E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, dëshmojnë shtatë të mitur

 Armand BajramiShtatë fëmijë të mitur të gjithë ish-punëtorë të fabrikës së çmontimit të municioneve në Gërdec, dëshmuan dje në Gjykatën e Tiranës. Administratori i kompanisë që ndërtoi fabrikën, Dritan Minxolli tha se ai po mbahet në burg prej më shumë se një viti, ndërsa administratori amerikan Patrick Henry, nuk është prekur. Të thirrur në gjykatë si dëshmitarë të akuzës, ishin edhe tre fëmijë ende në moshë të mitur. Ata dëshmuan në procesin në ngarkim të 29 të pandehurve të vënë nën akuzë për shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec. Adelina Cani, Florian Kurti, Taulant Haziraj, Floriana M., Florinda M., Thellenxa L., dhe Elion Kuti iu përgjigjën pyetjeve të palëve në proces për përvojën si punonjës në fabrikë, shpërthimi i së cilës vrau 26 persona dhe plagosi mbi 300 të tjerë. Ndërsa për dëshmitaren Blerta Primi gjykata vendosi leximin e deklarimeve të saj, për shkak se ajo jeton jashtë Shqipërisë dhe paraqitja në gjyq nuk është e mundur. Historitë e tyre përputhshin në mënyrën se si ishin punësuar duke u bërë pjesë e “organikës” së fabrikës së Gërdecit dhe në procesin e punës. Të gjithë kishin kontaktuar më parë drejtorin e fabrikës, aktualisht i pandehur, Dritan Minxolli, që i kishte marrë në punë. Asnjëri nga dëshmitarët nuk kishte firmosur kontratë punë apo rregullore me kushte të sigurimit teknik. Të miturit thanë se kishin firmosur një fletë të bardhë ku kishin vënë emër, mbiemër dhe një nënshkrim.  “PLAGE TE HAPURA”Shpërthimi i Gërdecit i kishte vrarë të fejuarin dhe familjen e tij, dëshmitares Adelina Cani. Deri para shpërthimit ajo gëzonte statusin e të fejuarës të Jetmir Deliut, familja e të cilit pësoi më shumë viktima nga tragjedia. Me doreza pa gishta në duar, që ngjanin më shumë me fasha, për shkak të plagëve të djegies ende të pambyllura, dëshmitarja Cani tha se në fabrikë punonte në repartin e hapjes së arkave të drurit me fishekë. “Unë punoja në një grup me të fejuarin dhe prindërit e tij, Qemal dhe Korre Deliu. Nuk kam nënshkruar kontratë” tha dëshmitarja. Cani pohoi para togave të zeza se kishte parë disa herë zjarre të vogla në fabrikë, zjarre që ishin fikur nga punëtorët me anë të kovave me ujë. Për ditën e ngjarjes dëshmitarja tregoi se kishte përjetuar krejtësisht gjendje shoku. “Kemi parë zjarr dhe kemi ikur. Jemi tmerruar. Nuk mbaj mend se çfarë ka ndodhur. Jam përmendur vetëm kur kam parë veten në spital. Nuk di se si kisha mbërritur deri aty. Kam qëndruar tre muaj në spital. Vazhdoj ende të kurohem”, tha dëshmitarja.   MINXOLLI, 5 milionë në muajMenjëherë pas dëshmisë së Adelina Canit dhe pohimeve të saj, se për të vazhduar kurimin e plagëve, detyrohej të merrte edhe para borxh reagoi nga kafazi i hekurt i sallës së gjyqit, Dritan Minxolli. “Albademir” ka pasur dy administratorë, ndërsa unë jam në masë sigurie “arrest me burg” administratori tjetër nuk është vënë para asnjë lloj përgjegjësie, as morale e as penale”, tha Minxolli. “Të gjitha asetet e Albademir janë të bllokuara nga gjykata dhe ne nuk kemi asnjë mundësi për të shlyer financiarisht individët e dëmtuar”, vijoi Minxolli duke siguruar se pas lirimit të aseteve ai do t’i përgjigjet financiarisht të dëmtuarve. Ndërkohë që për sigurinë në Gërdec Minxolli deklaroi se ajo ishte maksimale. “Deklaroj se para se të fillonte ky projekt unë kam pasur një punë shumë të mirë, një biznes privat. Nga përfaqësuesit e Albademir kam pasur një ofertë shumë të mirë. Paguhesha 5 milionë lekë të vjetër në muaj”, tha Minxolli. Në sallë ai deklaroi se “shkova si drejtor në fabrikë, pasi pashë se aty nuk kanosej asnjë rrezik”. 