“Shtesa pa leje po na shemb pallatin”
zirina llambro“Pallati ynë nuk mban shtesë kati, ju lutem mbani përgjegjësinë që ju jep ligji për jetët tona, të cilat janë në rrezik”. Kjo është kërkesa e ripërsëritur e banorëve të një prej ndërtesave përbri Lanës, në bulevardin “Gjergj Fishta”. Për shkak të një shtese pa leje në katin e 3-të dhe themeleve të gërryera më shumë se 1 m nga bodrumet e kthyera në biznese, pallati rrezikon të shembet. Ankesa i është dërguar 3 herë me radhë brenda 3 muajve Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës edhe vetë kreut të tij Afrim Qendro. Pas një sërë letrash nisur që nga muaji gusht, nuk kanë parë asnjë reagim. Pasi kanë vënë në dijeni edhe Inspektoratin Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar kanë mundur të sigurojnë vetëm një përgjigje drejtuar këtij të fundit. Ajo mban firmën e kryeinspektorit Afrim Qendro. “Situata u verifikua. U vërejt ndërtim shtesë kati me rikonstruksion metalik pa leje ndërtimi. Në vijim të procedurave është nxjerrë vendimi për prishje objekti”, thuhet në këtë shkresë të firmosur nga Qendro në datën 28 shtator. Por konkretisht nuk është ndërmarrë asnjë masë. Shtesa tashmë është drejt fundit, ndërsa pallati rrezikohet të shembet. Muret kanë nisur të çahen në katin e tretë dhe në ato të mëposhtme. Banorët e pallatit tregojnë se çdo ditë e kalojnë me frikë. Kësaj here nuk bëhet fjalë për të ndalur vetëm një ndërtim që është bërë pa leje. Heshtja e Inspektoratit të bashkisë së Tiranës mund t’u kushtojë shtrenjtë familjeve që jetojnë aty. ”Ju rikujtojmë ngjarjen në Gjirokastër. Besoj se e dini përfundimin e personave përgjegjës të shembjes së pallatit. Ky nuk është kërcënim por realitet. Nga konsultimet që kemi bërë me specialistët përkatës ata deklarojnë se në kushtet kur edhe themelet janë gërmuar rreth 1 m dhe në katin e sipërm po bëhen shtesa pa leje ky pallat mund të shembet vetvetiu”, thuhet në letrën e fundit dërguar drejtorit të Inspektoratit Ndërtimor Afrim Qendro, që mban datën 17 nëntor 2009. Bashkangjitur letrës janë edhe fotografitë që dëshmojnë për çarjen e mureve mbajtës së pallatit. ”Nuk e kuptojmë mosveprimin tuaj zoti Qendro, pasi siç tregon dhe fotografia bashkëlidhur këtij pallati i janë çarë muret mbajtës. Ligji mbi Inspektoratin Ndërtimor dhe Urbanistikës ju jep të gjitha kompetencat”, thuhet në letrën e banorëve.Shkëmbimi i shkresaveBanorët e pallatit të Lanës nr.1 në bulevardin “Gjergj Fishta”, duke parë indiferentizmin e Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës i janë drejtuar edhe Inspektoratit Ndërtimor Kombëtar në vartësi të Ministrisë së Punëve Publike. Ky i fundit me anë të një shkresë zyrtare i kërkon kryeinspektorit të Bashkisë së Tiranës, që sipas ligjit të ndjekë problemin e ngritur nga banorët dhe t’i informojë ata. Pas kësaj shkrese kryeinspektori Afrim Qendro i ka kthyer përgjigjen zyrtare, ku pranon se shtesa është pa leje dhe se është marrë vendimi për prishje. Ndërkaq banorët nuk janë informuar dhe nuk është marrë asnjë masa.