Rrëzimi i ligjit për makinat e gjyqtarëve, Qeveria lë pa rroga Gjykatën Kushtetuese
Aristir Lumezi
Gjykata Kushtetuese mbetet pa rroga. Në datën 1 prill, në llogaritë bankare të 49 punonjësve të këtij institucioni, përfshirë këtu dhe nëntë gjyqtarët, nuk ka kaluar asnjë pagë, ndërkohë që sot data është 9 prill. Sipas administratës së kësaj gjykate, një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë, pasi nga thesari pagat e punonjësve kanë kaluar në datën e caktuar, në fillim të çdo muaji. Duket se shkak për këtë vonesë, është bërë ligji i Qeverisë për makinat e gjyqtarëve, të cilin Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë si antikushtetues. Vendimi i kësaj gjykate, e cila lejon si dhe më parë përdorimin e makinave shtetërore nga ana e gjyqtarëve dhe mbajtjen në punë të shoferëve, hyn në fuqi në datë 20 prill, ndërsa që ai të ketë fuqi juridike, duhet që Qeveria të nxjerrë një vendim të Këshillit të Ministrave, që do të anulojë një vendim të marrë më parë prej saj, që pezullonte nga puna shoferët e gjyqtarëve si të panevojshëm, për shkak të heqjes së makinave të tyre. Me një vendim të marrë një ditë para pezullimit të ligjit nga Kushtetuesja, për heqjen e mjeteve të transportit për institucionet e pavarura, qeveria përcaktoi në detaje numrin e mjeteve dhe të shoferëve që do të ketë çdo institucion i pavarur, si dhe ministritë e institucionet në varësi të ekzekutivit. Por edhe pse Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e zbatimit të ligjit të maxhorancës që rregullon transportin e institucioneve, deri në dhënien e vendimit përfundimtar të saj, Qeveria nuk u tërhoq nga vendimi i saj, por e la atë në fuqi duke hequr nga puna një numër të madh shoferësh dhe mjetesh. Vendimi i Qeverisë përcaktoi numrin e mjeteve dhe shoferëve që do të kishin institucionet e pavarura, duke nisur që nga Presidenti i Republikës, Kuvendi i Shqipërisë, KLSH, Prokuroria e Përgjithshme, Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, Avokati i Popullit, Gjykata Kushtetuese, KQZ, KLD etj. Ky vendim i Këshillit të Ministrave bëri që numri i mjeteve dhe i shoferëve të ulej menjëherë, dhe pse, të paktën për gjyqësorin, Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e zbatimit të këtij ligji deri në marrjen e vendimit përfundimtar. Nga 11 shoferë që ka pasur Gjykata Kushtetuese, asaj iu lanë vetëm 3 dhe ky vendim hyri në fuqi, që në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Kjo bëri që Zyra e Administrimit të Buxhetit Gjyqësor të mos zhbllokojë fondin e pagave për të 11 shoferët e kësaj gjykate, dhe pse fondi i pagave për këtë institucion ishte miratuar që në janar të vitit 2009. Ky vendim i Qeverisë, i cili nuk u botua as në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave dhe as në Fletoren Zyrtare, u paraqit në Gjykatën Kushtetuese në seancën e shqyrtimit të kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve për shfuqizimin e këtij ligji si antikushtetues. Madje u kërkua që Gjykata Kushtetuese të kërkojë pezullimin e këtij vendimi, deri në përfundim të shqyrtimit të ankimimit nga kjo gjykatë. Në shkurt të këtij viti, Gjykata Kushtetuese rrëzoi ligjin e Qeverisë, që u hiqte makinat gjyqtarëve. Me një vendim 6 me 3, në favor të kërkesës së Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, Gjykata hodhi poshtë ligjin e Qeverisë, të miratuar pak muaj më parë nga maxhoranca parlamentare. Sipas vendimit të kësaj gjykate, ligji cenon pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
Ankimimi nga gjyqtarët
Unioni i Gjyqtarëve iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar ligjin e maxhorancës që u hiqte atyre mjetet e transportit. Unioni argumentonte në kërkesën e tij se ligji i ri i Qeverisë cenon pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe kërkon shfuqizimin e tij, sa i takon vetëm pjesës së trajtimit me mjete transporti të gjyqtarëve dhe jo deputetëve. Në kërkesën e tyre, ata i referohen funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Si institucione kushtetuese, funksionimi i këtyre gjykatave përcaktohet në Kushtetutë dhe si i tillë kërkon rregullisht tri të pestat e votave të deputetëve të Kuvendit dhe jo një shumicë të thjeshtë, ashtu siç është miratuar.