësisht, jo mjaftueshëm po artikulohen thelbi e pasoja, se krimi më i madh i asaj që po ndodh është shkatërrimi i historisë, tjetërsimi i fytyrës, zhdukja e identitetit që kërkohet t’i bëhet Tiranës, me disa makineri të grumbulluara në qendrën e saj.
Por nuk është vetëm kaq. Kjo tentativë e verbër në mes të kryeqytetit tonë shpreh në vetvete edhe diçka tjetër, një psikologji politike shumë shqetësuese. Kjo përmban në thelb një princip ekstrem diktatorial ne mendim e perceptim: historia fillon me mua. Kjo transmeton qartë tendencën për goditjen e rregullave, traditës, vlerave, historisë, pra shpreh brenda saj dhe anarshinë në mendim e veprim. Kjo transmeton megallomaninë e arrogancën për të ecur e për t’u vendosur mbi historinë. Kjo është esenca, domethënia dhe pasoja e asaj, që po ndodh sot te Sheshi Historik i Tiranës, te Qendra Historike e Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›