Berisha: Votim elektronik, pa kuti
BLEDAR HOTI
Për herë të parë kreu i maxhorancës, Sali Berisha, i paraqet si propozim opozitës idenë e zhvillimit të zgjedhjeve me anë të sistemit elektronik. Në seancën e pasdites së djeshme, kreu i Qeverisë ka bërë të ditur se do të nxjerrë socialistët nga kutia, duke i ofruar sistemin elektronik në zgjedhjet e ardhshme. "Do ju nxjerr dhe unë nga kutia, ju jap fjalën e nderit se në zgjedhjet e ardhshme nuk do të ketë më as kuti, as komisione dhe as fletë votimi. Po, po prit, keni frikë nga teknologjia. Mos u tregoni prehistorik. Më dëgjoni mua, do të marrë fund gjyqi i shëmtuar publik që po u bëni çdo ditë 20 mijë komisionerëve socialistë. S'ka më komisioner, ka vetëm votim me gjurmën e gishtit, të bazuar me ID-në. S'do ketë me fletë votimi, do ketë ekrane fletë votimi. S'do ketë më kuti me fletë votimi. çfarë do të thoni pastaj kur t'jua heq kutitë unë. Mor zotëri, të nderuar miq, shiko ju do keni prapë stilografët për të filmuar, i merrni dhe ato, do ju jap dhe bateri biles", tha Berisha. Duke iu drejtuar socialistëve, Kryeministri theksoi se "Ju garantoj që ju ndryshoni statutet, do të ndryshoj unë procedurat e votimit, ju ndryshoni statutet, unë do dixhitalizoj votimin, dhe pastaj çfarë do u mbetet ju? Jepini fund persekutimit që ju bëni 20 mijë burrave dhe grave të pafajshëm të partisë tuaj. Mos u merrni me to, merruni me Sali Berishën me kritika ndaj Qeverisë. Ky është problemi. Vazhdoni po do të mbeteni siç thotë Noli, si kofini pas të vjelit. S'do ju ngelet gjë tjetër veçse t'ju uroj, dje keni stimuluar humbjen përfundimisht, humbjen sukseseve në disa zgjedhje të partisë tuaj. T'ju rrojë lideri, po humbjen e keni të sigurt", deklaroi Kryeministri. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili ka cilësuar këtë propozim të Berishës si një shashkë të radhës, pasi, më parë duhet të zgjidhet kriza politike dhe ajo ekonomike.
"Berisha bën sikur nuk shikon, sikur nuk dëgjon për krizën politike dhe ekonomike të këtij vendi. Mirë që nuk dëgjoni, por të paktën mos mashtroni zoti Kryeministër. S'ka zgjidhje të krizës pa bërë transparencën e zgjedhjeve. Mos harroni që jeni Kryeministër i '96, se si i manipuluat ato. Mos harroni se ne ju akuzuam drejtpërdrejt ju zoti Kryeministër për 2009, që vodhët zgjedhjet me lista dhe me karta elektronike që e quani si kryevepër tuajën dhe Qeverisë tuaj. Tashti së fundmi ju ka mbetur edhe një merak, me sa duket është meraku i fundit. Pasi i vodhe zgjedhjet me turp me mjete primitive në '96, me karta e lista elektronike në 2009, tani të ka ngelur të vjedhësh dhe me votim elektronik. E pra këtë po ua premton shqiptarëve. Jo zoti Kryeministër, shqiptarët duan zgjidhjen e krizës politike dhe nuk je ti që siguron votimin elektronik apo zgjedhje të lira dhe demokratike, por jemi të gjithë bashkë", replikoi Ruçi. Kreu i grupit të PS-së shtoi se në rast do të jemi të gjithë së bashku, duhet që në radhë të parë duhet të merret në konsideratë kërkesa e opozitës për transparencën e zgjedhjeve dhe pastaj për përcaktimin e modaliteteve se si do të bëhet Kodi Elektoral apo votimet e ardhshme.