E Diel, 1 Nëntor 2026

Për një gërmë që ti s'e vë, nuk merr pension

GABIMET/ Problemet me gërmat dhe me datat në regjistra, qytetarët kanë hapur 276 gjyqe vetëm për 2008-n në Elbasan


ELBASAN - Problemi më i madh që haset nga shumë individë në prag të daljes në pension është mospërputhja e emrave në dokumentacion apo edhe probleme të tjera me regjistrat e mbajtura nga ish-ndërmarrjet shtetërore apo ish-kooperativat bujqësore.

Rastet janë të shumta, madje ka edhe komuna të tëra në të cilat banorët nuk mund të përfitojnë pension, pasi emrat e tyre ose janë vënë të shkurtuar, ose kanë ndryshim në një shkronjë, më keq akoma nuk kanë emrat e baballarëve, por të burrave dhe në raste të veçanta për një kooperativë të tërë, të gjithë regjistrat janë mbajtur me laps, gjë që nuk njihet nga ligji për sigurimet shoqërore.

Ndërkohë, në shumë regjistra të tjerë ka korrigjime të datave, probleme me mosvendosjen e datës përfundimtare të punës, gjë që e bën të vështirë vërtetimin e sasisë së viteve të punës.

Vetëm në vitin 2008 janë regjistruar 276 gjyqe për këto probleme dhe personave përfitues për këtë fakt iu është dashur të presin 1, 2, madje edhe 3 vjet dhe ka prej tyre që nuk kanë gjetur ende zgjidhje për të marrë pensionin.


Problemet

Dëshira Mema, kryetare e degës së administrimit pranë DRSSH Elbasan thotë se problemet janë nga më të ndryshmet dhe çdo ditë verifikohen mospërputhje. "I gjithë dokumentacioni i vjetër i punësimit është grumbulluar pranë arkivave të Sigurimeve Shoqërore.

Regjistrat e vjetërsisë në punë janë marrë në dorëzim nga ndërmarrjet shtetërore të mbyllura dhe nga arkiva shtetërore. Regjistrat e vjetërsive kanë shumë të meta apo korrigjime.

Në rastet kur disponohen borderotë për këto ndërmarrje bëhet verifikimi i mëtejshëm dhe kur ekzistojnë për personin që kërkon të dalë në pension ekziston kjo mundësi për të verifikuar vjetërsinë dhe nuk duhet t'i drejtohet gjykatës, por në rast të kundërt kur problemi është i paverifikueshëm atëherë nuk na mbetet gjë tjetër veç t'i drejtojmë në gjykatë. Ka raste kur regjistrat janë lënë të paplotësuar në datën kur personi është larguar nga puna.

Në raste të tjera ka korrigjime të emrave dhe mbiemrave, të periudhave të punësimit. Probleme të theksuara me emrat sidomos të prindërve kanë zona e Mollasit ku në vend të babait është vendosur emri i bashkëshortit, komuna Papërr ku regjistrat janë shkruajtur me laps.

Sigurisht që brenda institucionit të ISSH-së ka komision apeli i cili ka të drejtë të riparojë vetëm për rastet kur ndryshimi dihet që është bërë për shkak të dialektit, për shembull në rastet kur është me "j" ose kur mungon j-ja. Në këto raste evitohet hapja e një procesi gjyqësor, por në shumicën e rasteve personat që duhet të përfitojnë lajmërohen 6 muaj përpara dhe kanë kohë për të bërë kërkesën dhe për të plotësuar procedurat mbështetëse në rast të defekteve të tilla".

Drejtoria Rajonale e ISSH-së në Elbasan ngre shqetësimin për gjendjen e regjistrave të vjetërsisë në drejtim të cilësisë së hedhjes së të dhënave të cilat bëhen edhe pengesë kryesore për daljen në pension të shumë personave.


Avokatët


Avokati Bajram Stafa thotë se problemet me emrat që vijnë nga Sigurimet Shoqërore janë të shumta. Ai ka pasur shumë raste të tilla dhe sipas tij në shumë raste ka pasur mjaft vështirësi për të vërtetuar se personi është i njëjti, pasi në një zonë të caktuar mund të ketë dy persona me të njëjtin emër.

Sipas Stafës në një rast një individi nga Cërriku i janë dashur tre vjet dhe ende ky problem mbetet i pazgjidhur. Të gjithë personat që hasin probleme të tilla, do të duhet t'i drejtohen gjykatës me shpenzimet, kohën, por edhe mungesën e parave.


Numri i rasteve sa vjen e rritet pasi kanë ndryshuar procedurat ligjore dhe shumë persona, ish-punëtorë në ndërmarrje shtetërore dalin në këtë kohë në pension. Sipas specialistëve, duhet një amnisti për këto probleme për t'i kursyer pensionistëve kohë, para dhe vështirësi.

Rastet


Xhavit Llaha gjendet në zyrat e DRSSH Elbasan për një problem me mbiemrin e bashkëshortes së tij. Ai ka rreth një vit që përpiqet të ndreqë gabimin duke grumbulluar sa më shumë dokumentacione.

Ai thotë gjithashtu se inspektori përkatës duhet të sqarojë qysh në fillim personin që has këtë problem dhe jo ta sjellë përqark për 6 muaj dhe më pas të thotë se duhet t'i drejtohesh gjykatës. "Unë kam hasur një problem të tillë, mbiemrin e gruas ma kanë shkruar nga Suli në Sula dhe për këtë kam një vit që vij vërdallë në sigurime.

Gjendja civile e Beratit dhe komuna Tunjë e kanë konfirmuar faktin se ky person me ndryshim mbiemri nga Suli në Sula është i të njëjti person. Kam frikë se nuk do të më njohin pensionin për kohën që do të endem. I kam ndjekur të gjitha procedurat. Qysh në janar vjet kam filluar dhe ende jam këtu. Tani më thanë se duhet t'i drejtohem gjykatës".


Më kanë shkurtuar emrin e babait


Ramizi është një tjetër i moshuar që endet për shumë muaj në pritje të pensionit. Ai jeton vetëm me bashkëshorten, ka dy vajza të martuara dhe nuk ka asnjë mbështetje ekonomike.

"Mua ma kanë ndryshuar nga Ramiz Shyqyri Shkëmbi, emrin e babait në Shyqo. Kam shkuar në Fier ku kam punuar, kam marrë të gjitha dokumentat e nevojshme. Kam kaq muaj që vij vërdallë dhe vetëm sot më thanë se duhet të bëj një kërkesë për gjyq. Unë po bëj një vit që nuk kam asnjë lek.

Kam dy vajza të martuara dhe nuk kam djem. Jetoj me bashkëshorten dhe ajo nuk ka pension. Me duket e padrejtë. Pse duhet të zgjatet kaq shumë kjo punë? Është shumë e thjeshtë të verifikohet kjo punë, por u dashka edhe gjyq. Ku kam para unë të ndjek gjyqet?

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›