Maturantët fierakë, të prirë për shkencat shoqërore
Maturantët fierakë duket se janë të prirë më shumë për shkencat shoqërore. 2600 maturantë që kanë plotësuar formularin A2 për të vazhduar studimet e larta në një prej universiteteve të Shqipërisë kanë preferuar të zgjedhin degë të profilit shoqëror. Ditën e premte është zhvilluar provimi me zgjedhje për të gjithë maturantët e Rrethit të Fierit, që është zhvilluar në 19 ambientet e përzgjedhura më parë. Sipas informacionit zyrtar të Drejtorisë Rajonale të Arsimit në Fier ky testim është ndjekur në bazë të kritereve të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencave. 200 mësues administratorë kanë monitoruar gjatë gjithë kohës provimin me zgjedhje të maturantëve të Fierit. Me përjashtim të lëndëve të Maturës Shtetërore, letërsisë dhe matematikës, provimi me zgjedhje përfshiu të gjitha lëndët e tjera në shkencat natyrore dhe ato sociale. Drejtoria Rajonale e Arsimit në Fier shprehet se në provimin me zgjedhje ka pasur një interesim të madh të nxënësve. Preferencat e tyre kanë qenë të ndryshme, por pjesën më të madhe e kanë zënë shkencat shoqërore. Shumë e paktë ishte ajo kategori nxënësish që kanë zgjedhur shkencat ekzakte për provimin me zgjedhje. Ndër lëndët më të kërkuara nga maturantët e Fierit ka qenë Ekonomiku, Juridiku, Psikologjia e të tjera me natyrë shoqërore. Gjatë gjithë zhvillimit të procesit në Rrethin e Fierit nuk është regjistruar asnjë problem, as nga nxënësit dhe as nga mësuesit, si për shpërndarjen e testeve, por edhe për zhvillimin e tyre.
Në provimet e Maturës Shtetërore, shkollat e Rrethit të Fierit arritën një rezultat me një mesatare kalueshmërie prej 98%, e cila do të reflektoj edhe në rezultatin e provimeve me zgjedhje
Në provimet e Maturës Shtetërore, shkollat e Rrethit të Fierit arritën një rezultat me një mesatare kalueshmërie prej 98%, e cila do të reflektoj edhe në rezultatin e provimeve me zgjedhje