E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët shqiptarë rikthehen në Itali dhe Greqi

Mbi 7000 emigrantë shqiptarë kaluan në 24 orët e fundit nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, në rrethin e Devollit, për në shtetin fqinjë, Greqi.
     
Gjatë ditës së shtunë kanë dalë nga territori ynë 3400 shtetas me 780 mjete, ndërkohë që  afro 4000 të tjerë  kanë kaluar për në Greqi deri në mesditën e së dielës. Nga pala shqiptare dhe ajo greke mësohet se është punuar me kapacitet të plotë për të përballuar këtë dyndje të menjëhershme në kufi, duke shmangur kështu vonesat dhe radhët e gjata.
     
Sipas të dhënave nga vendkalimi kufitar i Kapshticës, pjesa më e madhe e emigrantëve tashmë kanë ikur drejt shtetit fqinj dhe vetëm një numër i vogël i tyre pritet të kalojë gjatë ditës së hënë. Dita e diele ka shtuar qarkullimin ndërkufitar, por situata sipas policisë kufitare, ka qenë normale dhe pa probleme. Në dispozicion të emigrantëve të fundit që po lënë vendin për t'iu rikthyer punës në Greqi, janë vënë 5 sportele për regjistrimin e tyre në dalje.
 
Ndërkohë, rreth 4000 emigrantë kanë udhëtuar dy ditët e fundit drejt Italisë, me tragetet që përshkojnë linjën detare Vlorë-Brindisi. Gjatë ditës së sotme udhëtuan drejt Italisë 1000 emigrantë si dhe 220 automjete, ndërkohë që një ditë më parë, numri i tyre arriti në 3000 vetë dhe 750 automjete.
      
Pavarësisht rënies së fluksit të emigrantëve që udhëtojnë drejt Italisë, policia kufitare ka dyfishuar numrin e sporteleve që funksionojnë për kryerjen e procedurave të kontrollit të dokumenteve, duke e çuar atë në tetë dhe ka shtuar edhe personelin. Si rezultat, gjatë këtyre ditëve janë shmangur radhët e gjata në mjediset e portit dhe në afërsi të tij, duke krijuar kushte normale për mbingarkimin e udhëtarëve në tragete.
      
Gjatë këtij viti, në pikën kufitare të portit të Vlorës kanë hyrë rreth 66 mijë udhëtarë, pjesa më e madhe turistë dhe emigrantë, që jetojnë e punojnë në Itali e vende të tjera, që përbën një shifër rreth 10 për qind më të lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm gjatë muajit gusht, janë regjistruar rreth 21 mijë persona që kanë hyrë në pikën kufitare të këtij porti, pasi kanë udhëtuar me tragetet e linjës detare Brindisi-Vlorë.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›