E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mashtruan për vizat amerikane, 22 vjet burgim

VENDIMI/ Gjykata e Shkodrës vendosi dënimin e botuesit dhe gazetarit të revistës "Diaspora"


SHKODËR - Janë dënuar me nga 12 dhe 10 vjet burgim dy shtetas të deklaruar fajtor për "vjedhje me anë të mashtrimit" të shumave të mëdha në këmbim të pajisjes së personave me viza për në SHBA.

Gjykata e rrethit gjyqësor Shkodër ka vendosur deklarimin fajtor të shtetasve Thanas Moçka dhe David Makaj, duke e dënuar Moçkën me 12 vjet burg në mungesë, ndërsa David Makajn me 10 vjet burg.

Thanas Moçka botues i revistës së përmuajshme "Diaspora" dhe David Makaj, gazetar, akuzoheshin për "vjedhje me anë të mashtrimit", ndërsa gjatë hetimit e më pas gjatë gjykimit ka rezultuar se ata kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash në këmbim të vizave amerikane.

Botuesi Moçka me banim në Tiranë dhe gazetari Makaj me banim në Lezhë, u kanë marrë nga 23 000 euro katër personave në këmbim të pajisjes së tyre me viza.

Moçka ka pretenduar se si botues i një reviste ka bashkëpunim me ambasadën e SHBA-së në Tiranë. Por as vizat s'janë siguruar dhe as paratë s'janë kthyer. Të dëmtuarit që bënë kallëzim në prokurori, mbi bazën e të cilit u hap procedimi penal.

Dënimi i Moçkës është dhënë në mungesë pasi ai është larguar në drejtim të paditur pas rivlerësimit të masës së sigurisë nga Gjykata e Apelit. Kjo e fundit ndryshoi masën e dhënë nga Shkalla e Parë, duke e lënë të lirë Moçkën. Procesi penal u zvarrit shumë për shkak të mosparaqitjes së Moçkës në seancat gjyqësore.

Thanas Moçka kërkoi zëvendësimin e avokatit mbrojtës, kërkesë kjo që u pranua nga gjykata. Ky moment ka shërbyer për largimin e botuesit të revistës "Diaspora" nga Shqipëria, megjithese ai ndiqej penalisht.

Ndërsa David Makaj, i cili është i sëmurë dhe i nënshtrohet dializës, ka qenë i pranishëm në disa prej seancave gjyqësore.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›