Emigrantët kapen me dollarë false
Policia e kryeqytetit arrestoi dje tre emigrantë të ardhur nga Italia, sapo kishin këmbyer 300 dollarë, kartmonedhë të prerjes 100, false
Gjatë kontrollit të banesave, policia bllokoi 2 mijë dollarë amerikanë si dhe një sasi 1200 euro, të dyshuara si të falsifikuara
TIRANE- Tre emigrantë kapen nga policia në tentativë për të shkëmbyer dollarë dhe euro false, në Rrugën e Kavajës.
Antikrimi ekonomik-financiar në Policinë e Tiranës çon në qeli tre persona të dyshuar se po tentonin të fusnin në qakullim një sasi të konsiderueshme kartmonedhash false në dollarë e euro.
Ervis Dardha 24-vjeç, Altin Plaku, 23-vjeç dhe Hekuran Curri 25-vjeç u arrestuan ditën e djeshme pasi po tentonin të këmbenin rreth një sasi prej 300 dollarësh falsë në një degë të një bankë banke të nivelit të dytë në rrugën e "Kavajës" në Tiranë.
Burimet pohuan se ata kishin së paku dy javë që ishin kthyer nga Italia, ku punonin si emigrantë. Kartmonedhat false sipas burimeve të policisë mësohet se ishin të prerjes 100 dollarëshe.
Oficerët e policisë kryen kontrolle në banesat e tre të rinjve duke gjetur dhe sekuestruar një sasi prej rreth 2 mijë dollarë amerikanë si dhe 1250 euro të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Ndaj tre personave u mor masa e arrestit me akuzën e "Falsifikimit të kartmonedhave".
Burime nga policia thanë se po hetohej origjina e dollarëve dhe eurove të falsifikuara si dhe zbulimi i personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të jashtëligjshme. Dyshimi i policisë është se paratë mund të jenë prodhuar në vend, por sipas tyre nuk përjashtohet mundësia që ato të kenë ardhur nga jashtë vendit.
Paratë false
Ervis Dardha 24 vjeç, ka hyrë i pari në ambientet e institucionit financiar të nivelit të dytë, në rrugën e "Kavajës' në Tiranë për të këmbyer një sasi prej 300 dollarë.
Veprimet janë kryer shpejt nga arkëtarja e bankës për të cilën e kishte urdhëruar Dardha pasi e prisnin dy shokë jashtë i riu është larguar me shpejtësi, ndërsa punonjësja e bankës vuri re se kartmonedhat nuk ishin para të vërteta, por kallpe.
Menjëherë punonjësja ka dhënë alarmin ndërsa blutë kanë mbërritur në bankë. Pas informacionit të dhënë, janë ngritur disa postblloqe dhe patrulla që kontrollonin rrugët e mundshme të lëvizjes së personave sipas karakteristikave të dhëna.
Ndërkohë që patrullat e përgjithshme të komisariatit të policisë nr.3, dhe komisariatit nr.6, ngritën postblloqe në kryqëzime duke bërë të mundur kapjen e Dardhës i cili në atë moment ishte i shoqëruar nga dy shokët e tij Altin Plaku dhe Hekuran Curri.
Për dy të fundit policia zbuloi se ishin furnizuesit e Dardhës me dollarët false. Të tre të rinjtë u shoqëruan në ambientet e drejtorisë së Policisë së Tiranës ku u morën në pyetje.
Hetimi
Tre të rinjtë nuk kanë pranuar të japin sqarime për paratë false që këmbyen në bankë, ndërsa nuk kanë pranuar të japin asnjë lloj sqarimi në lidhje me origjinë e mundshme të parave.
Pas ndalimit të personave, policia ka kryer kontrollet në banesat e tyre, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar ndaj 24-vjeçarit Ervis Dardha, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma e parave prej 2000 dollarë, të prerjes 100 dollarëshe, të falsifikuar. Sipas policisë këto dollarë Dardha i kishte siguruar nga Altin Plaku dhe Hekuran Curri të cilët ia kishin dhënë atij për t'i këmbyer.
Në banesën e 23-vjeçarit Altin Plaku, policia gjeti dhe bllokoi një shumë prej 1250 Euro të cilat dyshohen se janë të falsifikuara. Burime nga policia thanë se paratë e sekuestruara do të ekzaminohen për të vërtetuar nëse janë të falsifikuara. Ndërsa tre të rinjtë u arrestuan pasi këmbyen në bankë 300 dollarë false.
"Pavarësisht deklaratës së tre të arrestuarve se dollarët ua kishin dhënë disa klientë dhe se nuk e dinin që ishin të falsifikuar, policia dyshon se tre të rinjtë merren me këmbime parash false dhe po punon për gjetjen e burimit dhe itinerarin e këtyre parave" thanë për "Shekullin" burime nga policia.