E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Asnjë lek për KESH-in në 2008

“KESH e mori kredinë prej 5 miliardë lekësh që në fund të këtij viti, duke konsumuar financimet në 2008”
Ministri i Financave, Ridvan Bode ka premtuar dje se qeveria nuk do të japë asnjë lek për Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare duke konfirmuar në këtë mënyrë edhe rritjen e çmimit të energjisë. KESH ka kërkuar një rritje të çmimit mesatar të energjisë me 37%, nivel që sipas Korporatës nuk kërkon që kjo kompani të subvencionohet më nga Buxheti i Shtetit. KESH ka propozuar çmimet sipas tabelës së mëposhtme dhe vetëm nëse ERE do të pranojë këtë rritje të çmimeve Korporata mund të furnizojë me energji konsumatorët. “Veç, sa më sipër, me ndërhyrjen në këtë akt normativ ne mundësojmë që t’i transferojmë KESH-it deri në 5% të PBB-së si kredi dhe kjo përbën atë shpenzim që ishte parashikuar për vitin 2008, por po e paguajmë në vitin 2007, që të kemi më pak detyrime gjatë vitit të ardhshëm, në mënyrë që buxheti të ecë në të gjithë kapacitetin e tij sipas programit”,- tha Bode. Kjo deklaratë e bërë nga ana e kreut të Financave vjen në një kohë që kemi një rritje të ndjeshme të kapaciteteve hidrike në kaskadën e Drinit.
Rritja e çmimit
Energjia do të jetë padyshim një nga kostot shtesë që duhet paguar nga çdo familje dhe biznes, që prej 1 marsit të vitit 2008. Rritja në çmime tashmë është pranuar edhe nga qeveria, ndërsa debatet janë shtrirë mbi faktin se, cilat kategori do të paguajnë barrën prej rreth 37% që kërkohet nga ana e KESH për të pasur një rezultat financiar të pranueshëm për vitin 2008, por jo pozitiv, sipas KESH.
Rritja e çmimit për familjarët
Në propozimin e KESH, për vitin 2008 parashikohet që çmimi mesatar i energjisë për konsumatorët individualë të jetë 8.4 lekë/kWh, nga 7 lekë/kWh që paguhet aktualisht. Rritja e çmimit mesatar të energjisë është 20% për të gjithë konsumatorët familjarë, ose e thënë ndryshe. për çdo faturë të KESH duhet që të paguhet 20% më shumë, p.sh., për një konsumator që harxhon aktualisht 5 mijë lekë energji, shpenzimet nga 1 marsi shkojnë në 6 mijë. Për të gjithë ata konsumatorë që kanë një shpenzim mujor deri në 400 kWh rritja e çmimit do të jetë me rreth 4.3%. Çmimi për këtë grup konsumatorësh do të shkojë në 7.3 lekë/kWh nga 7 lekë/kWh që është tani. Ndërsa, përsa i përket të gjithë konsumit mbi 400 kWh do të keni një rritje të fortë. Çdo kilovat mbi limitin 400 mujor, do t’i kushtojë familjarëve që prej 1 janarit të vitit 2008, 12 lekë, nga 7 lekë që është çmimi aktual i kilovat/orëve. Rritja e çmimit për bllokun mbi 400 kilovat/orë parashikohet që të jetë me rreth 72%.
Biznesi, rritja super e çmimit
Rritja e çmimit të energjisë parashikon që të ketë një rritje të ndjeshme për sipërmarrjen. Biznesi është edhe kategoria që do të paguajë çmimet më të larta, sipas kategorive të rritjeve që ka propozuar KESH. Me ardhjen në pushtet në vitin 2005 qeveria lançoi politikën e saj për çmime të ulëta të energjisë për biznesin, por duket se kjo politikë nuk mund të zgjasë më gjatë. Që prej marsit të vitit që vjen, biznesi do të ketë një rritje të ndjeshme në çmime. Rritja mesatare e çmimeve për biznesin është rreth 52%. Rritjen më të madhe e ka çmimi i energjisë për bizneset që operojnë me tension të lartë. Rritja e çmimit për këtë kategori shkon në 93.3%. Ndërsa për të gjitha kategoritë e tjera të bizneseve që operojnë me tension të ulët apo të mesëm, rritja është mbi 50%.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›