E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët e kthyer me detyrim nga Greqia, 45 mijë çdo vit

Autori i Lajmit: red.
Në bazë të statistikave që ka departamenti për kufijtë dhe migracionin në Ministrinë e Brendshme, ka një rënie të numrit të të kthyerve në Shqipëri nga vendet e Bashkimit Europian, por edhe nga vende të tjera. Por fluksi i kthimeve të emigrantëve të paligjshëm çdo vit nga Greqia, vazhdon të jetë tepër i lartë. Sipas shefit të sektorit, Ylli Kumria, kjo është për shkak të specifikës së veçantë që çdo vit numri i kthimeve arrin në 45 mijë shtetas, por ai shton se ka edhe përsëritës që shkojnë nga dy-tre herë. Kështu që numri është më i ulët. Më poshtë ai dha disa mendime për gazetën.

-Sipas pozicionit të palës shqiptare, cili ka qenë qëllimi ynë në këtë takim të përbashkët?
Në partneritet me Ministrinë e Brendshme Helene dhe aktorë të tjerë të interesuar, është bërë e mundur që në kuadër e implementitmit të marrëveshjes së ripranimit mes Shqipërisë dhe Komunitetit Europian të ngrihen kapacitete administratve për çështjet e ripranim-kthimeve të shtetasve tanë por edhe të shtetasve të vendeve të tjera të përfshirë në projektin që quhet AENEAS.
-Cfarë e bëri të nevojshme këtë projekt? Pra, çfarë nuk shkonte?
Në kuadrin e kësaj marrëveshjeje kanë evoluar kuadre ligjore rregulluese për ta vënë në eficencë sepse kjo është një nga detyrimet kryesore të marrëveshjes së stabilizim-asociimit të Shqipërisë me KE.
Kur flasim për shtetasit e palëve kemi parasysh shtetasit e palëve që kanë marrëveshje dypalëshe; si marrëveshja e Shqipërisë me Britaninë, ose me Republikën Federale të Gjermanisë apo Hungarinë etj, pa përmendur marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Komunitetit Europian. Përveç shtetasve të palëve që ripranohen nga shtete respektive, janë edhe shtetasit e vendeve të treta, të cilët në bazë të dokumentacionit ligjor, të provave që u gjenden nga vendet përkatëse, bëhet procedura e pranimit në vendin e tranzitimit si Kina, India, Egjipti etj. Pasi provohen se kanë kaluar nga territori shqiptar në vendet e BE, kthehen përsëri në Shqipëri, por direktiva komunitare është që të kthehen në vendet e origjinës së tyre me praktikat e tyre.
-Natyrisht, kjo marrëveshje prek më së pari emigrantët shqiptarë
Natyrisht, preket pozita e tyre sociale, por këtu është e përfshirë në kuadrin e këtij projekti edhe Ministria e Punës e Shanseve të Barabarta, e cila parashikon riintegrimin e tyre në blazë të planeve kombëtare të migracionit.
-Cështja nuk është si t i riintegrojmë emigrantët që kthehen, këtu, por si t i riintegrojmë atje ku ata kanë mundësi për të jetuar…
Këto aspekte kanë të bëjnë me direktiva të vendeve komunitare, të cilat midis të tjerave, përveç kthim- ripranimeve, procesin tjetër kanë legalizmin e emigrantëve shqiptarë. Por në vendet ku ata janë të paligjshëm në raport me legjislacionin vendas, kjo bën që këto shtete të bëjnë procedurat e ripranimit të shtetasve tanë. Por bëjmë edhe ne procedura ripranimi të shtetasve të huaj.
-Sigurisht, po besoj se nuk është ky problemi për ne…
Natyrisht, por ne po punojmë që të plotësojmë detyrimet përkatëse komunitare.
-Supozojmë se Shqippëria do të marrë një vlerësim të mirë për kryerjen e detyrave të shtëpisë, se Shqipëria po zbaton siç duhet këto marrëveshje. Por çfarë zgjidh kjo? Gjithë halli ynë i madh është se si pjesa e paligjshme e emigracionit, të bëhet e ligjshme…përjashto pjesën e inkriminuar
Ne nuk jemi kompetent për këtë pikë për legalizimin e shqiptarëve në vendet ku rezidojnë. Masat e kthimit të shtetasve shqiptarë bëhen në kuadër të instrumentave juridikë dhe institucioni ynë nuk merret me problemin e riintegrimit të emigrantëve. Ne monitorojmë emigracionin e paligjshëm dhe përpiqemi ta ndalojmë atë.

LAJMI
Kthimi si proces rimarrjes së kontakteve me vendin e origjinës, atë të tranzitit, ose një vend tjetër të tretë, përbën një pjesë integrale të një politike migratore të plotë, të mirëmenaxhuar dhe të besueshme. Në këtë kontekst, ripranimi i migrantëve të parregullt në shtetin e tyre të origjinës ose në atë ku kanë kaluar tranzit, përbën një çështje të një rëndësie çdo ditë e më të madhe dhe shqetësim për vendet anëtare të BE-së, për vendet e treta si dhe ato në procesin e integrimit, që po bëjnë përpjekje për të luftuar migracionin e parregullt në të gjithë rajonin në përputhje me standartet evropiane, duke respektuar të drejtat njerëzore të personave të prekur.
Kjo konferencë organizohet ne kuadër të projektit: “Ngritja e mekanizmave për zbatimin efektiv dhe të qëndrueshëm të Marrëveshjeve të Ripranimit mes Shqipërisë, Komunitetit Europian dhe vendeve të treta të interesuara”, që po zbatohet nën drejtimin e Ministrisë e Brendshme Greke. Ky projekt bashkë-financohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të “Programit të Komunitetit për asistencë financiare dhe teknike për vendet e treta në fushën e migracionit dhe të azilit – AENEAS”, si dhe nga Ministria e Brendshme Greke dhe partnerët e projektit: Sekretariati i Përgjithshëm i Rendit Publik të Ministrisë së Brendshme Greke, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), Instituti Grek për Politikat Migratore (IMEPO) dhe Agjencia Greke për Zhvillim Lokal dhe Qeverisje Lokale (EETAA).
Qëllimi i kësaj konference është të informojë mbi rezultatet e projektit, duke vënë në pah rezultatet e takimeve bilaterale të Grupit Ndër-Ministror të Punës, të ngritur në kuadër të këtij Projekti. Takimet e Grupit të Punës rezultuan në hartimin e një manuali rekomandimesh dhe praktikash të mira mbi kthimin dhe ripranimin, një aktivitet i ndërmarrë bashkërisht nga Ministritë e Brendshme Greke dhe Shqiptare.

Në këtë konferencë morrën pjesë përfaqësues të partnerëve të projektit, të Ministrive shqiptare të linjës që trajtojnë çështje të kthimit dhe të ripranimit, në veçanti, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit, pranë Ministrisë së Brendshme, Komisionit Evropian, të vendeve të anëtare të BE-së, si dhe përfaqësues të ambasadave në Tiranë. Vlen të përmendet se Shqipëria është vendi i parë evropian, që ka firmosur një Marrëveshje Ripranimi me Komunitetin Evropian në 2005, ndërsa klauzola e kësaj marrëveshjeje për vendet e treta, hyri në fuqi në Maj të vitit 2008, dhe lehtëson kthimin në Shqipëri të shtetasve të vendeve të treta që kanë kaluar tranzit ose kanë vizituar Shqipërinë përpara se të hynë në një shtet anëtar të BE-së. Zbatimi i Marrëveshjes së Ripranimit mes Komuniteti Evropian dhe Shqipërisë është një nga prioritetet e Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit, dhe një hap përpara drejt integrimit në BE.
Ky lajm është publikuar: 25/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›