E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga nënës së dy fëmijëve, u dënua se nuk pagoi kredinë

Kërkimi Antikrimi Ekonomik i kryeqytetit e arrestoi sapo doli nga banesa, për të shkuar në punë

Një grua 37-vjeçare ka falsifikuar letrat sikur kishte blerë një banesë, ka aplikuar me këto dokumente në bankë për të marrë një kredi dhe në fund nuk ka paguar as kredinë. Bëhet fjalë për Silvana Vishën, e cila ka marrë një kredi prej 33 mijë dollarësh me dokumente false, e prej tyre ka shlyer vetëm 10 mijë. Për këtë arsye, ajo është dërguar për procedim penal dhe pasi nuk ka paguar as gjobën e vënë nga gjykata, policia e ka shpallur në kërkim dhe e ka arrestuar. Arrestimi i saj është kryer mëngjesin e djeshëm, kur kishte dalë nga banesa për të shkuar në punë. Nëna e dy fëmijëve është shoqëruar nga oficerët e Antikrimit Ekonomik, pasi dënimi i saj është konvertuar me 5 muaj burg. Sipas të dhënave të dosjes penale, gjithçka ka filluar më 24 prill 2006, kur Zyra e Përmbarimit ka shpallur shitjen në ankand të një “shtëpie banimi njëkatëshe”, pronë e Silvana Vishës. Ky vendim është shpallur, pasi ajo ka rezultuar debitore në një bankë me shumën prej 33 mijë e 331 USD. Në momentin që Përmbarimi ka bërë njoftimin për lirimin vullnetar, familjarët e asaj banese që ishin persona të tjerë, janë vënë në dijeni të faktit se Visha kishte falsifikuar dokumentet për pronën e tyre dhe e kanë denoncuar atë në polici. 37-vjeçarja i kishte propozuar njërës prej banoreve të banesës që të merrnin një kredi bankare dhe më pas të punonin në një dyqan ushqimor, që do ta merrnin me qira. Por, ajo ka denoncuar se ka firmosur një dokument pa e ditur se çfarë ishte. Me këtë dokument, duke marrë pronësinë e banesës, Visha ka shkuar dhe ka marrë kredi, duke e vendosur shtëpinë si kolateral. Ajo ka deklaruar se kredinë e donte për të blerë një banesë tjetër. Në këto kushte ka përfituar kredinë dhe gjatë pagesës ka dhënë 10 mijë USD. Por, më pas nuk ka paguar më, duke u zhdukur. Në këto kushte, banka ka kërkuar sekuestrimin e banesës dhe nxjerrjen e saj në ankand. E akuzuara e ka pranuar veprimin që ka kryer, duke falsifikuar dokumentet dhe ka përfituar gjykim të shkurtuar. Në këto kushte, gjykata e ka dënuar me një gjobë të majme. Por edhe këtë gjobë, ajo nuk e ka pranuar, duke iu shmangur. Duke parë këtë situatë, gjykata ia ka konvertuar gjobën me 5 muaj burg. Policia tha se sapo i ka ardhur vendimi i gjykatës, ka marrë gjithë masat, duke gjetur vendbanimin e saj dhe e ka arrestuar. Tashmë, ajo do të njihet me vendimin e gjykatës dhe do të vuajë dënimin e marrë për mashtrim me kredi dhe falsifikim dokumentesh.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›