16 vjeçari: Më hoqën nga puna, para ngjarjesGabimi i bërë në procesin e punës kishte shpëtuar dëshmitarin Florian Kurti nga shpërthimi në Gërdec. Kjo për shkak se 2 ditë para shpërthimit, drejtori Dritan Minxolli e kishte shkarkuar atë nga puna, pasi kishte rrëzuar një koli me kuti metalike të mbushur me barut. Kurti, 16 vjeç teksa punonte në fabrikë, tha dje se në Gërdec kishte parë zjarre të vogla, të cilat ishin fikur nga punëtorët. Ndërsa si mjete punë ne hapjen e arkave me fishekë ai tha se kishte pasur një leve, çekiç dhe darë.Dy motrat e mitura: Punuam pa kontratëTIRANE – Binjaket Florinda dhe Floriana B. kishin shkuar së bashku në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec në qershor të vitit 2007. Ato ishin vetëm 15 vjeç kur kishin punuar në repartin e hapjes së arkave të fishekëve në Gërdec. Para gjykatës, në praninë e psikologes për shkak të moshës së mitur,  ato dëshmuan dje se nuk kishin nënshkruar kontratë dhe se firmë kishin vënë vetëm kur merrnin rrogën. Të miturat thanë se kishte edhe të tjerë të mitur që punonin në fabrikën dhe se kishin parë edhe amerikanë në Gërdec. Gjykata e Lartë ftoi palët të pajtohen, thirret ministriPlagosja në Gërdec, nis gjyqi ndaj Mediut, avokatët: Padia është showTIRANE – Gjykata e Lartë vendosi dje të thërrasë Ish-Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, për të qenë prezent në seancën përgatitore të procesit që ka nisur në ngarkim të tij, ku ministri aktual i Mjedisit është paditur prej 12 vjeçarit R. Durda, i plagosur nga shpërthimi i 15 marsit në Gërdec. Familjarët e të miturit të dëmtuar, së bashku me avokatët e Lëvizjes Mjaft, të cilët kanë marrë përsipër përfaqësimin juridik në gjykatë, i kërkuan gjykatës që kompromisi mund të arrihej vetëm nëse ministri Mediu do të ishte vetë i pranishëm në sallën e gjyqit. Pas kësaj gjykata vendosi që të shtynte seancën, që u zhvillua me dyer të mbyllura, për me datë 25 janar, kur do të përsëriste njoftimin për ministrin Mediu, njëkohësisht deputet i Kuvendit. Pas seancës, avokatët e ministrit Mediu thanë se kishin pretenduar në gjykatë se padia ndaj klientit të tyre ishte ngritur padrejtësisht dhe se ajo nuk kishte bazë ligjore. Sipas tyre 12-vjeçari i dëmtuar akuzues pretendonte se Mediu duhej të merrej në përgjegjësi penale dhe të dënohej për plagosjen e rëndë të tij. Kjo padi sipas mbrojtësve nuk ka kuptim, pasi është fakt që nga shpërthimi i Gërdecit ka pasur 26 persona të vdekur, për të cilët Mediu ka marrë pafajësi, kështu që ishte e pakuptimtë që ai të akuzohej për një dëm më të vogël të shkaktuar nga e njëjta ngjarje. Po kështu avokatët pretenduan se padia ndaj klientit të tyre ka “orientim” politik, duke argumentuar se kjo dukej nga fakti që mbrojtjen e padisë e bënin dy avokatë të Lëvizjes Mjaft, krerë të së cilës kishin marrë pjesë dhe kishin mbështetur të gjithë mitingjet e opozitës dhe veprimtari të tjera politike. Për më tepër sipas avokatëve kjo padi ishte një “show” mediatik, që kërkonte të bënte Lëvizja Mjaft me familjarët e viktimave të Gërdecit. Ndërsa në lidhje me përfaqësimin e ministrit Mediu në gjykim, dy avokatët pohuan se kanë tagra të plota përfaqësimi dhe se sipas tyre, ekzistojnë të gjitha mundësitë që ai të mos paraqitet në gjykim, por të specifikoje në prokurë kompetencat dhe tagrat që u jep dy mbrojtësve të tij. Nëse seancën e ardhshme palët nuk do arrijnë kompromisin, Gjykata e Lartë, e cila shqyrton si çështje themeli këtë padi për shkak të imunitetit  parlamentar të Mediut, pritet që të thërrasë edhe një prokuror që të jetë i pranishëm në gjykim.         fa.ma.“Po lidhja thasët kur shpërtheu zjarri”Dëshmitari Taulant Haziraj kishte humbur nga shpërthimi babanë e tij Met Haziraj dhe nipin e tij 7-vjeçar Erison Durda. Sipas dëshmisë së tij dhënë dje, ai tha se në momentin e shpërthimit ishte në fabrikë. “Po lidhja thasët me barut, kur pashë flakë. Dëgjuam ca të bërtitura. Vrapuam pa e kthyer kokën pas. U larguam, por na kapi vala e nxehtësisë që na shkaktoi të djegura”, tha Haziraj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›