E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët forcojnë lekun ndaj euros

Euro po tenton të kapë vlerat e këmbimit ndaj lekut të fillimit të vitit, kur vendi sapo kishte filluar të ndiente pasojat direkte të krizës ndërkombëtare. Prej disa ditësh, monedha europiane ka shfaqur tendencë zhvlerësimi, por sipas kambistëve kjo i dedikohet fluksit të valutës së hedhur në treg.

Dje, gjatë mesditës, në tregun e lirë valutor një euro blihet për 129,4 lekë duke rënë me rreth 0,8 pikë përqindjeje krahasuar me fillimin e javës. Vlerësim të lekut ka edhe ndaj monedhave të tjera. Në treg 1 dollar këmbehet për 92,8 lekë, duke u dobësuar me 0,7 pikë përqindjeje që nga dita e hënë.

Efektin më të madh në vlerësimin e lekut e ka pasur fluksi i euros që vjen prej emigrantëve, por edhe nisja e sezonit turistik. Sipas të dhënave të fundit nga Drejtoria e Kufirit, numri i vizitorëve këtë periudhë është rritur me 10% krahasuar me një vit më parë. Por zhvlerësimi i euros është shkaktuar edhe nga rënia e kërkesës së tregtarëve të importit për blerje mallrash, pasi, sipas tyre, edhe prodhimi vendas ka rritur prezencën në treg, ndërkohë që në përgjithësi ka rënie të fuqisë blerëse dhe të konsumit për një grup të gjerë mallrash, pasojë kjo direkte e krizës, e cila edhe sipas paralajmërimit të fundit të Bankës Qendrore jo vetëm nuk ka kaluar, por po shfaq efekte të reja.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›