Topalli nderon 5 personalitete të historisë së shtetit shqiptar
TIRANË- Është zhvilluar dje ceremonia e dekorimit me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, pas vdekjes, të pesë personaliteteve të historisë, firmëtarë të Aktit të Pavarësisë dhe patriotë të shquar, të cilët ishin lënë në hije nga regjimi komunist. Në ambientet e Kuvendit dhe nën kujdesin e kryeparlamentares Jozefina Topalli u dekoruan dje, Lef Nosi, Dom Nikollë Kaçorri, Mit’hat Frashëri, Pandeli Evangjeli dhe Ali Këlcyra. Urdhri “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” iu dha këtyre atdhetarëve të shquar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me propozim të Kryetares Topalli. Të pranishëm ishin familjarë të firmëtarëve, historianë e studiues, deputetë, analistë të medias, etj. Gjatë fjalës së saj, Jozefina Topalli u shpreh se, dekorimi i pesë personalitete të historisë nuk është një nder që sot i bëhet atyre, por një nder që kanë bëra ata ndaj nesh dhe historisë sonë. “Sot nuk ka më firma të munguara në Aktin e Pavarësisë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Mendoj se nuk mund të ketë kurrë as vlerësime të munguara. Shprehja e mirënjohjes dhe vlerësimit për ta, në fakt është një shprehje mirënjohjeje shtesë ndaj Aktit të Pavarësisë”,- tha Topalli. Në vijim, historianë, studiues e analistë të medias folën për figurat e Pandeli Evangjelit, Lef Nosit, Dom Nikollë Kaçorrit, Mit’hat Frashërit dhe Ali Këlcyrës. Referuesit që morë fjalën gjatë ceremonisë, duke vlerësuar lart kontributin e tyre, jo vetëm në shpalljen e Pavarësisë, shprehën vlerësim edhe për kontributin që këto figura kanë dhënë edhe për ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar, si dhe për mbrojtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar.