E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri i Mbretërisë: Shtëpi publike kudo ku ka gra “rrugësh”

Autori i Lajmit: red.
U ndalua që prostituta t i jepte mjekut para në dorë për vizitën mjekësore. Kjo masë antikorrupsion merrej me qëllim që mjeku të mos komprometohej e t u jepte leje për ushtrimin e prostitucionit grave të sëmura apo të pashëruara plotësisht

Dokumentet e Arkivit të Shtetit dëshmojnë se në Shqipëri, prostitucioni i mirëfilltë, por ilegal, u shfaq në fund të dhjetëvjeçarit të parë të shekullit XX. Ai u shfaq andje nga viti 1910 në qytetin e Shkodrës dhe, sidomos pas vitit 1920, në të gjitha qytetet e mëdha të vendit. Edhe reagimi i parë zyrtar rreth këtij fenomeni përkon thuajse me fillimin e vetë shtetit shqiptar. Për disiplinimin e prostitucionit, shteti vendosi pa ndonjë hezitim të madh legalizimin. Ai fillimisht huazoi rregulloren e prostitucionit të Sarajevës. Më pas vijuan një varg analizash, të bazuara mbi raporte komisionesh të posaçme mbi prostitucionin, në organet vendore të Korçës, Durrësit, Elbasanit etj. Prej tyre u arrit në vendimet për të parat shtëpi publike në Shqipëri. Këto trajtesa lokale u pasuan nga rregullorja e re e prostitucionit, miratuar nga Këshilli i Ministrave, me vendim nr. 196, datë 10 shkurt 1922. Pas miratimit në Parlament, kjo rregullore u shndërrua në ligj. Ky ligj i parë mbi prostitucionin përfaqësonte bazën juridike të legalizimit të tij. Shtëpitë publike ose, siç thuhej atëherë, shtëpitë e përgjithshme, do të hapeshin atje ku kishte gra që ushtronin prostitucionin. Prostitutat duhej të regjistroheshin në këto institucione dhe t i nënshtroheshin një kontrolli të rreptë mjekësor, në mënyrë që t i pritej rruga përhapjes së sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Evidentimi i prostitutave, ndjekja, regjistrimi dhe organizimi i vizitave mjekësore ndiqej nga komisariatet e policisë së prefekturave. Në rregullore përcaktoheshin detyrat e drejtuesit të shtëpisë publike, i cili detyrohej t u plotësonte grave publike kushtet e paracaktuara me ligj dhe të respektonte të
drejtat e tyre. Atij i ndalohej keqtrajtimi i tyre për të rritur të ardhurat personale. Neni 21 e detyronte drejtuesin e shtëpisë publike t i jepte prostitutës ¼ e fitimit nga ushtrimi i profesionit të saj. Më pas, për t u ardhur në ndihmë grave prostitua, u bënë disa ndryshime në rregulloren e prostitucionit. Për shembull, u ndalua që prostituta t i jepte mjekut para në dorë për vizitën mjekësore. Kjo masë antikorrupsion merrej me qëllim që mjeku të mos komprometohej e t u jepte leje për ushtrimin e prostitucionit grave të sëmura apo të pashëruara plotësisht. Por pagesa bëhej në komisariatet e policisë dhe ½ u takonte mjekëve.
Me rregulloren në fjalë ndalohej prostitucioni i rrugës dhe, përgjithësisht, prostitucioni i fshehtë. Në të tilla raste parashikohej detyrimi ligjor për t i dërguar prostitutat “e lira” në shtëpitë publike të licencuara.
Për t u përmendur është gjithashtu ndihma që parashikohej për prostitutat, përmes krijimit të një “fondi ndihme”. Një pjesë e këtij fondi do t u jepej grave që hiqnin vullnetarisht dorë nga prostitucioni, duke përfshirë edhe gratë joshqiptare, të cilave do t u paguheshin shpenzimet e udhëtimit etj. Edhe gjobat që do të vileshin nga prostitutat që shkelnin rregulloren, i kalonin pikërisht këtij fondi. Por krahas ndihmës së parashikuar me ligj, për prostitutat parashikoheshin masa mjaft të rrepta në rastet e shkeljes së tij. Për këto raste, neni 25 parashikonte dënim me gjobë nga 10-100 fr. ari e deri në dy vjet burg.

Sociologu Dr. Lekë Sokoli analizon periudhën e fillimit të prostitucionit në Shqipëri

“Nëse për përhapjen apo edhe rregullimin ligjor të prostitucionit në vendet rreth nesh ka një literaturë të bollshme, të paktën unë nuk kam gjetur ndonjë gjë të shkruar për prostitucionin në librat mbi historinë e Shqipërisë, në të drejtën tonë zakonore, në libra kronikanësh, gjeografësh, albanologësh, në folklorin tonë etj. Ky “përjashtim” lidhet me puritanizmin tonë karakteristik dhe, përgjithësisht, me jetën tradicionale të shqiptarëve, të dominuar nga jeta e mbyllur, në mbrojtje (edhe në kuptimin ushtarak të fjalës), nga familja e mbyllur patriarkale, në të cilën gjithçka, përfshirë edhe jetën seksuale të pjesëtarëve të saj, ishte rreptësisht e koduar dhe e kontrolluar”. Kështu thotë sociologu Dr. Lekë Sokoli, në studimin e tij për historinë e. prostituimit në Shqipëri. Dhe më tej vazhdon: Pohimi se prostitucioni te ne “nuk ka histori” duhet kuptuar si një fakt: Shqipëria, përgjithësisht, nuk ka prodhuar prostitucion “së brendshmi”.
Megjithatë, edhe Shqipëria historikisht nuk ka qenë vend i izoluar. Përkundrazi; ajo ka qenë në udhëkryqe historike e gjeografike apo në udhëkryq të interesave të fuqive ushtarake të kohëve të ndryshme dhe është “populluar” nga pushtues të kulturave të ndryshme: kristiano-romake, turko-islame, austro-hungareze, sllavo-bullgare apo sllavo-serbomalazeze, greke, italiane, gjermane etj. Rruga “Egnatia”, për të mos shkuar më tej, mbart një histori mbi 23 shekullore. Përgjatë saj ka patur motele e hane në të cilat edhe seksi është ofruar si shërbim. Pohohet se në hanet e udhëtarëve, këtë prostitucion e kanë ushtruar kryesisht vajza jetime, të cilat e bënin këtë shërbim veç punës së tyre. Historikisht, prostitucioni ka bashkëshoqëruar luftërat dhe pushtimet e shumta në Shqipëri.
Të pathënat e historisë së prostitucionit shqiptar
As të moshuarit nuk kanë shumë dijeni për praninë e prostitucionit në Shqipërinë e para Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë saj. Gjithsesi, shumë prej tyre pohojnë se në Tiranë përshembull, te “Zogu i Zi”, është ende një ndërtesë në të cilën dikur është ushtruar prostitucion publik. Me të duket se lidhet edhe emërtimi popullor, paksa i veçantë, “Zogu i Zi”. Të tjerë pohojnë se edhe e famshmja “A doni qymyr zotëri?” e Migjenit, mund të merret edhe si ofertë prostituimi. Sikurse shpjegon dr. Lekë Sokoli, “Në Shqipëri prostitucioni, ashtu si droga, homoseksualizmi etj., nuk njihej si dukuri dhe se kjo lidhej, nga njëra anë, me faktin se regjimi i hekurt komunist nuk lejoi “depërtimin” e tij, ndërsa propaganda zyrtare e quante atë si shprehje të kalbëzimit të kapitalizmit”. Por, në historinë e Shqipërisë, thotë ai, ekziston një periudhë në të cilën prostitucioni ka qenë i institucionalizuar. Ndaj, gjithsesi, nuk është pa interes analiza e prostitucionit profesionist shqiptar, sidomos në gjysmën e parë të shekullit XX. Fenomeni i prostitucionit në shoqërinë shqiptare, para dhe pas formimit të shtetit kombëtar, nuk është bërë objekt trajtimi nga studiuesit dhe, si pasojë, fondi i studimeve për këtë temë është thuajse i zbrazët. Në mungesë të studimeve të mirëfillta, si burim informimi mbeten dokumentet zyrtare.
Ky lajm është publikuar: 25/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›