E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët, 200 milionë euro më pak

 zirina llambroPër vitin 2009 emigrantët kanë sjellë në Shqipëri rreth 200 milionë euro më pak. Të dhënat vijnë nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin IOM. Sipas statistikave, rezulton se për këtë vit dërgesat janë ulur me afro 3%. “Remitancat kanë pësuar rënie në 9.6% të PBB-së nga 12.3% që ishin një vit më parë”, bëjnë me dije përfaqësuesit e IOM. Pra, nëse prodhimi i brendshëm bruto është rreth 9 miliardë euro diferenca nga kjo ulje shkon në rreth 200 milionë euro. Për shkak të krizës ekonomike që po kalojnë vendet pritëse të emigrantëve ekspert e kishin parashikuar këtë situatë. Madje, pritet që për shkak edhe të faktorëve të tjerë siç është integrimi në vendet ku jetojnë, remitancat të ulen më tej vitet që do pasojnë. Sipas IOM Plot 39% e emigrantëve kanë pohuar se u dërgojnë para të afërmve të tyre një herë në gjashtë muaj, ndërsa 19% njëherë në tre muaj. Këta tregues dëshmojnë se kjo ndihmë ka ndikim domethënës për rritjen e mirëqenies së marrësve të dërgesave, por edhe për shoqërinë në tërësi. Referuar të dhënave  të ardhurat nga shqiptaret që punojnë jashtë, arritën gjatë vitit 2008 në rreth 800 milionë euro nga 950 milionë që ishin në 2007. Janë rreth 190 mijë nga 728 mijë familje, ose afro 26 për qind e totalit të tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë, që përfitojnë dërgesa nga jashtë në formën e remitancave. Fluksi mesatar vjetor i dërgesave të emigrantëve për familje, vlerësohet afërsisht në 1.900 euro dhe ndryshon nga qyteti në qytet. Dërgesat janë më të shpeshta në zonat rurale. Në total llogariten rreth 900.000 emigrantë shqiptarë jashtë vendit. Më 18 nëntor në Ditën Ndërkombëtare të Emigrantëve, IOM bëri një bilanc të asistencës që ka ofruar për të garantuar menaxhimin e duhur dhe human të migracionit në Shqipëri. “Objektivi kryesor i zyrës së IOM-it në Shqipëri është mbështetja e vazhdueshme në zbatimin e plotë të Strategjisë Kombëtare për Migracionin dhe Planin e saj të Veprimit, si dhe identifikimi i mënyrave të ndryshme me anë të të cilave t’u jepet ndihmë migrantëve”, bëjnë me dije përfaqësuesit e IOM. Zyra e IOM-it ka punuar në Shqipëri që prej vitit 1992, në mbështetje të përpjekjeve të qeverisë për ta çuar më tej zhvillimin e vendit, duke përfituar nga migracioni. IOM-i punon në lidhje të ngushtë me aktorët ndërkombëtarë dhe vendorë, si edhe me qeverinë shqiptare për identifikimin në kohë të mënyrave me kosto sa më efektive për t’u bërë ballë sfidave të migracionit sipas prioriteteve të Bashkimit Evropian. Gjatë këtij viti zyra e IOM-it në Shqipëri dha mbështetje jo vetëm me vënien në zbatim të Strategjisë Kombëtare, planeve të saj të veprimit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, por edhe me përpjekjet e Shqipërisë për orientimin e migracionit drejt migracionit të rregullt dhe lehtësimin e politikave dhe praktikave të migracionit.statistikat

    Dërgesat kanë rënë në 9.6% GDP nga 12.3% GDP
    Gjithsej këtë vit dërgesat arrijnë në rreth 600 milionë euro
    Gjate vitit 2008 dërgesat rreth 800 milionë euro
    Gjatë 2007 dërgesat 950 milionë  euro
    Rreth 190 mijë familje sjellin dërgesa
    Fluksi mesatar vjetor i dërgesave është 1.900 euro për familje
    Llogariten rreth 900.000 emigrantë
    Ka kthime, rreth 69.000 në 2008 sipas Policisë së Kufirit dhe Migracionit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›